Drejtësia e shqiptarëve si peng i një pakice ‘të majtë-djathtë’…

Arjan StarovaNga Dr. Arian Starova

Me këtë shkrim (duke mbetur krejt mospërfillës për ata që më gjuajnë me gurë-servilë ‘nga prapa mullarit’ për të zënë radhën për ndonjë hamburger-këshilltari nesër) do të doja të ndihmoj sa mundem për ta thjeshtëzuar sa më shumë dhe për të gjithë thelbin e diskutimit të tanishëm të bllokuar përreth të ashtuquajturit ‘vetting’ të nenit 88 të paketës së reformës në drejtësi. Prandaj duhet filluar me sqarimin e vetë fjalës-kyç ‘vetting’, përdorimi i së cilës është krejt i panevojshëm. Gjuha shqipe e ka fjalën e vet përkatëse dhe ajo është ‘përzgjedhje shumë e kujdesshme’. Reforma në drejtësi ka ngecur sepse politikanët grinden me pak gjasa për t’u marrë vesh për atë se kush duhet ta bëjë këtë ‘përzgjedhje shumë të kujdesshme’ të njerëzve tanë të drejtësisë.
Pra, kjo reformë ka ngecur te mënyra sesi do të bëhet përzgjedhja e grupit të të gjithë atyre njerëzve të drejtësisë prej të cilëve do të bëhen emërimet me zgjedhje nga Kuvendi për prokurorët dhe gjyqtarët e institucioneve të rinj të sistemit të drejtësisë. Kjo është përzgjedhja e parë dhe synon që të përjashtojë nga grupi i të gjithë njerëzve të drejtësisë ata për të cilët ka fakte të qartë se janë të paaftë, të korruptuar, ose të kapur politikisht.
Partitë qeverisëse kërkojnë që njerëzit të cilët do të bëjnë këtë përzgjedhje të parë të hollësishme të jenë ekspertë të huaj të palidhur me politikën shqiptare, kurse Partia Demokratike kërkon që kjo përzgjedhje të bëhet nga një komision i veçantë i përbërë nga përfaqësues të partive politike të shumicës dhe të opozitës. Argumenti i partive të shumicës qeverisëse është se partitë nuk duhet të kenë asnjë lidhje me sistemin e drejtësisë, kurse ai i Partisë Demokratike është se nëse kjo përzgjedhje e parë nuk bëhet nga përfaqësues të partive politike, atëherë sistemi i drejtësisë mund të ‘kapet politikisht’ nga partitë e shumicës qeverisëse. Të dyja palët nuk lëshojnë në qëndrimet e tyre. Ky është thelbi i gjithë diskutimit të ndezur të sotëm dhe i ngecjes së reformës në drejtësi.
Ndërkohë, ndërkombëtarët që e kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme të gjithë procesin e reformës në drejtësitë po këmbëngulin që të arrihet një marrëveshje, apo ‘konsensus’ për këtë çështje të fundit që e ka ndalur përkohësisht këtë proces.
Tani, le të përpiqemi të arsyetojmë në mënyrë sa më të paanshme. Argumentet e të dyja palëve janë padyshim bindës. Të dy palët kanë të drejtë në idetë e tyre, si partitë qeverisëse në lidhje me shkëputjen përfundimtare të lidhjeve ndërmjet politikës dhe drejtësisë të cilat e çuan drejtësinë në gjendjen e tanishme, ashtu edhe Partia Demokratike që dyshon dhe kërkon me të drejtë të mos lejojë mundësi për një ‘kapje të re politike’ të drejtësisë nga e majta, sepse e vendosur përballë krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar të tejzhvilluar të këtyre tre viteve të qeverisjes së majtë, ajo nuk beson që partitë qeveritare të duan vërtet një drejtësi e cila të ndëshkojë edhe qeveritarët e saj të tanishëm.
Në këtë debat të bllokuar, të dyja palët njëkohësisht edhe nuk kanë plotësisht të drejtë. Partia Socialiste nuk ka të drejtë të thotë se, meqenëse deri tani politika ka ndikuar për keq mbi drejtësinë, atëherë politika vetëm do ta prishë drejtësinë po të ndërhyjë përsëri në reformën në drejtësi. Ky ngulmin i saj nuk është plotësisht i argumentuar. Nga ana tjetër, as Partia Demokratike nuk ka të drejtë të thotë me siguri se, meqenëse Partia Socialiste ka probleme seriozë me korrupsionin e qeverisjes së saj, atëherë ajo kërkon patjetër të ‘kapë politikisht’ drejtësinë. As ky argument i saj nuk është plotësisht i saktë.
