Dr. Federik Shiroka, kur diktatura të vriste natën dhe të qante ditën…

Nga Pjeter Logoreci

Historia e trishtë e kirurgut me duar të arta që regjimi  komunist e përdori, e shantazhoj, e demaskoj si “antisovjetik”, e kërcënoi me burg, duke i shkaktuar një mbingarkesë psiqike (pas stërmudimit të punës pa orar), deri sa zemra i pushoj së rrahuri…, për ta mbuluar më pas me fjalë të bukura…

Dr. Federik Shiroka, i konsideruar nga profesorët dhe kirurgët e huaj si një shqiptar me inteligjencë dhe talent të vecantë, përvec se në fushën e mjeksisë, luajti suksesshëm në teatër, zotëronte vegla muzikore dhe shumë gjuhë të huaja, por ishte i suksesshme edhe në sport.

Federik Shiroka si futbollist

Në fillimin e karrierës së tij si futbollist, në adoleshencë, ai u aktivizua me ekipin e futbollit të shkollës së Jezuitëve e më vonë me skuadren e futbollit të Juventus-it, një shoqeri me të rinj katolikë, në Shkoder.

Në përmbledhjen “ Historia e Kulturës Fizike dhe Sportet në Shkoder në vitet 1900 – 1944, të autorëve Enver Bushati dhe Ibrahim Dizdari, një botim i Komitetit të Kulturës Fizike e të sporteve të rrethit Shkoder në vitin 1976, që për fat të keq nuk ka dalë në shitje, në kapitullin e 3-të, Krijimi i shoqërive nga viti 1922 – 1928 dhe aktiviteti i tyre fizkulturalo – sportiv, shkruhet:

Shoqeria “JUVENTUS”, me të rinjë katolike, ku një pjesë e sportistëve, pa marrë parasysh pasojat e rënda që do të kishin nga ana fetare, u bashkuan me shoqëritë laike, sic ishte “Studente Shkodra”. Këta sportistë ishin: Luigj Shala, Federik Shiroka, Anton Mazreku…etj…(faqe 35).

Shoqëria Juventus, ka zhvilluar edhe mjaft ndeshje ndërkombëtare sidomos me “Crnagoracin” dhe “BUDUCNOSTIN” e Malit të Zi, që ishin skuadrat e forta të kohës. Ndër lojtarët më të mirë të kësaj shoqërie përmenden: Pac Kovaci, Federik Shiroka, Lec Ndreka, Zef Kiri, Gac Gurashi…etj…(faqe 36)

Shoqeria “Studente Shkodra”. Kjo shoqëri në kundërshtim dhe në luftë të fortë me dogmat dhe demagogjinë fetare, pranoi që në themelim të saj, anëtarë me besime të ndryshme.  Kjo dha mundësi që aty të bëjnë pjesë elementë të shëndoshë dhe përparimtare pa dallim feje. Nga anëtarët e parë të kësaj shoqërie që punuan dhe kontribuan për mbarëvajtjen e sportit në qytetin tonë ishin: Ahmet Ashikja, Nikolla Verbica, Luigj Shala, Agostin Hila, Federik Shiroka, Anton Mazreku, Bahri Kopliku, Muhamet Halili, etj… Pjesa dërmuese e anëtareve të kësaj shoqërie ishin studente, të cilët ndiqnin shkollën në vendin tonë dhe jashtë atdheut. Në mes të tyre kishte edhe punëtorë. (faqe 37).

Skuadra e futbollit e kësaj shoqërie ka qenë një nga skuadrat më të para dhe më të fortat e asaj kohe, e cila ka zhvilluar shumë ndeshje lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Përmendën si ndeshje të mira të saj, loja me shoqërinë “Juventus”, me “Djelmnia Shkodrane”, me “Sport Klub Tirana” dhe me “Ballshiqin” e Malit të Zi, ku dallohen si lojtarë të mirë: Rifat Rroji, Nikolla Verbica, Muhamet Hallili, Federik Shiroka, Refik Shpuza, Xhevdet Luloci, Mahmut Xhyheri etj… (faqe 39)

Edhe pse Dr. Shiroka i donte shumë fëmijët, fati e deshti që cifti të mos kishte trashëgimtare. Këtë mungesë Shiroka e vuante, prandaj ai mundohej kurdoherë që të ndihmonte prindërit në kushte ekonomike të vështira, ato me shumë fëmijë, në mëndyra të ndryshme humane. Shpesh qëllonte që mbas vizitës mjeksore në ndonjë familje punëtorësh me shumë fëmijë, ti zgjatnin para, të cilat gjithmonë i kundërshtonte me mirësi duke i këshilluar që me ato para të blenin ushqim për fëmijët.

