Dom Zef Gila, meshtari i devotshëm, ai që kumtonte: “Mos me jetue vetëm për vedi, por me i vleftë edhe të tjerëve”

Sikurse pjesa dermuese e klerikëve katolikë, edhe Dom Zef Gilaj e ndoqi me perpikmenî rregullin e shprehun prej latinëve: “Non sibi soli vivere, sed aliis proficere.”, qi, në shqip, don me thânë: “Mos me jetue vetëm për vedi, por me i vleftë edhe të tjerëve”. Dom Zef Gilaj leu me 19 korrik 1916[1], në nji familje malësore, në Vrith të Shkrelit, prej Prendash Markut e Ndoce Pjetrit. Me 23 korrik u pagëzue në kishën famullitare të Shkrelit, prej Dom Frano Karmës. Nûn e nûnë për tê kjenë Gjokë Deda e Lukja e Gjokë Dedës.

Shêmbulli mâ i parë i mirë qi i dha i ati, ishte zelli e kâmbëngulja për punë, për nji punë të ndershme, me djersë të ballit. E âma, mbas vdekjes së të shoqit, me guxim e me vullnet, mori në dorë drejtimin e familjes të cilën nuk e la me ra as ekonomikisht, as moralisht, por e mbajti të bashkueme, të fortë e me bekim… Kjo gjâ ndikoi shumë në formimin e karakterit të Zefit të vogël.

Familja e Dom Zefit kishte prona edhe në Razem. E atje delte gjatë verës edhe ai. Ndër lojnat e ndryshme të fëmijënisë, bante pjesë edhe loja e tij fort e dashtun me boça pishash: Ai rreshtonte në tokë dymbëdhetë boça, qi për tê ishin  dymbëdhetë apostujt e Krishtit; vetë veshte nji përparëse të bardhë, qi ia lypte nânë Ndoces, për t’i përngjasue priftit, e fillonte të thonte meshë, si nji Krisht i vogel, por vedja i dukej si nji Krisht i madh…

Në Razem, në ato vjet, kishte ardhë për të verue (për shëndet) edhe Emzot Lazer Mjedja, Kryeipeshkvi i Shkodrës, i cili vuente prej sëmundjes së mushknive. Atje delte edhe i vëllau, Dom Ndré Mjedja, qi e mësonte Zefin e vogël me ndihmue priftin në meshë.

Kur Kryeipeshkvi, Dom Lazer Mjedja, donte me çue ndonji letër në kishën famullitare të Shkrelit, ku ishte famullitar Dom Ndré Zadêja, ia jepte Zefit e ai fluturonte… Tue pa te Zefi i vogel nji fëmijë posaçe të tjerëve, Emzot Mjedja u kërkoi prindve të tij t’ia jepshin për ta pregaditë për prift. Prindët pranuen e kështu, me 1925, Zefi, i shoqnuem prej Dom Ndré Zadêjës, filloi shkollën fillore ndër jezuitë, por banonte në Arqipeshkvi. Për tê kujdesej drejtëpërdrejt vetë Kryeipeshkvi. Âsht për t’u vû në dukje këtu nji fakt qi na e kallëzonte vetë Dom Zefi: Dom Lazri (kryeipeshkvi) i kishte varë në mur, te kryet e shtratit, nji palë tesha malësore e i kishte pasë thânë Dom Zefit: “Shikjo, sillu mirë e xên mirë, se, përndryshe, të veshi njato tesha e të nisi në shpi!”…Por Dom Zefi nuk i veshi kurrë mâ ato rroba, sadoqi i admiroi e i vlerësoi për tânë jetën e tij të gjatë…

Ai u dà në shêj per urtì, për squetësì e zotësì në çdo gjâ. Mbrênda nji vjeti kreu dy klasë: të paren e të dyten. Të treten e bani veçmas, kurse, prapë, të katerten e të pesten i kreu në nji vjet. Në klasë të gjashtë (vjeti i parë i gjimnazit), filloi latinishten. Kur ishte në klasë të shtatë (e dyta gjimnaz), në dimën, ra nji grip i fortë e i rândë e, me urdhen të eprorëve, u mbyllën të gjitha shkollat për nji muej. Dom Zefi, bashkë me nji shok klase, morën programin e vjetit të tetë, studiuen me kâmbëngulje, dhanë provimet e morën klasën. Qysh në të dytën gjimnaz, ai pati fillue të nxênte frângjishten, me nji mësues prej Belgjike. Në gjimnaz, krahas latinishtes e greqishtes së vjetër, studion edhe italishten. Pra, mbasi kreu gjimnazin, me rezultate të nâlta, Zefi ynë, veç të tjerash, e kishte hijeshue menden me kater gjuhë të hueja.

