Dora D’Istria dhe çështja kombëtare shqiptare

Kjo familje, që i ka dhënë prej dy shekujsh e këtej njëmbëdhjetë princër Vllahisë dhe Moldavisë, nuk e ka harruar për asnjë çast prejardhjen e saj shqiptare dhe me të drejtë historia e familjes Gjika, botuar kohët e fundit (Gjenevë, 1864) ngul këmbë për vazhdimësinë e karakterit shqiptar te Gjikajt… Gjikajt dhe përpara tyre, Vasil Shqiptari, kanë ushtruar një ndikim aq të madh.

Ashtu si ju edhe unë shpresoj që dita e çlirimit do të vijë për tokën e lavdishme, ku kanë lindur etërit tanë, ashtu siç erdhi për Serbinë dhe për Greqinë. U bie për detyrë shqiptarëve, këta trima të pashokë, të zgjidhin çështjen më të vështirë të kohës moderne, çështjen e Lindjes. Por për të mos derdhur kot gjakun e tyre, para se të ndërmerrni çfarëdo hapi, është e domosdoshme që ata të merren vesh midis tyre, t’i harrojnë përçarjet mizore të shkaktuara nga ndryshimi i besimeve, nga lufta e paprerë midis fiseve, që të mos ketë më as gegë, as toskë, as lebër, as çamë, por vetëm bij të devotshëm të të njëjti atdhe, të gatshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh, të Pirros, dhe të Skënderbeut.

… sovranët e racës sonë, që nga Vasil Shqiptari, deri tek Gregori III, Gjika i Moldavisë dhe Gregori IV, Gjika i Vllahisë, nuk kanë munguar të veprojnë me energjinë e madhe që karakterizonte stërgjyshërit tanë. Nga ana tjetër si në Stamboll, ashtu edhe në brigjet e Nilit, vezirët e mëdhenj shqiptarë dhe familja e Mehmet Aliut, i treguan botës se nuk donin t’ia dinin nga veprimet e mërzitshme të Sulltanit.

Faktet e shkëlqyera duhet të na mbushin me shpresa për të ardhmen e Shqipërisë. Që nga fillimi i këtij shekulli, vendlindja e Skënderbeut ka nxjerrë një legjion të tërë trimash dhe trimëreshash: Xhavellët, Grivasët, Boçarët, Moskojt dhe Dhesprotët. Në udhëtimin tim të fundit në vendet e Lindjes, unë gjeta njërën nga vajzat e heroit Marko Boçari në Specia, kam vizituar shtëpinë e familjes Bubulina. Duke vendosur lule mbi varrin e Boçarit në Mesolongji, i lutesha qiellit që të shihja një ditë të valëvitej mbi varrin e Kastriotit të madh flamuri, që ai ka mbrojtur me lavdi në njëqind beteja. Uroj që kjo dëshirë të plotësohet!

Një popull si yni s’ka se si të humbasë. Mua më pëlqen të besoj se nuk do të vdesim para se ta shohim atdheun tonë të lirë nga sundimi osman.

Keni të drejtë kur thoni që kryesorja është të mos shpejtohet asgjë në Shqipëri. Së Pari, duhet zgjuar ndjenja e bashkimit në shkallë kombëtare. Pa e zhvilluar plotësisht këtë ndjenjë, nuk duhet ndërmarrë asnjë hap përfundimtar, sepse shqiptarët mund të shfrytëzohen për interesa që nuk janë të tyre. Trimëria e tyre u jep të drejtën të luajnë rolin kryesor në gadishullin lindor. Por fryma fisnore, ende më e fortë se fryma kombëtare, mund të ushqejë tek ata iluzione të rrezikshme. Prandaj, para se të fillojnë luftën e fundit, ata duhet të harrojnë mosmarrëveshjet shekullore që kanë ndarë toskët dhe gegët, bij të po atij atdheu, sepse kjo është rruga që u siguron pavarësinë e vendit.

Me sa duket, zotëri, ju trembeni nga fakti se bashkësia fetare mund t’u lejojë italianëve t’i shfrytëzojnë në interes të tyre shqiptarët e Veriut dhe grekëve shqiptarët e Jugut. Pa dyshim, në politikë ekziston gjithmonë rreziku të bëhesh vegël e ambicieve të huaja. … Por energjia e natyrshme e popullatave shqiptare, energji që nuk përjashton llogarinë, më duket se i mbron ato më tepër se të tjerët nga një rrezik i tillë. Nuk duhet të lejojmë askënd të na gllabërojë, por as edhe të izolohemi sistematikisht.