Në dëshminë me shkrim “DISA KUJTIME ME DR SHIROKEN”, autori i saj.

Aleko Dhima

…përshkruan miqësinë e tij me ciftin Shiroka me keto fjalë: “…cdo njeri në jetë është i rrethuar nga njerzit e tij, nga shokë dhe miq. Por nga të gjithë këta, më i afërt dhe i dashur është ai që të ndodhet pranë, që të vjen në ndihmë kur ti ke nevojë dhe je në hall, jo vetëm nga ana materiale, por edhe nga ajo shpirtërore. I tillë ka qënë dhe mbetet për mua Dr. Federik Shiroka. Me familjen e Federikut jam njohur për herë të parë në vitin 1948-të, kur isha vetëm 10 vjec, kur familjes time iu dha një hyrje në shtëpinë ku banonte doktori. Nuk më shlyhet nga kujtesa takimi i parë me të, i dashur, i thjeshtë, i qeshur e i afruar si prind i vërtetë. Unë atë kohë isha një djalë i vogël, që për arsye të ndryshme familjare isha i mbyllur, i pa veshur, i pa ushqyer, e mu ndodh pranë ky njeri. Ai më merrte shpesh me vete kur e thërrisnin për ndonjë vizitë urgjente, ku unë kisha dëshirë të mbaja cantën e mjeteve të vizitës. Pasi i vizitonte të sëmurët që i vinin në shtëpi ose u shkonte në shtëpi, të gjithë mundoheshin ti jepnin bakshish, por ky nuk i pranonte, e vecanërisht kur i shihte që nuk qenë mirë nga gjëndja. Për vizitë i vinin dhe shumë fshatar që mbanin qeleshe. Shumë herë kam qënë prezent, kur ata kërkonin ti jepnin bakshish, ky ia merrte, u hiqte qeleshen nga koka dhe jua fuste lekët nën qeleshe e duke ja vënë qeleshen i thoshte: bleja femijëve ndonjë send… Ai sillej shumë mirë me të sëmurët, por edhe me familjaret e tyre, i ndihmonte pleqtë duke ju mbajtur xhaketën, i mbante krahun dhe ngrihej i pari tua japë shkopin, dhe këtë e bënte jo për reklame apo për tu dukur, por se mbi të gjitha ishte njeri e pastaj mjek. Kam dëgjuar shumë pacientë të tij të thoshin…ai ishte shpirt njeriu… Gjatë gjithë kohës që kam jetuar pranë tyre, kanë qënë tepër të radha ditët kur Federiku nuk shfletonte libra mjeksorë. Kur kryente ndonjë operim të vështirë e të vecantë, pas buke, ulej dhe i përshkruante të gjithë veprimet në një fletore të posacme. …Shkruaj vetëm ato operacione, thoshte, që i bëj për herë të parë apo ato që patën dicka të vecantë… Biblioteka e tij personale qe e përqendruar në dy vende: në shtëpi dhe në dhomën e tij në spital. Librat i kishte kryesisht në dy gjuhë: në gjermanisht dhe në frengjisht, por kishte edhe në italisht. Në mes të librave vendoste fletushka të gjata me shënime: “Kryer ky operacion në 1948-ten në Tiranë”, “Operuar me sukses në Tiranë, me 1950-ten”, “kryer në Shkoder në 1945-sen”… Gjatë studimit të literaturës profesionale, nxirrte shënime në një fletore që e kishte kurdoherë me vehte. Aty shpesh bënte edhe skema duke përdorur lapsa me ngjyra. Cdo dy jave vinte në shtëpinë e tij një ish pacient nga biblioteka kombëtare dhe i sillte revista mjeksore në gjuhë të huaj. Tre vitet e fundit të jetës së tij, cdo të enjte shkonte që në mëngjes me bicikletë në sanatorium për të operuar të sëmuret nga bronket. Diten e enjte (kur kthehej heret) apo ditë të diele, lexonte literature artistike. Ai ishte i apasionuar pas Goethes, Heines dhe Viktor Hygoit, por krahas tyre, kisha parë të lexonte edhe poezi të Aleks Cacit e Llazar Siliqit, të cilin e kishte mik. Federikut i pëlqente shumë muzika, kryesisht muzika operistike e simfonike, por vecanërisht i pelqenin këngët shkodrane të kënduara nga Lucie Miloti e Xhevdet Hafizi. Njihte mirë kompozitorët e mëdhej si Verdi, Puçini, Rossini, Bahun, Mozartin, Vagnerin e Listin. Kam qënë shpesh me to në opera si Traviata, Rusalka, Ivan Susanin etj. Shpesh herë na u digjeshin biletat mbasi ai ose nuk vinte ose vinte me vonesë nga spitali. Në muajin maj të 1955-ses u caktua si anëtar i një delegacioni kulturor që do të shkonte në Moskë. Atje ai qëndroj mbi një muaj dhe gjatë kësaj kohe, kreu disa operacione në klinika të ndryshme dhe u cilesua nga specialistët atje si kirurgu me duar të arta. Kur u kthye, i tregonte me zell të madh ato që pa atje, tre shokeve të tij të afërt, Prof. Selaudin Bekteshit, Maksut Drrasës dhe Dhimiter Shytit. Një ditë të muajit gusht të vitit 1955-se, kur ishim në plazh në Hotel Hekurudha, nuk e ndjente vehten mirë dhe kur po delnim nga deti më tha: …mbaje mend Leko se unë do të vdes sivjet nga zemra… dhe ashtu ndodhi. Duke gdhirë 15 dhjetori, rreth orës 3 të mëngjesit dëgjova të shoqen që më thirrte me zë të lartë. Vajta te dhoma e tyre dhe pashë Federikun të zbehtë që me zor merrte frymë dhe me dorën e djathë mbi zemër. Familjarët e mi u nisën për të lajmëruar Dr. Mokinin dhe Feizi Hoxhën, të cilët rrinin jo larg shtëpis tonë. Pas 30 minutash erdhi Dr. Mokini, i cili pasi i dha ndihmën e parë duke i bërë një inxheksion, më përshpëriti vecmas …se Federiku ishte i mbaruar. Këto kujtime për Dr. Federikun më kanë mbetur të pashlyera dhe si fëmijë e kam konsideruar dhe do ta konsideroj gjithë jetën si prindin tim të dytë.”