Në vjetin 1935 shkon për studime të nâlta, në Universitetin Urbanian të Propagandës Fide, në Romë, në Kolegjin “Alma Mater”, ku punon shumë ndër të gjitha disiplinat, por shquhet për zotnimin e gjuhëve të hueja, aq sa, pothuej përherë, e ngarkojnë me shoqnue bashkëstudentë të huej të tjerë, për të bâ punën e përkthyesit, “…tue u spjegue atyne, në gjuhët përkatëse, bukuritë artistike të Urbës (Romës, -P.Rr.) e të Italisë”, siç shkruen vetë Dom Zefi. Âsht për t’u theksue se ai përvetësoi shkëlqyeshëm (me të folun e me të shkruem) edhe kater gjuhë të tjera të hueja: gjermanishten, anglishten, serbo-kroatishten e spanjishten.

Në kohën e studimeve në Romë kryen nji vjet pregaditje, dy vjet filozofi e kater vjet teologji e merr liçencën me cilësimin “Magna cum laude”.

Mbasi kryen studimet, gjatë të cilave u nderue me shumë medalje, me  24 shtator 1941, shugurohet meshtar[5] në Romë, prej Papës Piu XII, i cili i bani familjes së Dom Zefit nji urim-bekim me shkrim, në formën e nji diplome historike. Siç na kallëzonte vetë Dom Zefi, ky bekim ruhej në Vatikan e kishte, pak a shumë, këtë përmbajtje: “Bekue kjoftë familja e Prendash Markut qi nxori prej gjinit të vet nji njeri të shêjtë…”. (Âsht shkrue me bojë të kuqe; ka nji foto ku dallohet Papa tue dhânë bekimin e, në fund, dallohet vula e firma). Dom Zefi çon meshën e parë në Katedralen e Shën Pjetrit në Romë.

Po në shtator 1941 vjen në Shqipni, në Kryeipeshkvinë e Shkodrës. Meshën e parë në atdhe, e celebron në kishën e Beltojës, ku ishin mbledhë ushtarë të nji reparti ushtarak italian e popull vendas.

Kur, mbas shugurimit, kthehet në vendlindje, si prifti i parë qi kishte nxjerrë Shkreli, e presin me nderime e me dhurata, vendas e shkodranë, si: Salvator Kurti, Loro Shkreli, Pjetër Çurçia, Tefë Pogu, Sandër Pistulli, Zef Kurti, Lec Çoba (deputet), Age Kaçulini etj. Gjeto Mark Kaçi e Age Dashja kanë sjellë ka nji dash e pare mjaft.

Dom Ndré Mjedja, mësuesi i Dom Zefit, e kishte lânë me gojë qi Dom Zef  Gilaj të xênte vendin e tij, në Kukël e, kështu, po me 1941 u êmnue famullitar në Kukel[6], tue i ngarkue edhe Malin e Jushit.

Në këto vjete, në Shqipni kishin fillue trazina të mëdha. Në njênen anë pushtuesit e huej (italianë e gjermanë) e n’anë tjetër komunizmi, e kishin bâ të pasigurtë jetën e shqiptarëve.

Në maj 1944, nësa ishte në Kukël, në Barbullush, nji katund pranë, ndodh nji ngjarje e rândë: Nji barbullushas mysliman vret, për motive krejt banale, nji oficer gjerman e, prej frige, ia mbath. Komanda gjermane mbledhë gjithë popullin, e hjedhë në rrugë e e vên përpara grykave të mitralozave. Simbas ligjeve të rrepta të ushtrisë gjermane të asaj kohe, duhej të vriteshin 100 vetë për nji ushtar e 200 për nji oficer… Me kênë se Dom Zefi dinte gjermanisht, çojnë e e thërrasin e ai s’vonon e vjen. Mbasi kryen salikimet e rastit për gjermanin e vdekun, i drejtohet oficerit epror, tue arsyetue hollë e me durim e tue iu lutë Zojës, derisa, mâ në fund, e bind t’i lirojë katundarët e Barbullushit.