Megjithëse, në dyshimet e tyre, të dyja palët mbështeten nga përvoja e kaluar dhe e tanishme, të dyja ato nuk kanë plotësisht të drejtë t’i shtrijnë dyshimet e tyre edhe mbi atë çka do të bëhet. Aq më pak kanë ata të drejtë që t’i hedhin dyshimet e tyre edhe mbi ekspertët e huaj të cilët janë menduar si sigurues të paanshmërisë së procesit të ardhshëm të përzgjedhjes. Ata nuk kanë të drejtë t’i paragjykojnë këta ekspertë. Si rrjedhojë, dyshimet nuk mund të përdoren si argument për bllokimin e marrëveshjes siç edhe po e shikojmë. Përsëri si rrjedhojë, dyshimet e ndërsjelltë duhet të të çojnë logjikisht te një palë e tretë asnjanëse, te ekspertët e huaj. Është pikërisht kjo arsyeja që pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së njerëzve të drejtësisë krijon shumë më shumë siguri për bërjen e një reforme të vërtetë të drejtësisë shqiptare.
Atëherë pyetja e drejtpërdrejtë që duhet bërë për partinë Demokratike është: Përse edhe mënyra e parashikuar e përzgjedhjes me ekspertë të huaj vështrohet si një rrugë që çon në ‘kapjen politike’ të drejtësisë nga e majta? Duam nuk duam, kjo është pyetje për Partinë Demokratike. Ku mbështetet Partia Demokratike kur thotë se kjo do të çojë në ‘kapjen politike të drejtësisë’ nga e majta e politikës? Nuk e përjashtoj fare idenë se Partia Demokratike mund të ketë argumente që provojnë se kjo mund të ndodhë, por në këtë rast, nëse jo publikisht për arsye që dihen, ajo duhet t’ua thotë këto argumente përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë, në Tiranë apo në kryeqytetet përkatës të tyre. Kështu, shkojmë përsëri te pyetja e mësipërme në një formë tjetër: Përse Partia Demokratike dyshon te dyshja amerikano-europiane e ambasadorëve? Përse Partia Demokratike shprehet se mban lidhje me Uashingtonin për reformën në drejtësi, çka nënkupton anashkalimin e ambasadorit Lu në Tiranë?
Mungesa e përgjigjeve publike për këto pyetje ka sjellë si rrjedhojë, ka lënë shteg, për hedhjen e lloj- lloj ‘hijezimeve patriotikë’ konkurrues dhe krejt të panevojshëm mbi debatin për mënyrën e përzgjedhjes e njerëzve të drejtësisë që nënkuptojnë përjashtimin e të huajve prej këtij procesi. Një patriotizëm i tepërt dhe qesharak. Është edhe fyes dhe mosmirënjohës për partnerët tanë strategjikë. Është edhe i palogjikshëm sepse edhe kapja pas propozimit të Komisionit të Venecias është përsëri mbështetje te të huajt. Na kujton edhe të kaluarën komuniste të mbushur plot e përplot me patriotizëm izolues. Shkon edhe kundër politikës sonë të integrimeve euroatlantikë. Është edhe i turpshëm. Është edhe i paturpshëm. Është së fundi edhe mësimdhënës për të gjithë, sepse na provon se ekzistojnë ende ithtarë të fshehtë të politikave ksenofobe të vjetra të komunizmit.
Ndjekja e logjikës së problemit të çon përsëri te të tjera pyetje, edhe për Partinë Socialiste. Përse kjo parti e vështron si ‘vijë të kuqe të pakapërcyeshme’ idenë e komisionit përzgjedhës me përfaqësues të partive qeverisëse dhe të Opozitës? Cila është frika e saj? Përse vetëm ekspertët e huaj janë të gjithëbesueshëm? Në qoftë se shqiptarët nuk besohen për komisionin e përzgjedhjes (ata të cilët do të përzgjedhin), atëherë si do të mund të besohen njerëzit e tjerë të drejtësisë (ata që do të përzgjidhen) në rolin e tyre si prokurorë dhe gjyqtarë? A nuk nënkupton kjo se për Partinë Socialiste të gjithë njerëzit e drejtësisë na qenkan të pabesueshëm? Nëse na qenka kështu, përse nuk kërkon Partia Socialiste që të gjithë njerëzit e drejtësisë të jenë të huaj, pa përjashtim?! As nga Partia Socialiste nuk kemi deri tani përgjigje për këto pyetje dhe, siç shihet qartë, kundërshtimi i saj ‘vijëkuqas’ e ka futur në rrugë pa krye. Qëndrimi i Partisë Socialiste rrezaton ngurtësi të pamençur dhe mospërfillje krejt të paarsyetuar kundrejt opozitës. Sa më shumë që vazhdon, aq më shumë ky qëndrim iu kujton shqiptarëve kohën e regjimit komunist kur ata që mendonin ndryshe vështroheshin si armiq. Dhe ky lloj qëndrimi është shumë i vjetërsuar, i cili dashur padashur shpreh një fare mllefi të vjetër të grumbulluar në mënyra të nga më të papërfytyrueshmet.
