Dorëshkrimi i veprës “Këngët e Milosaos” i Jeronim De Radës është blerë 3 milionë lireta

TIRANE,22 Qershor /ATSH/ – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një procesverbal të vitit 1952, ku merret në dorëzim arkivi i Jeronim De Radës; çmimet, fletët nga dorëshkrimi i veprës “Këngët e Milosaos”. Materialet i kanë kushtuar qeverisë shqiptare 3 milionë lireta.

Një “urdhën-ngarkimi”, me numër protokolli 18, drejtuar nga Instituti i Shkencave, seksioni i historisë, na njofton për një listë “materialesh” që në llogaritje të fundit shkon mbi 3 milionë lireta.

Bëhet fjalë për arkivën e Jeronim De Radës e publikuar dje për herë të parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit. Është dokument origjinal ku shënohet se blerja është kryer në vitin 1952 dhe përmban këto materiale të shënuara në dokument: vepra materiale letrare të De Radës, valixhe, arkë, bileta, transportimi me tren Cosenza- Romë, hamallëke, dhe nënshkrimi i fundit, të ndryshme.

Si duket pjesa më e madhe i përket veprës në dorëshkrim të poetit, dhe çmimi prej 3 milionë lireta është paguar nga qeveria shqiptare në ’52. Sipas njoftimit të Arkivit, ky fond që ruhet me emrin “Jeronim De Rada”, është i disponueshëm për t’u shërbyer në sallën e studimit të AQSH. Në fotografitë e publikuar janë: procesverbali i marrjes në dorëzim të arkivit të Jeronim De Radës, ku përmenden edhe kostot e blerjes dhe të transportit, dhe fletë nga dorëshkrimi i veprës “Këngët e Milosaos”. Jeronim De Reda u lind në vitin 1814 në Maki të Kalabrisë, mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitri Koronës.

Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve ‘60 të shek. XIX. Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.

Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprën Lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri.

Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri i Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve. /Adela Alla/a.g/