Donald Trump kërkon të “vrasë” ëndrrën amerikane, plan për anullimin e Lotarisë

Ardhja në krye të Shtëpisë së Bardhe e miliarderit Donald Trump ka përhapur panik ndër grupimet e emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të cilët janë ndier të rrezikuar nga riatdhesimi. Dhe në fakt administrata e re ka forcuar rregullat e emigracionit drejt këtij vendi madje ka nisur edhe riatdhesime. Kjo pasi Trump shikon tek emigrantët rrezikun nga sulmet terroriste por edhe zënien e endeve të punës që sipas tij duhet t’i takojnë amerikanëve.

Mes rregullave anti-emigracion të menduara ka qenë edhe anullimi i Lotarisë Amerikane. Fillimisht është folur për reduktim të përfituesve, por ka pasur edhe ide për anulim total, plan i cili po mendohet seriozisht nga Trump pas sulmit në Nju Jork ku u vranë 8 persona nga një emigrant uzbek.

Përmes një postimi në Twitter, Trump shpreh edhe njëherë mendimin e tij se nga lotaria mbërrijnë edhe njerësz me prirje radikale. “Terroristët vijnë në vendin tonë nga e ashtuquajtura “Diversity Visa Lottery Program”, shkruan Trump.

Lotaria amerikane zakonisht nis rreth muajit tetor dhe zgjat për rreth një muaj, e Ambasada amerikane në Tiranë gjithnjë ka bërë thirrje që aplikantët të mos e lënë për në ditët e fundit aplikimin, pasi ndodh që ngarkohen serverat dhe mund të mos merren në konsideratë aplikimet e vonshme.

Një defekt në serverat e lotarisë bëri që programi i diversitetit për vitin 2018 të mbyllej për pak kohë dhe të riniste, por tashmë, pas 8 viktimave të shënuar mbrëmjen e djeshme në Nju Jork nga uzbekistanasi që drejtoi kamionçinën e tij drejt këmbësorëve dhe çiklistëve, bën që administrata “Trump” të marrë në konsideratë mbylljen e lotarisë.
Ky është një lajm i keq për mijëra shqiptarë të cilët shohin pak shpresë tek lotaria për “ëndrrën amerikane”./a.m.