Dita e OKB-së, për nder të Nënë Terezes, simbol i mëshirës së krishterë!

Në përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezes, u kremtua Dita ndërkombëtare e bamirësisë themeluar nga OKB-ja, me ftesën që të gjithë në këtë ditë, të kryejnë gjeste bamirësie!

R. SH. – Vatikan

Dje, me 5 shtator,  kremtuam ditën e Festës liturgjike të Nënë Terezës. Po me që Nëna Tereza e të varfërve më të varfër i përket gjithë botës, në vitin 2012, Kombet e Bashkuara vendosën të themelojnë, për nder të Saj, Ditën ndërkombëtare të bamirësisë, pikërisht me 5 shtator, për të afirmuar rëndësinë e solidarietetit dhe të mirëkuptimit reciprok, në dialog ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme. Kjo ditë synon edhe të sensibilizojë e t’i mobilizojë njerëzit e gjithë botës për t’i ndihmuar nevojtarët, përmes veprimtarive të vullnetariatit. U zgjodh pikërisht 5 shtatori, data e lindjes për qiell të Nënë Terezës, simbol i mëshirës së krishterë dhe Çmim Nobel për Paqen.

Dita e sotme është homazh i OKB-së për veprën e personalitetit të Nënë Terezës, që pasqyron bukurinë e bamirësisë e të varfërisë. Bukuria e saj transmeton bukurinë e shëmbëlltyrës ungjillore të Samaritanit të mirë. Për t’u shprehur me fjalët e Shën Gjonit XXIII “bamirësia është një nga shtyllat e paqes!”.

Dita e bamirësisë

Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u themelua më 2011 me nismën e shoqërisë civile hungareze dhe mbështetjen e Parlamentit e të Qeverisë së vendit. Një vit më pas, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara  zgjodhi 5 shtatorin si datë për këtë ditë. Është “Një mënyrë për ta mbajtur gjithnjë lart figurën e Nënë Terezës!”. Por më shumë akoma, mënyrë për të ecur në gjurmët e kësaj Gruaje, që diti të fitojë kaq shumë famë, pa i shkuar as nëpër mend ta kërkonte famën. E as këtë ditë, kushtuar Asaj, që shkeli në të gjitha shtigjet e botës me këmbët mbathur me sandalet e ngrëna nga rruga. E kremton gjithë bota pra, ditën kur, pasi kishte parë ferrin mbi tokë, shtegtoi për herë të fundit, drejt portave të Parajsës!