Me aq sa mund të gjykohej nga larg, shkrimi i La Nationalité albanaise ka bërë një përshtypje shumë të mirë. Për sa del në artikullin e botuar në “Illustrierte Zeitung”, organ shtypi shumë i përhapur, mund të thuhet se gjermanët po e shohin më në fund se shqiptarëve u është caktuar një rol tepër i rëndësishëm në Lindje. Në një korrespondencë të “Indipendence Belge”, gazetë e shkruar frëngjisht, që njeh një përhapje shumë të madhe, jepen hollësira edhe më kuptimplote. Ky organ thotë se grekët kanë tani vetëm një shqetësim, nuk dinë se ç’qëndrim do të mbajnë shqiptarët. Ajo shton se ndjenja e bashkimit kombëtar duket se po ringjallet te ky popull trim. Shqiptarët myslimanë kanë filluar të mbajnë një qëndrim armiqësor ndaj turqve. Në këto kushte, përfundon artikulli, Turqia ndodhet në një gjendje të mjerueshme, bile Azia e Vogël ka qenë mësuar të dridhet para shqiptarëve, trimëria e të cilëve ka mbetur ajo që ka qenë në kohën e Skënderbeut.

Thuhet se në ishullin e Kretës myslimanët ankohen bashkarisht me të krishterët dhe nuk e harrojnë bashkësinë e prejardhjes. Kjo lëvizje në rast se vazhdon të përforcohet, do të jetë shpëtimi i Shqipërisë, ku luftërat fetare i kanë penguar deri tani bijtë e të njëjtit atdhe të konsiderohen si vëllezër dhe të trajtojnë njëri tjetrin si të tillë.

Ju keni të drejtë kur thoni që pozita e shkëlqyer, që gëzojnë shqiptarët myslimanë në Turqi, nuk ka se si t’i shtyjë ata të dëshirojnë një ndryshim të situatës. Edhe sot e kësaj dite një plak i racës sonë, Mustafa pasha, është në Kretë arbitër i situatës. E vetmja mënyrë për të kapërcyer këtë vështirësi është zgjimi i ndjenjës së bashkimit kombëtar në shpirtin e myslimanëve të Shqipërisë dhe bindja e tyre që, si bij të një populli luftarak, të kenë gjithnjë epërsinë, në mes të popullsive të tjera (me përjashtim të serbëve), kujdesi i tepruar i të cilëve i ngjet shumë pak trimërisë shqiptare.

Sipas mendimit tim, puna duhet filluar së pari me gegët dhe jo me tri krahinat e tjera. (Toskëria, Labëria dhe Çamëria, sipas ndarjes që i bënte Thimi Mitko Shqipërisë në një nga letrat e dërguar De Radës). Shumica e gegëve, që i shohin me mosbesim anëtarët e kishës greke, për shkak të luftërave shekullore kundër sllavëve të Malit të Zi, merreshin vesh më mirë me të krishterët e ritit latin, siç janë shqiptarët e Italisë. Përveç kësaj, peshkopët dhe priftërinjtë e tyre të dërguar nga Austria ose të ardhur nga Italia, kanë përhapur gjuhën italiane në Gegëri. Për më tepër kjo është një lidhje tjetër dhe një mjet komunikimi mjaft i vyer midis tyre dhe jush, aq më tepër që shumëllojshmëria e dialekteve përfaqëson një nga pengesat serioze, të cilat ndajnë katër Shqipëritë.

… përpjekjet që do të bëjnë shqiptarët për të krijuar bashkimin e tyre intelektual, shkencor e moral, që është baza e bashkimit politik. Për ata që do të kryejnë këtë vepër do të hedhin themelet e patundura të Shqipërisë së ardhshme.

… shqiptarët myslimanë ta kuptojnë njëherë e mirë se rrethanat e vështira që i detyruan etërit e tyre të heqin dorë nga ungjilli, kanë ndryshuar krejtësisht. Prandaj bijtë e tyre nuk janë aspak të detyruar të vazhdojnë në rrugën që i ka shkaktuar kaq fatkeqësi çështjes kombëtare dhe të mbarë Evropës. Emri popullor dhe i lavdishëm i Skënderbeut do të provonte se të gjithë duhet të vënë interesat e atdheut shqiptar mbi çdo lloj interesi tjetër.

