Djali i Arnold Schwarzeneggerit i ka refuzuar rolet e ofruara nga i ati

Aktori dhe modeli 26-vjeçar, Patrick Schwarzenegger, ka arritur ta ndërtojë një karrierë në ekran të madh me role në filma të tillë si, “Go North” dhe “Midnight Sun”, por duket se nuk është i interesuar të aktrojë përkrah legjendës së filmave “Terminator”.

Për portalin “Metro”, aktori citohet të ketë thënë: “Prindërit e mi e mbështesin dëshirën time për t’i arritur vet gjërat në jetë. Nuk jam i interesuar të luaj role të vogla në filmat e babait tim, dhe ai e kupton këtë gjë. Ai më ka kërkuar të shfaqem në disa projekte kinematografike por unë i kam refuzuar këto oferta. Dua t’i arrijë majat e suksesit me mundin tim, dhe jo bazuar në famën e tij.”

Patrick, djali i Schwarzeneggerit me ish-bashkëshorten Maria Shriver, së fundmi e ka luajtur rolin e Danielit në filmin horror me titull, “Daniel Isn’t Real”, i cili u lansuar nëpër kinema në dhjetor të vitit 2019. Personazhi i tij në këtë projekt, është i keq dhe djallëzor dhe aktori ka deklaruar se është kënaqur duke e portretizuar një karakter kaq ndryshe nga rolet e kaluara.

Ndërkohë, në një intervistë të realizuar së fundmi, Arnold Schwarzenegger, ka deklaruar se e ka pasur vështirë ta shoh të birin duke luajtur skena seksuale në film.

“Aktrimi i tij është i jashtëzakonshëm, ai është aq i talentuar dhe ta shihja përnjëherë duke realizuar skena seksuale në film, ishte një eksperiencë paksa e çuditshme për mua,” ka deklaruar aktori 72-vjeçar, i cili përveç filmit e ka gëzuar një karrierë të mirë edhe në politikë.

© KOHA