Dokumenti sekret 1973: Fadil Paçrami kapadai, po i ndërton Kadaresë një apartament special!

Gazeta TemA ka publikuar sot një dokument arkivor me raportin sekret të vitit 1973 drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe personalisht, Ramiz Alisë, ku sekretari i Komitetit të Partisë i Rajonit nr. 1 në Tiranë, Xhabir Maxhelaku, informon udhëheqjen e lartë lidhur me një raport të inspektoriatit shtetëror për apartamentin special që po i ndërtohej shkrimtarit Ismail Kadare tek pallati në fillim të Rrugës së Dibrës

Nga Dashnor Kaloçi

Apartamenti ne pallatin që ndodhet në fillim të Rrugës së Dibrës ku ka banuar që nga viti 1973 shkrimtari i njohur me famë botërore, Ismail Kadare, siç dihet prej disa kohësh me nismën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është duke u kthyer në një muze, ku turistë të shumtë vëndas dhe të huaj do kenë mundësinë ta vizitojnë dhe të shikojnë se ku ka banuar dhe punuar një nga shkrimtarët më të njohur sot në botë.

Ky pallat i ideuar dhe projektuar nga arkiteki dhe piktori i njohur, Maks Velo, që në atë kohë u bë problem deri në instancat më të larta shtetërore të regjimit komunist, jo vetëm apër autorin realizues, por edhe për shkrimtarin e njohur. Kjo gjë veç të tjerash pasqyrohet edhe në librin “Kadare në dokumentet e Pallatit të Endrrave”, të gazetarit dhe studjuesit të njohur, Dashnor Kaloçi, nga i cili kemi përzgjedhur këtë kapitull që po e publikojmë në këtë shkrim me lejen e autorit.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………

Pjesë nga libri i Kaloçit, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Enddrave”

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit dhe që mban datën 25 prill të vitit 1973, është një përmbledhje apo më saktë rezyme e nxjerrë nga mbledhjet e ndryshme që janë bërë deri në atë periudhë kohe, në të gjitha organizate bazë të partisë dhe ato të kolektivave të ndërmarrjeve të prodhimit e institucioneve kulturore, artistike etj, të cilat po zhvilloheshin sipas porosisë së dhënë nga Komiteti Qendror i PPSH-së, për të diskutuar lidhur me “çështjen Fadil Paçrami”.

Dokumenti mban emrin dhe firmën e Xhabir Maxhelaku, i cili asokohe ishte sekretar i Komitetit të Partisë së Rajonit nr. 1 në Tiranë dhe aty janë përmbledhur vetëm mbledhjet e atyre organizatave të partisë, ndërmarrjeve të prodhimit, apo institucione artistike, kulturore etj. që kishte nën vartësi apo “juridiksion” Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 1 që ai drejtonte në rrugë partie.

Dhe nga fillimi e deri në fund të këtij dokumenti, gjithçka përmblidhet rreth “çështjes Fadil Paçrami”, të cilin në atë kohë Partia, apo më saktë, Enver Hoxha e kishte vënë në shënjestër të sulmeve, akuzave, e goditjes, duke e bërë fajtor për të gjitha problemet që kishin dalë deri në atë kohë në art, kulturë, letërsi etj. etj. Dhe në këto kontekst të logjikës së zhvillimit të ngjarjeve, gjë, e cila del nga ky dokument, apo dhe të tjerë që do të shohim në vijim të këtij libri, të gjithë, në çdo

mbledhje, janë vënë “për ta shqyer” Fadil Paçramin. I cili për hir të së vërtetës duhet thënë se ka pasur prirje dhe ka shfaqur tendenca të frymës liberale në sektorin që mbulonte, si dhe ka zbutur luftën e klasave, duke ndihmuar mjaft nga ato që asokohe konsideroheshin “me probleme biografike”, apo “reaksionarë”.

