Ditë e keqe për futbollin shkodran, Vllaznia, vetë historia e futbollit shqiptar rrëzohet nga kategoria superiore

Nga Herion Mesi dhe Albert Vataj

Vllaznia bie nga Kategoria Superiore. Ajo që do të jetë për shumëkënd një befasi, për futbollin shqiptar ky është një fakt. Ajo që shokoi mijëra tifozë dhe admirues të futbollit, sot është një denoncim për të gjitha ata që ndjehen përgjegjës për këtë cak pa lavdi të ekipit të futbollit shkodran.

Në 100-vjetorin e krijimit të klubit, Vllaznia, ajo që përfaqëson fillesat e futbollit shqiptar, i mbetet të luaj në kadegorinë inferiore.

Askush nuk mund të tregojë me gisht askënd për këtë tjetërsim të vlerave dhe traditës, sepse të gjithë, që nga tifozi më i thjeshtë; ai që deri dje i vihej nga pas ekipit të zemrës kudo që ajo përballej në betejën e fushës së blertë, dhe sot preferon ta ndjek atë në një bar me shishe birre përpara, apo në shtëpi i shtrirë në divan, deri te hallkat e pushtetit vendor, stafi teknik dhe vetë futbollistët. Të gjithëve na akuzon kjo dhimbje. Të gjithë jemi me faj për shkallmimin e historisë dhe kujtesës së futbollit që ishte një nga emblemat e krenarisë së Shkodrës.

Anglezët janë të parët në botë, shkodranët të parët në Shqipëri ndaj çfarë do që të ndodhë, Vllaznia është emblema e futbollit shqiptar! Vllaznia, ky djep i futbollit shqiptar, e në këtë rast fjala djep nuk vendoset në thonjëza, pasi në Shkodër lindi futbolli, u rrit, u zhvillua, u përqafua dhe u përhap në të gjithë Shqipërinë. “Kena msu kinezt me lujt top”- është mburrja tipike e shkodranit tifoz. Ishte pikërisht kjo skuadër që u bë klubi i parë shqiptar në futboll, e para skuadër që luajti një ndeshje ndërkombëtare me një klub të huaj, e para skuadër që shënoi gol, e para skuadër që përhapi futbollin. Në ato vite ishte vetë futbolli dhe vazhdon të jetë akoma, ndoshta tani jo në shkëlqimin e dikurshëm, për shkak të disa vështirësive që po has, por mbi të gjitha ka fanellën që i peshon me histori, i peshon me tituj, i peshon me traditë, i peshon me krenari. Vllaznia është abc-ja e futbollit shqiptar, është rruga e nisur drejt dashurisë për këtë sport, është udhërrëfyesi më i mirë për çfarë ka ndodhur dhe për çfarë do të ndodhë, e për këtë mjafton të shohim akademinë e këtij klubi, atë fidanishte të lavdishme që çdo vit nxjerr futbollistë të kalibrit jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar, e për këtë ka merita. Po, e vërtetë, Vllaznia ka probleme aktualisht, por askush, askush nuk ia heq meritat dhe vlerat e arritura vit pas viti, askush nuk ia mohon tifozët që tundën shkallët e “Loro Boriçit” dhe të çdo stadiumi tjetër në Shqipëri, nga të gjithë mbetet klubi i respektuar sepse në njëfarë mënyrë është klubi “mëmë”, që aktualisht ka nevojë vetëm për diçka, ka nevojë për një “dorë që të tundë djepin”. Talenti dhe dashuria për klubin vazhdon të mbetet aty, po ashtu edhe vetë klubi, Vllaznia legjendare. Që futbolli pëlqehej, kjo u vu re tek masa e popullsisë që ndiqnin çdo takim, e nisur nga kjo u vendos që të krijohej një klub, një ekip, një vëllazëri, me qëllimin e vetëm që të përçohej edhe më tutje pasioni i të gjithë atij grupi në nderim të këtij sporti dhe sportdashësve. E kështu, në 16 shkurt të vitit 1919 u vendos për themelimin e një shoqërie sportive, ku përfshinte shumë sporte e ndër të gjitha edhe futbolli. Pra, më në fund, ishte themeluar i pari ekip shqiptar i futbollit, që u vendos të quhej Vllaznia, në emër të bashkimit dhe të vëllazërimit, në emër të bashkëpunimit dhe të dëshirës për të ecur përpara. E kështu, dita ditës Vllaznia u bë shumë më shumë se një emër, u bë një legjendë e futbollit shqiptar, ku nga gjiri i saj morën jetë emra të mëdhenj të futbollit, morën jetë dëshira dhe dashuria për sportin, pasioni që të sillnim ndryshimin nëpërmjet sportit e kështu pak e nga pak të arrihej ai nivel i lartë në të cilin gjithmonë është gjendur Vllaznia. Një mit i futbollit shqiptar, nismëtare e së bukurës, skuadër “kokëfortë” në arritjen e rezultateve, për tu bërë prijëse në përmirësimin e futbollit vendas. Kohët e fundit, ndoshta asgjë nuk po shkon si duhet për Vllazninë, e vërtetë kjo, por përsëri ajo fanellë kuq e blu është një fanellë që ka peshuar dhe do të peshojë gjithmonë në shpinën e çdo futbollisti që luan për këtë ekip, duke ngjallur respekt të pakufizuar për skuadrën që “priu” para gjithë klubeve të tjera në rrugën e gjatë e të vështirë të futbollit.