Doktoreshë Ilirja, shqiptarja që ka lindur në Zvicër mes spitalit dhe çiftelisë

Ilire Kozhani ka lindur dhe është rritur në Biel/Bienne, ndërsa prej vitit 2013 jeton në Cyrih, ku edhe ka përfunduar studimet në mjekësi. Ajo po planifikon së shpejti të fillojë edhe specializimin për “Mjeke Urgjence” ose në “Mjekësi Interne”.

Doktoresha Kozhani nuk mërzitet asnjëherë nga pacientët që e pyesin 100 herë për të njëjtën gjë, sidomos ata shqiptarë.

“Nuk hezitoj asnjëherë të flas shqip me pacientët që vijnë në klinikat tona në Thalwil dhe Rüschlikon”, shprehet me krenari Kozhani, shkruan albinfo.ch.

Ilire

Përveç stetoskopit, Kozhani gjen kohë edhe për çiftelinë. 34-vjeçarja është anëtare aktive në Ansamblin “Vatra”.
“Jam rritur me shumë kultura dhe si e vogël kam mësuar çiftelinë. Gjithmonë kam qenë aktive në shoqata të ndryshe kulturore. Kam filluar me Shkollën e Vallëzimit ‘Shota’. Mund të them se marrja me folklor në një mënyrë më është imponuar ngaqë në familjen time gjithmonë kemi qenë të frymëzuar nga folklori shqiptar”, shprehet më tej ajo.

“Asnjëherë nuk jam ndarë nga identiteti kulturor shqiptar edhe pse kam lindur dhe jam rritur këtu. Nuk ndodh ndonjëherë që një javë të mos luaj me çifteli”, vijon mjekja.

Ilire 2

Aq e lidhur është me instrumentin e përmendur muzikor sa që mund të thuhet se ai ka vlerë për Iliren, pothuajse sa stetoskopi. “Vallet, poezitë dhe monologjet në skenë më kompletojnë mua dhe kjo më forcon edhe më shumë si shqiptaro-zvicerane”.

Këtë frymë kulturore e ka përcjell edhe te vajza e saj Aurora, ndërsa shqipen e kishte përsosur nga babai i saj, Adem Kozhani, i cili ishte njëri nga nismëtarët e parë të shkollës shqipe në Zvicër.