Mirëpo kjo gjë, është “kapur” nga Partia dhe Enver Hoxha në atë kohë, e me shumë gjasa është bërë shkaku kryesor për goditjen dhe eliminimin e tij. Ndërmjet shumë emrave që përmenden në dokumentin në fjalë, si dhe “gjynaheve” të Fadil Paçramit, është dhe ai që ka lidhje me shkrimtarin Ismail Kadare, për të cilin thuhet se në atë kohë po i ndërtohej një apartament enkas e me porosi, dhe ajo gjë i bëhej me urdhër të Fadil Paçramit?!

Gjë e cila për në atë kohë, vërtetë përbënte një problem shumë të madh, pasi Partia, e cila propagandonte me të madhe barazinë midis njerëzve, kurrsesi nuk bënte dallime të tilla…?! Ky problem, pra puna e apartamentit të tij te “Rruga e Dibrës”, do të jetë “objekt diskutimi” edhe në disa dokumente të tjera në vijim të këtij libri. Ndërsa dihet tashmë se Kadare vërtet e ka poseduar një apartament të atillë (shtëpia ku ka banuar deri në vitin 2002, në qendër të Tiranës, fillimi i Rrugës së Dibrës), por ajo që nuk dihet publikisht, është e vërteta rreth akuzës që i bëhet lidhur me këtë problem. Ashtu si dhe dokumentet e tjera, edhe ky botohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

INFORMACION MBI KRITIKAT E BERA NE ADRESE TE FADIL PAÇRAMIT

Nga informacionet që ka Komiteti i Partisë mbi zgjedhjet e reja në parti, nga mbledhjet e zhvilluara për të punuar fjalimet e fundit të shokut Enver Hoxha si dhe nga punimet e konferencës së V-të të partisë të rajonit nr.1 në adresë të Fadil Paçramit dalin këto gjëra.

Shoku Mantho Bala, gjatë diskutimit në konferencë midis të tjerash tha: “Si sekretar i Komitetit Partisë të Tiranës për propagandën, ai ka menduar vendimet dhe dokumentet e partisë dhe mësimet e shokut Enver për kulturën dhe artin dhe zhvilloi kursin e vet të rrezikshëm liberal dhe oportunist të djathtë, gjë që i hapi shtigje shumë ndikimeve të huaja, si në krijimtarinë letrare dhe artistike, ashtu dhe në interpretimin dhe ekzekutim. Duke ushtruar një ndikim të fortë në disa kuadro të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe të shtypit letrar si dhe në drejtuesit e disa institucioneve artistike etj. ai mundi të paraprijë lloj-lloj teorizimesh, që përligjin shfaqjet e huaja borgjeze e revizioniste në kultura e art. Veprimet e tij liberale dhe oportuniste dalë ngadalë nisën të kristalizoheshin në praktikën e punës dhe kuptohet sesa larg do të shkonte po të mos i thuhej “ndal” nga partia e shoku Enver. Organizata dhe kolektivi i Ministrisë së Arsimit-Kulturës, e kanë ndjerë nga afër veprimtarinë e dëmshme të Fadil Paçramit dhe të atyre që e pasonin atë, sepse ata goditjen kryesore e kishin drejtuar në sferat e sektorëve tonë”.

“Fadil Paçrami ka pasur si qëllim këmbëngulës e konseguent që ministria jonë të mos merrej me problemet e përmbajtjes, bile dhe të vënies në skenë ose ekzekutimin e veprave artistike e letrare, por ta kufizonte punën e vet në çështjet me karakter organizativ dhe administrative duke i kthyer këta sektorë, në një prapavijë për sigurimin e bazës materiale. Fadili ngrinte në qiell teorizimin e tij sipas të cilit “Detyra e teatrit është vetëm të realizojë idetë e autorit” dhe, bile, t’i realizojë ato ide, siç i kërkonte autori. Ai është megaloman dhe këtu nënteksti ishte, së pari, për veprat e tij, të cilët i dukeshin se përfaqësonin dramaturgjinë moderne shqiptare. Ai, gjithashtu, e kishte në majë të gjuhës theksimin e një kontradikte të paqenë, gjoja midis nivelit të lartë të dramaturgjisë sonë dhe nivelit të ulët të vënies së saj në skenë.