Ditën kur Shqipëria jonë do të ketë aq bujq sa ka ushtarë, ajo do të bëhet vëndi i parë në Lindje. Çdo komb që dëshiron të jetë i fortë dhe i madh duhet të ketë cincinatusit e vetë. Uashingtoni i madh u kthye në tokat e tij, mbasi krijoi shtetin më të begatshëm të botës së re.

Meqë plaga e vendit është përçarja dhe fryma e fisit, puna më e ngutshme është që të krijohen institucionet letrare, aq sa lejojnë rrethanat për organizimin e tyre. Këto institucione, duke mos mundur akoma të jenë politike, duhet të marrin një formë letrare dhe të jenë në dukje të padëmshme për turqit. I pari nga këto institucione do të ishte një Shoqatë letrare, e cila do të merrej me kërkimin e të gjitha monumenteve kulturore të Shqipërisë: këngët popullore, dorëshkrimet, kronikat etj. Pa zënë në gojë letërsinë popullore, këtë thesar të pashtershëm të traditave kombëtare, po vë në dukje se monumentet e letërsisë, dikur të lulëzuar, janë hallakatur nga turqit në kohën e komplotit të madh, të organizuar nga peshkopë shqiptarë të Gegërisë dhe të ndjekjeve të tmerrshme, që e detyruan peshkopin dijetar të Prizrenit, Bogdanin, të kërkonte strehim në Raguzë, pa mundur të merrte me vete dorëshkrimet e tij të çmuara, që ranë në duart e osmanëve. Krijimi i një shoqate letrare është pra krejtësisht i justifikueshëm.

Por duke qenë se anëtarët e kësaj shoqate, pasi të kenë shtrirë veprimtarinë e rrjetit të saj në të katër krahinat shqiptare, kanë për të ardhur nga kolonitë, që përfaqësojnë pjesën më të përparuar të kombit, parrulla që ajo do të zbatojë pa qenë nevoja të kuptojë gjithnjë përmbajtjen e tyre, atëherë lind nevoja e themelimit të një Akademie shqiptare në Kalabri. Detyra e saj, në shembullin e Akademisë Franceze të Risheljësë, do të jetë hartimi i Fjalorit Kombëtar. Ajo do të përpiqet të bëhet shpirti i popullit shqiptar, duke synuar që t’i frymëzojë atij pa pushim frymën e bashkimit, e cila është e vetmja gjë që mund të shërojë plagët e tij shekullore.

Anëtarët e akademisë duhet të jenë me prejardhje shqiptare. Mbasi të jetë themeluar me pëlqimin e anëtarëve kryesorë të kolonive dhe t’u ketë lëshuar akademikëve një diplomë, akademia do të plotësohet me anë të zgjedhjeve.

Por, meqë është shumë e rëndësishme që të ngjallet interesimi i shkrimtarëve të huaj për zhvillimin dhe të ardhmen e kombësisë shqiptare, akademia duhet të zgjedhë anëtarë korrespondentë nga radhët e dijetarëve që merren me historinë e letërsinë shqipe. Por kjo nuk do të thotë se këta të fundit gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në vendimet e akademisë.

Akademia duhet të ketë një kryetar dhe një sekretar, që do të zgjidhen vit për vit dhe do të gëzojnë të drejtën e rizgjedhjes. I pari do të drejtojë punimet dhe diskutimet e saj, kurse i dyti botimet.

Nuk duhet harruar që Shoqata letrare, kjo hallkë e akademisë, do të hasë që në hapat e saj të para në dy pengesa: sllavët në Veri dhe rumunët në Jug.

Sa për sllavët, kudo që janë në kontakt me pellazgët, janë asimiluar prej këtyre të fundit në sajë të prestigjit të tyre si racë superiore. Sllavët e Peloponezit u asimiluan nga grekët dhe vet princi i Serbisë më ka thënë se rumunët e vendosur në shtetet e tij kanë ushtruar të njëjtin veprim. Pse shqiptarët e Veriut (gegët) janë të vetmit pellazgë, që rrezikohen gjithnjë e më tepër nga sllavizimi? Sepse qysh prej persekutimit të fundit, aq të kobshëm për qytetërimin shqiptar, nuk kanë mundur të organizojnë një letërsi dhe shkolla kombëtare, sepse kanë peshkopë të huaj dhe nuk i kundërvënë veprimit të huaj asnjë rezistencë.