Dekorimet dhe Vlerësime ndër vite

Dr. Shiroka u dekorua, nga Kryetari i Kryesisë së Presidiumit të Kuvendit Popullor Omer Nishani,  me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë, me dekretin Nr. 922, datë 5 shtator 1949, me motivacionin: I dalluar në mëndyrë të vecantë për punë të palodhur frytëdhënëse, për merita të cquara në aplikacionin e shkencave të mjeksisë, për cilësira të radha teknike, që me reultatet e mira të operacioneve dhe mjekimeve kanë kontribuar në shkallë të gjërë në përforcimin e shëndetit të popullit. (Gazeta Zyrtare e RPSH, 22 Shtator 1949, Nr 71).

Po ashtu, duke lexuar një shkrim të Zërit të Popullit, të ditës së martë 7 Shkurt 1955, vërehet që:..Në sallën e konferencës të Institutit të lartë mjeksor, në prani të ministrit Medar Shtylla e zv/ ministres, shoqes Vera Pojani, e cila foli për punën e palodhur të punonjësve të shëndetësisë u shpërndanë dekoratat që presidiumi i kuvendit popullor, i akordoj punonjësve të shëndetësisë të cilët u dekoruan me Urdhërin e Punës së Klasit të dytë. Në mes të 166 punonjësve të personelit që u vlerësuan ishin dhe mjekët: Dr. Fejzi Hoxha, Dr. Xhavit Gjata, Dr. Federik Shiroka, Dr. Selaudin Bekteshi…

Përvec dekoratave dhe urdhërave për punë të palodhur, (pa orar e që shpesh flinte në spital),  me rezultate të shkëlyeshme në të mirë të njerzve të thjeshtë, Dr. Shiroka punoj gjatë periudhave të ndryshme në qytete të ndryshëm. Ai ka qënë edhe drejtues i reparteve të kirurgjise, gjë që ja shtonte në masë të madhe detyrimin për tu impenjuar me energji të tjera, ne administrimin e cdo problemi që dilte në repart. Në një shkrim përmbledhës të vitit 1962, mbi zhvillimin e mjeksisë në Shqipëri, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Fakulteti i Mjeksisë, Katedra e Terapisë, me autor Prof. Fejzi Hoxhën, në kapitullin e 3-të shkruhet:…në vitin 1940, Dr. Federik Shiroka ishte Shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodres..(faqe 88)…, ndërsa në përshkrimin e Përsonelit të Spitalit të Tiranës, shkruhet që: …erdhi nga Vjena me kontrate Prof. H. Hocke, i cili punoj prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor, duke pasur si asistent Dr. Federik Shiroken…(faqe 93).