“Fadilit i duhej një teorizim i tillë, mbasi nga pozitat jo vetëm të sekretarit të partisë të Tiranës, por edhe të dramaturgut të ndikonte që “Izoma” e ndryshme liberale, moderniste, ai t’i impononte edhe në teatër, në regji, në dekor, në interpretim. Dhe këto mendime të tij kishin përkrahësit e vet si në diskutimet krijuese në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ashtu dhe në faqet e gazetës “Drita”, ku luante një rol shumë negativ Ibrahim Uruçi, si zëdhënës i Fadilit, në fushën e regjizurës, Mihallaq Luarasi, në atë të skenografisë, Ali Oseku etj.

“Ndërsa Fadil Paçrami, nuk pati guximin të na thotë ç’duhet ai ekip në Opera? Ç’janë ato njerëz që keni marrë në ekip? Ai arriti deri atje sa kur nënkryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve po shikonte si zbatoheshin kriteret për largimin e disa artistëve nga Opera, t’i thotë: “Ç’ke që përzihesh ti në këtë punë, apo nuk ke me se të merresh?”

Shoku Kadri Metohu, delegat i organizatës bazë të Televizionit gjatë diskutimit në konferencë midis të tjerash tha: “Në debatin e madh që u bë në mbledhjen e organizatës bazë të partisë (është fjala për mbledhjen ku u diskutua për ndryshimet që ishin bërë karakteristikës të sh. Klimi Misja), asistonte edhe Fadil Paçrami. Todi Lubonja bashkë me Fadil Paçramin duke marrë nëpër këmbë gjykimin e shëndoshë të shumë komunistëve që luftuan kundër padrejtësive dhe makinacionistëve, u munduan që të shtrembërojnë të vërtetën dhe të mbulonin shqetësimet e drejta që ekzistonin në kuadrot drejtuese të institucionit tonë.

Ata minimizuan këtë shqetësim duke i vënë epitetin si “shqetësime mikroborgjeze”. Dhe tentuan ndërmjet presioneve të vazhdueshme të justifikojnë veprimet e tyre të shtrembër me shkeljen e normave të partisë. Komunistët e organizatës me pjekurinë politike vendosën shkarkimin e ish-sekretarit, por Fadil Paçrami, duke udhëhequr me miqësitë e krushqitë dhe konceptet e përbashkëta të Todi Lubonjës, u ngrit me fodullëk dhe arrogancë në organizatë dhe deklaroi: “Tani që votuat, po ju them se vendimi që ju morët nuk do të aprovohet nga Komiteti i Partisë. Mendimi im në byro do të jetë kundra”. Do të shtonim se Fadil Paçrami jo një herë ka ndikuar negativisht për çështjet që ka trajtuar organizata jonë, me subjektivizëm, fodullëk, mendjemadhësinë, predispozicionin dhe pikëpamjet e tij liberale oportuniste”.

“Në këtë mbledhje të dhjetorit, u zhvillua një luftë e ashpër mendimesh midis komunistëve që mbajtën qëndrim të drejtë e parimor nga njëra anë, dhe Todi Lubonja, Fadil Paçramit e disa komunistëve që i pasuan nga ana tjetër. Todi Lubonja e Fadil Paçrami duke shtrembëruar realitetin, u munduan të vërtetojnë se gjendja në Televizion ishte e shëndetshme, se nuk kishte asnjë problem shqetësues, se gjoja ekzistojnë vetëm disa shqetësime mikroborgjeze te disa komunistë, dhe jo pa qëllim u munduan të mbulojnë e të maskojnë shumë të meta dhe dobësi të tjera”.