Me 1949 Dom Zefi caktohet famullitar në Barbullush ku shërben deri në vjetin tjetër (1950) prej kah arrestohet e e mbajnë për nji vjet në hetuesi, në Shkodër, nën tortura e vuejtje. Mandej, regjimi komunist e internon, për katër vjet, ndër kampe përqendrimi: në Tepelenë, në Vlonë e në Tiranë, prej kah lirohet e në fund të vjetit 1954 shkon si famullitar në Trush, ku shërben për mâ se dy vjet.

Me 1957 vjen si prift famullitar në Rranxa të Bushatit, ku zavendëson Dom Mëhill Çunin e ku do të shërbejë me devocion e gadishmëni për dhetë vjet, derisa, me 17 mars 1967, kje dëbue prej shtetit komunist…

Për Dom Mëhillin, birin e Rranxave, Dom Zefi ka pasë shumë respekt, si prift i vjetër, si njeri burrnor e si vêndas. Dom Mëhilli e ka këshillue, ndihmue e përkrahë fort Dom Zefin.

Dom Zefi ka pasë miqësi të mirë edhe me birin tjetër të Rranxave, ish-seminaristin martir Mark Çuni.

Mbas mbylljes së kishave, për nji periudhë prej 24 vjetësh, punoi si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Shkodër, ku shpeshherë bani edhe punën e përkthyesit të manualeve teknike e ushtarake. Banonte në nji bodrûm të ftohtë, plot lagështinë e errrësinë[8], bashkë me motrat murgesha: Gjyste e Mikelinë, qi i shërbyen gjithkah shkoi. Edhe pse në kushte tejet të vështira, mshehtas, kryente shërbesa fetare.

Me ramjen e komunizmit e me fitoren e lirisë, vjen prapë për të shërbye (për 10 vjet) në mes të popullit të Famullisë së Shna Rrokut, me seli në Kishën e Shën Nikollës në Rranxa, derisa mbyll sytë përgjithmonë me 29 mars 2000. Me 30 mars, arkivoli me trupin e Dom Zefit u vû pranë elterit të kishës së Rranxave, ku iu banë nderime prej popullit të famullisë së Shna Rrokut e të katundeve të tjera.

Me 31 mars, në prani të shumë e shumë njerëzve të Famullisë së Shna Rrokut etj., si edhe të vendlindjes së tij[9], u celebrue mesha nën drejtimin e Arqipeshkvit të Shkodrës, Emzot Angjelo Masafrës. Predkun, me këtë rast, e mbajti Emzot Zef Simoni[10], me nji pjesë të të cilit po më pëlqen ta mbylli këtë jetëshkrim të shkurtë të nji jete e vepre të gjatë e të madhe: “Lum ata qi vdesin në Tenzonë!” – thotë Shkrimi i Shêjtë. Edhe pak po erret e hijet e natës mbulojnë male e kodra, fusha e qytete e trupin tând po e shtîjmë në dhé, po në këto vorre shêjte, në mes të këtyne kryqave të bekuem, qi janë shpresë e siguri për të ngjallunit e njerëzimit, edhe të trupit tând…. Pushofsh në paqe!”

   * * * *

Familjes së shêjtë, Zotynë i pati caktue nji babë të devotshëm: Sh’ Jozefin. Kjo familje, tash dymijë vjet, u bâ shembull për të gjitha familjet e krishtêna, të vogla e të mëdha (përfshî këtu edhe bashkësitë famullitare).

Edhe familjes sonë të madhe, Famullisë së Shna Rrokut, Zoti i caktoi për babë nji Jozef shqiptar, Dom Zef  Gilen.

Në të vërtetë, Dom Zefi leu e u bâ nândë vjeç në nji familje të thjeshtë të Shkrelit, ku u rrit me bekim e me uratë, nën shembullin e mirë të prindve të vet e të priftit e mësuesit të tij, Dom Ndré Zadêjës. Por familja e tij e përhershme do të ishin besimtarët e famullisë së Kuklit (në fillim) e ata të Bushatit (deri në vdekje). Aq i lidhun ishte Dom Zefi me famullinë e vet, sa e la me gojë qi të vorrosej në vorret e Kishës së Shna Rrokut… E ashtu u bâ. Përgjithherë qi na shkojmë në atë vend të shêjtë, çojmë lule te vorri i tij e lutemi: PUSHOFTË NË PAQE!

ASHTU KJOFTË!

Palokë Rrotani