Me 1939, pak ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkoder…(faqe 107). Përsa i perket shërbimit të tij në spitalin e Shkodres, në dosjen përsonale  të Shirokës, egziston një dokument i lëshuar në Janar të 1950-ës nga Drejtori i Spitalit të Shkodres Dr. Tahsin Karagjozi ku shkruhet se:”…vërtetoj që Dr. Shiroka ka shërbyer pa nderprerje në Spitalin Civil të Shkodres me cilësinë e Kirurgut Primar, prej dates 1.12.1940 deri 7.4.1946-te”

Dr. Shiroka ishte qysh në vitin 1947, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në një njoftim  të ATSH-së të datës 27 dhjetor 1955-së shkruhet që: Ministria e Shëndetësisë, për të përjetuar kujtimin e kryekirurgut të vendit tonë (pas vdekjes) vendosi ti japë emrin dhe të paisë me bustin e Dr. Shirokes këto institucione:…Klinika Ospitaliere (pavioni i 14-të) që ishte drejtuar prej Dr. Shirokes, Sallës së Operacionit për klinikat e kirurgjisë në spitalin e përgjithshëm civil të Tiranës dhe auditorit për klinikat e kirurgjisë të Institutit të Lartë Mjeksor.

Në DISPENCEN E I, te Kirurgjise se Pergjihteshme, të fakultetit të mjeksisë në Univetsitetin e Tiranës, me autor Prof. P. Gacja, R. Golemi, V. Zogu, S. Dede…në faqen 25 – 29, mbi zhvillimin e kirurgjisë në vendin tonë, shkruhet: “…Një barrë të rëndë mbajten në shpatullat e tyre gjithashtu ata kirurgë të pakët që kishte vendi ynë atherë. Ndërmjet tyre vlen të përmendën Dr. Federik Shiroka si themeluesi i vertetë i kirurgjisë shkencore në vendin tonë. Ky ishte kirurg i talentuar me një përgatitje të mirë shkencore e teknike dhe me një diapazon të gjërë dijesh në  lëmin e kirurgjisë. Ai zotëronte mirë Kirurgjinë Abdominale, Urologjinë, dhe që ndër të parët që filloi kirurgjinë torakale në vendin tonë.”

Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Federik Shirokes, Seksioni i Shendëtësisë dhe Këshilli Shkencor i Shëndetësisë i Shkodres, në dhjetor të vitit 1985, organizoj në nder të tij, në sallën nr.1 të Institutit të lartë Pedagogjik, Sesionin Shkencor – MBI JETEN DHE VEPREN E DR FEDERIK SHIROKES.

Duke ju referuar revistave dhe gazetave të kohës, të 16-17 dhjetorit 1955 (Revistës Shëndetësia Popullore, Zëri i Popullit), në rastin e vdekjes së tij, i gjithë populli i Shkodres me dhimbje, nderim dhe respekt të thellë, e përcjelli Dr. Shiroken në varrezat e Rrmajit. Qindra telegrame ngushllimi i erdhën familjes nga të gjitha krahinat e vendit tonë, nga personalitete, por edhe nga njerëz të thjeshtë që kishin pasë kontakte dhe që e vlerësonin humbjen e një kirurgut të pashoq si ai.

Dëshëroj ta mbyllë shkrimin tim me fjalët e telegramit të ngushëllimit, që ministri i shëndetësisë i kohës Dr. Ibrahim Dervishi, i dërgoj familjes Shiroka me rastin e vdekjes së Dr. Shirokes:..”Me dhimbje të madhe marrim pjesë në hidhërimin tuaj,  për humbjen e papritur e të parakohëshme të birit tuaj dhe kolegut tonë të dashur Frederik. Vdekja e Dr. Frederik Shirokës është një humbje e madhe për shëndetësinë tonë popullore për të cilën ai punoj pa u lodhur duke shkrirë të gjitha forcat e tija mendore dhe fizike deri në momentin e fundit të jetës së tij…”

Si shumë intelektuale të tjerë edhe Dr. Federik Shiroken, regjimi  komunist e përdori, e shantazhoj, e demaskoj si “antisovjetik”, e kërcënoj me burg, duke i shkaktuar një mbingarkesë psiqike (pas stërmudimit të punës pa orar), deri sa zemra i pushoj së rrahuri…, për ta mbuluar më pas me fjalë të bukura (si ato më sipër)…  Kjo ishte mëndyra që diktatura komuniste trajtonte qytetarët e intelektualët e vet… PASI I VRISTE NATEN, I QANTE  DITEN. Uroj dhe shpresoj që ky gjykim të mos vazhdojë edhe nga politikanët e sotëm të cilët po e nëncmojnë krejtësisht figurën e burrit që shpëtoj jetë njerzore e që i gjithë populli e mban për NDERI I KOMBIT.

Me, 7 mars 2017

Redaksia Online

l.q/Shqiptarja.com

http://shqiptarja.com/m/dossier/dr–federik-shiroka-kur-diktatura–te-vriste-naten-dhe-te-qante-diten—-407111.html