Shoqja Jorgji Bitri, delegate e Organizatës në Opera, gjatë diskutimit në konferencën e rajonit midis të tjerash tha: “Në mbledhjen e aktivit të komunistëve doli se kjo rrymë liberale intelektualiste është futur në institucion nga Fadil Paçrami, i cili mbahej me gusto e shije moderne të kohës si njeri kompetent që i njeh shumë mirë problemet artistike”.

“Nga mbledhjet tona ngrihen, gjithashtu, se Fadil Paçrami i veshur me petkun e sekretarit të partisë të rrethit Tiranës për propagandën, ka mbajtur lidhje personale me këto kuadro (është fjala për Koço Vasilin, Zhani Ciko), i ka inkurajuar e drejtuar si i ka dashur qejfi, duke abuzuar në mënyrë flagrante në postin që i kishte dhënë partia. Shtojmë se për shtatë vjet me radhë, Fadil Paçramin nuk e kemi parë asnjëherë në mbledhjet e organizatës bazë, por ai punët i zgjidhte me individë e në mënyrë personale”. Shoqja Jorgji, duke analizuar gabimet e Koço Vasilit dhe të tjerëve thekson: “Për këto çështje këta shokë kanë gjetur mbështetjen e plotë nga Fadil Paçrami, i cili ju tha: “Drejt e kini, mos e ripunoni, se nuk po ju lënë të bëni punën” (këtu është fjala për të ripunuar fjalimin e shokut Enver në Mat, që Koço Vasili insistonte që të mos ripunohej).

Shoku Stefanaq Tollkuqi, delegat i organizatës bazë të Ministrisë së Financave, gjatë diskutimit në konferencë, midis të tjerash tha: “Fadil Paçrami, kur asistoi në mbledhjen tonë të organizatës bazë të partisë, me rastin e diskutimit të fjalës të shokut Enver Hoxha në pleniumin e Matit, gjatë ndërhyrjeve të tij, shfaqi disa mendime që nuk i quajtëm të drejta si p.sh. shprehjet: “Ju paskeni kohë të prisni popullin, kurse unë nuk kam më kohë dhe nuk i pres”, “Bëni çfarëdolloj propozimesh, bile nga më ekstravagantet”.

Shoku Ymer M., relaton se gjatë diskutimit në kolektivin e Ansamblit të Këngëve e Valleve, sh. Adivie Alibali, duke kritikuar rëndë Milto Vakon për moral të keq shantazhist dhe rrufjan politik, ajo tha “se të gjitha këto ia ka thënë me kohë Fadil Paçramit, por ai i mbante këta element, bllokoi ministrinë dhe Komitetin e Partisë dhe i la të bëjnë si të duan”.

Nga informacioni i byrosë së partisë së Kryeministrisë, thuhet se Fadil Paçrami nuk ka punuar mirë me kuadrin, se ka nënvlerësuar luftën e klasave dhe ka mbivlerësuar talentin. Ka mbajtur njerëzit e tij si Koço Vasilin, Riza Hajron, Bardhyl Kosovën, Abdyl Jakupin etj. Ka marrë në mbrojtje njerëz jo të mirë si Milto Vakon, Islam Petrelën, Viktor Gjokën.

Nga organizata e inspektimit të shtetit thuhet se është marrë më shumë nga masat, se përballë Mapos Industriale Nr.1, në kundërshtim me projektin ekzistues, në ndërtesën 6 katesh po prishin apartamentin, për të bërë një apartament “special” me 5 dhoma dhe kuzhinë, si dhe një tjetër, thuhet se këto janë bërë me urdhër të Fadil Paçramit, një nga këto për Ismail Kadarenë.

Në organizatën e partisë së Ministrisë së Shëndetësisë është vënë në dukje se dramat dhe shkrimet e Fadilit kanë rënë erë liberalizmi, oportunizmi dhe modernizmi. Fadili është mendjemadh, nuk e njeh jetën, të mirat e partisë ja errësuan ndërgjegjen. Ai është shkëputur nga masat. Liberalizmi ose oportunizmi i Fadilit bie erë revizionizmi modern.