Tani fare së fundmi, ka një ide të re nga Partia Demokratike, sipas së cilës përzgjedhja e njerëzve të drejtësisë të bëhet vetëm herën e parë me përfaqësues të barabartë të partive qeverisëse dhe të opozitës dhe, më pas, të mos ndërhyhet më. Kjo duke si transplant i filozofisë deiste në drejtësi dhe sipas meje ka gjasa që të fitojë konsensus. Megjithatë, unë dyshoj fort se në rast se kjo ide pranohet, atëherë e gjithë reforma në drejtësi hidhet në erë dhe vetë drejtësia kthehet në pikën fillestare në një formë tjetër dhe me institucione të rinj.
Ndërkohë që mekanizmi i reformës së drejtësisë ka ngecur, ne si politikanë shqiptarë vazhdojmë të japim shembuj të freskët të paaftësisë sonë ‘tradicionale’ për t’u mirëkuptuar në emër të interesave madhorë të vendit. Dikur, kjo quhej me një emër tjetër, quhej paaftësi për t’u vetëqeverisur dhe ‘ushqente’ dëshirat e armiqve të pavarësisë së kombit shqiptar. Dhe kjo ndodh pothuaj vetëm me ne, ndër të gjithë vendet ish komunistë të Europës Lindore. Përse?! Ndoshta, sepse ajo çka duket si përplasje për ide dhe parime të rëndësishëm është vetëm ‘fasadë’ e ndyrë e një pakice të trembur shumëngjyrëshe të politikanëve tanë për të mbrojtur pasuri të vjedhura në kurriz të popullit shqiptar. Përndryshe, le të tregojnë se kjo nuk është e vërtetë! Nuk ka problem në botë për të cilin nuk mund të gjendet një zgjidhje me marrëveshje! Dhe zgjidhja tashmë ka kohë që ekziston!
Ndërkohë, shqiptarët i kanë kuptuar dhe po i kuptojnë gjithnjë e më mirë ‘lojërat’ me reformën në drejtësi. Ata janë gjithnjë e më shumë të qartë: përderisa vepra e parë e kësaj reforme do të fillonte duke spastruar korrupsionin e politikës, ajo do të ishte e rrejshme, e ngadalësuar, e vonuar, e penguar, siç po e shohim përditë. Të gjithë shqiptarët e thonë pa asnjë ngurrim: reforma në drejtësi nuk do të bëhet sepse politikanët nuk mund të godasin vetveten.
Dhe megjithatë, ata shpresojnë shumë, sepse e dinë që kjo reformë e ka vënë vërtet gishtin te plaga e demokracisë së brishtë shqiptare. Ata ende shpresojnë shumë te politikanët largpamës dhe të papërlyer të Kuvendit të sotëm të Shqipërisë dhe te shumë të reja e të rinj të cilët duhet të marrin në duart e tyre vërtet të pastra politikën shqiptare.
Idealizmin e fillimviteve 1990 e vrau pabesisht makutëria për para. Shqipëria sot është e pushtuar nga një pakicë ‘e majtëdjathtë’ që e ka përçudnuar lirinë dhe drejtësinë e shqiptarëve. Shqipëria ka nevojë për një idealizëm të ri, të një brezi të ri, të cilin mund ta risjellë në politikë vetëm tradita e atyre familjeve shqiptare të panumërta që kanë mundur ta bashkojnë kombin shqiptar përreth vlerave të mëdha morale për një të ardhme të madhe.
Është koha të tregojmë se demokracia vepron! Është koha të tregojmë se edhe me votë në Kuvend mund të bëhen ndryshime madhorë në dobi të të gjithë shqiptarëve! Pikërisht ashtu si veprohet në parlamentet e vendeve të mëdhenj demokratike ku interesat madhorë të vendit janë mbi ata të partive politike. Është koha të ringjallim shpresën e vrarë të demokracisë shqiptare! Është koha të rikthejmë shpresën te e ardhmja e Shqipërisë!