Dje, viktima të tërmetit, sot viktima të mashtrimeve, vjedhjeve dhe harrimit

Çdo ditë që kalon; nga dita e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 me 51 jetët e humbura, 657 të plagosur dhe lënduar, 5497 shtëpi të dëmtuara rëndë dhe 1183 të tjera të shembura, është një ditë e humbur për fatet e të goditurve nga fatkeqësia, një ditë e përballuar me sakrifica dhe mashtrime të të gjithë atyre që besojnë se jetojnë në një vend normal ku shtetasi ka detyrime ndaj shtetit por edhe shteti është detyrues ndaj shtetasit të tij edhe në raste fatkeqësisë jo vetëm kur nisin ethet e zgjedhjeve dhe kur kutia e votimit është Olimpi politik. Një ditë që ikën është një ditë që ngre siparin e një maskarade qeverisëse për të mbyllur një skenë nga tragjikomedia që luhet në kurriz të atyre që u desh të ndeshen me zemërimin e tokës dhe tani i duhet të bëjnë ballë çdo orë dhe çdo ditë me farsën qeverisëse, me mashtrimet e paskrupullta të zyrtarëve dhe gjithë asaj shpure përfituesish që paguhen nga taksat e shqiptarëve për të kontribuar në lehtësimin e kësaj plage të rëndë sociale dhe jo për të qenë të bunsur ndaj shefave dhe manipulues ndaj të vërtetës .
“Një muaj e gjysmë pas tërmetit, banorët e Durrësit nuk kanë marrë akoma bonusin e qerasë, ndërkohë që 8.5 milion euro kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve vetëm për afera e korrupsion, me zero shërbime të check up-it”. shkruan në profilin e tij në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Banorët janë detyruar të marrin borxh ndërsa edhe sot askush prej tyre nuk e ka të qartë sesi do të veprohet për riparimin e dëmeve, apo si do të zgjidhet problemi i strehimit për qytetarët e mbetur pa shtëpi. Në mes të dimrit, me qindra familje jetojnë ende në çadra apo makina. Dështimi dhe paaftësia e shtetit po iu kushton shtrenjtë qytetarëve që po përballen edhe me probleme shëndetësore për shkak të kushteve ku po jetojnë. Dhe e gjitha kjo, vetëm për të mos u prekur paratë që shkojnë në xhepat e dhjetë oligarkëve. Me 150 milion dollarë që shkojnë për ta, sot do ishin akorduar fondet për strehimin e banorëve dhe do kishte nisur puna për riparimin e banesave të dëmtuara”. përfundon Basha.
Kjo panoramë është një pjesëz e gjithë asaj pamjeje shpresash rrënuese që shpërfaqet në këto ditë dimri, në këto ditë të përballimit me vështirësi dhe pamundësie, kushtet në të cilat ata janë sistemuar përkohësisht dhe flakur tashmë në harrim. Pas ka mbetur gjithë ajo propagandë boshe e qeverisë, gjithë ajo mbështetje dhe inkurajim, solidaritet dhe dorë e shtrirë për ndihmë, gjithë ajo shtirje dhe butafori mediatike, gjithë ajo maskaradë e shtetit.
Përtej syrit të kamerave dhe veshtit të mikrofonave është një tjetër Shqipëri e dëmtuar dhe tragjike e tërmetit, ndaj të cilëve shteti pothuajse nuk ekziston fare. Ata janë heshtur dhe të harruar nga shteti dhe përkujdes i detyruar i tij, por jo nga zemërimi i temperaturave të ftohta të dimrit dhe mëshirës së kësaj kohe të qëndrueshme, varfërisë dhe pasigurisë për të nesërmen. Ata vijojnë të presin pa e ditur se çfarë, ushqejnë shpresë dhe besim pa qenë të bindur se nga do të burojë kjo “mrekulli”, nga qielli?!

“ZANI I MALSISË”