Në organizatën bazë të Institutit Urbanistik Arkitekturor, drejtori Koço Miho tha se arkitektët e Sokrat Moskos, Petraq Kolovica, e Koço Çomo, kanë qenë të preferuarat e Fadil Paçramit, ai ka përkrahur mendimet e tyre.

Nga organizata bazë e partisë e administratës së spitalit nr.1, ka dalë se vajza e Fadil Paçramit vazhdon studimet në universitet me bursën e shtetit. Gjithashtu, dhëndrit të tij i janë dhënë 2 dhoma e një kuzhinë, në një kohë kur strehimi është problem. Sh. Fadil e ka zbutur luftën e klasave. Ai ka pasur raste që ka ndihmuar njerëz me qëndrim të keq politik. p.sh vajzën e Met Shkrelit.

Nga organizata bazë e partisë së spitalit nr.4 informohemi se Fadil Paçrami ka ndihmuar për t’i dhënë të drejtë studimi Liri Prezës dhe Shefikat Kosovrastin, që kanë përbërje të keqe politike në një kohë kur lagjja dhe kolektivi nuk ishin dakord. Gjithashtu ka ndihmuar Siri Anamali për ta sistemuar në një vend shumë delikat të Institutit të Higjienës, i cili ka qenë në burg i dënuar me vdekje si njeri antipushtet. Organizata dhe sekretari kanë dërguar letër për këtë në komitet, por përgjigje nuk kanë marrë.

Në organizatën bazë të partisë së Turizmit është kritikuar Fadil Paçrami për ndërhyrjet e tij në hotel “Dajti”, për të lejuar frekuentimin e tavernës natën edhe nga shqiptarët për organizimin e mbrëmjeve të vitit të ri nga të rinjtë.

Në organizatën e M.SH.N. Miniera, është thënë se Fadil Paçrami ka pasur prirje për të zbutur luftën e klasave dhe jepet një rast kur një i ri me mbiemrin Sejko, i është refuzuar e drejta e studimit në universitet, sepse vinte nga një familje armike, Fadili jo vetëm nuk e përfilli mendimin e Frontit, por kritikohej dhe lejohej vajtja e tij në shkollë.

Në organizatën e partisë të Këshillit të Qendror të Bashkimeve Profesionale për Fadil Paçramin është thënë se “ay ka pasur një nënvleftësim për Komitetin Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë dhe për punën e organizatës profesionale. Në kundërshtim me orientimet e dhënë për format e edukimit të arsimtarëve që të drejtoheshin nga Bashkimet Profesionale, iu dhanë organizatave të partisë. Po kështu në kundërshtim me orientimet e dhëna, nën pretekstin se kemi format tona, u hoq dorë nga organizimi i garave socialiste në ndërmarrjet e Tiranës.

Kontrollet punëtore që organizuam vite më parë në institucionet kulturore dhe arsimore nuk u inkurajuan nga Komiteti i Partisë dhe sidomos, nga Fadil Paçrami, që drejtonte këtë sektor.

Fadil Paçrami ka pasur shfaqje të kapadaillëku, të mendjemadhësisë, të cilat janë shfaqur në punën e propagandës dhe në institucionet e artit dhe të kulturës, në garat socialiste etj. Ai ka vënë njerëzit e tij në këto institucione të cilët do të zbatonin porositë e tij.

Shfaqjet e tij janë me tendencë revizioniste që cenojnë vijën e partisë sonë dhe masa e marrë deri tani karshi tij nuk është e plotë. Në Institutin Gjeologjik Minerar, shoqja Nashifez Çela tha se Fadil Paçrami ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë për t’i dhënë të drejtë studimi Liri Isuf Prezës, banuese në Lagjen Nr.3. Kjo vajzë ka qëndrim shumë të keq politik. Njerëzit e saj, gjyshi dhe dy të tjerë janë të arratisur (kuestori i Tiranës), Shaqir Preza. Ajo dallohet në Tiranë për ekstravagancë e modë. Për të gjitha lagjet për gjashtë vjet rresht nuk dha asnjë të drejtë studimi dhe pas gjashtë vjetësh me urdhër të Fadil Paçramit asaj iu dha e drejta studimit për në shkollën e lartë.

Nga byroja e organizatës së Presidiumit të Kuvendit Popullor informohemi se në organizatë për Fadil Paçramin janë bërë këto kritika: “Për dhënie burse vajzës së tij në një kohë që i ka të ardhurat shumë të mira, për dhënie shtëpi vajzës së tij, në një kohë që mjaft kuadro që kanë qarkulluar rrinë nëpër hotele. Aty u kritikuan për ndërhyrje të mëdha që ka bërë për t’i dhënë të drejtë studimi, bursë, triskën e fronit dhe pashaportizimin, vajzës së Muhamer Spahiut. Lidhur me triskën e Frontit u shfaq dyshimi se mos ka influencuar dhe te Ndreçi Plasari, mbasi ky ka urdhëruar kryetarin e Frontit të bllokut nr 12 të Lagjes nr. 2 për t’ia dhënë. Me gjithë ndërhyrjen e shokut Fadil Paçrami, kryetari i Frontit të Bllokut, insistoi dhe asaj nuk iu plotësua asnjë nga kërkesat”.

Nga organizata e partisë dhe kolektivi i Teatrit Popullor, në adresë të Fadil Paçramit janë bërë shumë kritika. Po thuaj se shumica e diskutantëve kritikuan rëndë veprimtarinë e tij të dëmshme në adresë të teatrit dhe të disa personav., Është e pamundur që të trajtojmë në këtë informacion të gjitha sa u thanë po do të theksojmë në vija të trasha këto gjëra.Ka mënjanuar dhe injoruar krejtësisht punën në organizatën bazë të partisë dhe të sekretarit të saj. Me repertorin e teatrit ka bërë politikë personale dhe më të preferuara për teatrin kanë qenë dramat e tij dhe të Ibrahim Uruçit.

Teatri për ta ka qenë “Teatri Bogdani”, “teatër arkaik”, dhe pjesa më e madhe e aktorëve, e sidomos të vjetrit e konservatorë e që duhen të largohen patjetër për t’u hapur rrugë të rinjve. “Theatër do të kemi mbas dhjetë vjetëve, ka thënë Fadil Paçrami”.

Para disa vjetësh ka hartuar një listë prej 16 vetash dhe nga këto pjesa më e madhe komunistë, për t’i hequr nga teatri, “për qarkullim”. Vënia e dramës “Shëmbja” të Ibrahim Uruçit është bërë me urdhër të Fadil Paçramit. Po kështu edhe me shumë drama të tjera.

Vërejtjet e bërë për dramat e tij nuk i ka pranuar. Drama “4 shkurti”, ju bënë shumë vërejtje, por ajo përsëri u vu në repertor.

Luftën ideologjike e ka kthyer në luftën e moshave. Në teatër ka nxitur frymën e përçarjes midis të rinjve dhe të vjetërve.

Nga teatri ka dashur që të heq traditën dhe në shumë drejtime kësaj ja ka arritur. “Ai për dramën “Cuca e Maleve”, nuk ka qenë dakord”. Nga të dhënat që ka Komiteti i Partisë, del se gjatë kritikave dhe vërejtjeve që janë bërë në adresë të Fadil Paçramit është dalë dhe me propozime konkrete. Masa e marrë deri tani konsiderohet e pamjaftueshme. Propozohet të dëbohet nga Plenumi i K. Q. i Partisë, të shkarkohet si kryetar i Kuvendit Popullor dhe të shikohet çështja e qenies në Parti.

Tiranë, më 25. 4. 1973

SEKRETAR i K. P. RAJONIT (Xhabir Maxhelaku)

Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 46 / 1. Viti 1973. F. 21-26

/a.rada