Diplomati i njohur: Si mori fund politika bllokuese e Greqisë ndaj Shqipërisë

Mbushen plot pesë vjet që kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat si anëtare e familjes së madhe europiane. Në qershor të këtij viti, Shqipëria shpreson që të hapen negociatat për anëtarësim në BE.

Ajo mori statusin e vendit kandidat në qershor 2014, kur Greqia kishte Presidencën e radhës së BE. Ambasadori ynë në Athinë në atë periudhë, Dashnor Dervishi, nëpërmjet shënimeve të tij tregon disa aspekte të zhvillimeve, të para nga Greqia, që bënë të mundur marrjen e statusit për vendin tonë.

Bie në sy jo vetëm përshkrimi i situatave gjeopolitike në Europë dhe rajonin tonë që krijuan konjukturat e përshtatshme në ndihmë të procesit integrues për ne, por në mënyrë të veçantë, angazhimi gjithpërfshirës i politikës së jashtme, i klasës politike dhe shoqërisë shqiptare pa dallim, në mbështetje të objektivit madhor për integrimin e Shqipërisë në BE.

Si një nga dëshmitarët kryesorë në këtë ngjarje, Dervishi tregon për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë përpara marrjes së Presidencës së BE-së nga ana e Greqisë, përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, shoqëruar me vizita të ndërsjella të krerëve më të lartë të shteteve në Athinë e Tiranë. Dervishi tregon për vizitën e Presidentit të Republikës Greke, Karolos Papulias në Shqipëri, të Kryeministrit të kohës, Venizelos, për pritjen që iu bë Ramës e Peleshit gjatë vizitave të tyre në Athinë dhe për problematikat që u ngritën.

Avramopoulos Presvis Alvanias

DASHNOR DERVISHI AMBASADOR

ROLI I GREQISË PËR STATUSIN E VENDIT KANDIDAT TË SHQIPËRISË NË BE

Ngjarjet që i paraprinë marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE (gjashtëmujori i dytë 2013) Më 24 qershor 2014, në presidencën greke të BE-së, Këshilli i Bashkimit Europian ra dakord të japë statusin e kandidatit për Shqipërinë, i cili u miratua disa ditë më vonë nga Këshilli Europian. Kjo përkoi me 10-vjetorin e “Axhendës 2014”, të propozuar nga qeveria greke në 2004, si pjesë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Selanik, për të rritur integrimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Më 16 tetor 2013, Komisioni Europian kishte nxjerrë raportet vjetore për vendet anëtare të ardhshme në BE, ku ndër të tjera, për vendin tonë, thuhej se zgjedhjet në Shqipëri u mbajtën në një mënyrë “të rregullt” dhe se ishte bërë progres në plotësimin e kushteve të tjera, duke rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Më 5 dhjetor 2013, një grup eurodeputetësh rekomanduan që “…

Këshilli duhet të pranojë përparimin e bërë nga Shqipëria, duke i dhënë statusin e kandidatit, pa vonesa të panevojshme”. Megjithatë, disa shtete, duke përfshirë Danimarkën dhe Holandën, vazhdonin kundërshtimin për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, derisa ajo të tregonte se përparimet e saj të fundit ishin të qëndrueshme. Si pasojë, Këshilli i Bashkimit Europian, në mbledhjen e tij në dhjetor 2013, vendosi që të shtyjë vendimin për statusin e kandidatit deri në qershor 2014, pikërisht në harkun kohor të gjashtëmujorit të parë të 2014, kohë kur Greqia do të kishte kryesinë e radhës të BE.

Evangelos Venizelos And Niko Peleshi 2013

Përgatitja gjithëpërfshirëse e Greqisë për marrjen e Presidencës së BE, për të pestën herë, për periudhën janar–qershor 2014, orientoi gjithë politikën e jashtme greke për vitin 2013-14, në favor të rritjes së imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, si dhe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të konsideruara me interes kombëtar, të mbetura pezull ndër vite, për shkak të krizës së zgjatur e të thellë të ekonomisë dhe financave greke. Hoze Manuel Barroso, president i Komisionit Europian, me rastin e marrjes së kryesisë së radhës nga Greqia, shprehu besimin se presidenca greke do të kontribuojë për të bërë një Europë më të fortë.

“Ka dy fjalë greke, ‘Europë’ dhe ‘Demokraci’, për të cilat ne u detyrohemi etërve tanë grekë”, tha Barroso, gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian në Strasburg, duke vënë në dukje se gjatë rrugës për në zgjedhjet europiane, duhet të ndahemi nga retorikat ekstreme dhe populiste, qoftë nga e djathta, apo nga e majta dhe të nxisim dialogun politik të mirëfilltë. Kryeministri Samaras, në prezantimin e prioriteteve gjatë kryesimit të BE-së, vuri në dukje se presidenca greke do të promovonte zgjerimin e BE-së, duke vënë theksin te një axhendë praktike dhe efektive për vendet ballkanike: “Kemi nevojë për më shumë Europë dhe për një Europë më të mirë. Europa është e ardhmja e brezave të ardhshëm. Këtë të ardhme po transformojmë sot. Kjo e ardhme na bashkon. Avancojmë hap pas hapi, ngandonjëherë bëjmë gabime. Duke kapërcyer krizën, avancojmë më me vendosmëri…

98598

Procesi i anëtarësimit të vendeve të këtij rajoni ka fituar dy vitet e fundit, një stad të kënaqshëm, përmes një mesazhi të qartë e të fortë, me pranimin e Kroacisë në BE, me fillimin e negociatave për pranim të Malit të Zi dhe me marrjen e statusit të vendit kandidat nga Serbia. Këto zhvillime dëshmojnë se zgjerimi përparon dhe madje edhe në një periudhë tranzicioni të jashtëzakonshëm për BE. Presidenca greke do të orientojë dinamikën e zgjerimit dhe kur është e përshtatshme, do të nxisë procesin e integrimit të secilit prej vendeve në fjalë, në varësi të performancës dhe karakteristikave të tyre. Unë kujtoj se parimet themelore dhe mekanizmat e Axhendës së Selanikut do të vazhdojnë të qeverisin përparimin e rajonit drejt integrimit europian”.

Duke i paraprirë marrjes së Presidencës, kontaktet, vizitat e takimet e autoriteteve të larta greke u vunë në funksion të këtij qëllimi, që nga ato në kuadër të sesionit 68 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e më tej me vizitat në SHBA, Qipro, Izrael, Itali etj. Po ashtu, Greqia u angazhua së tepërmi në aktivizimin dhe rigjallërimin e kontakteve dhe marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe sidomos me ato të Ballkanit Perëndimor të përfshira në procesin e integrimit europian. Përgatitjet e Greqisë në 6-mujorin e dytë të 2013 për të marrë kryesinë e radhës së BE koinciduan me ndryshimin e maxhorancës qeverisëse në Shqipëri.

Për të luajtur rolin e saj aktiv në krye të BE-së, Greqia nuk mund të vazhdonte me politikën e saj “bllokuese” për çdo kontakt në nivel zyrtar midis dy vendeve tona, mbas anulimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes për detin. Ndërkohë, neglizhenca nga ana jonë për të mos bërë ndryshimet e toponimeve në kohën e duhur, sipas kërkesës së Greqisë drejtuar palës sonë dhe depozituar në OKB, kishte krijuar një ngërç tjetër, që na kishte vënë në vështirësi me shtetasit tanë dhe fëmijët e tyre që jetonin e punonin në Greqi, për shkak të masave shtrënguese gjatë kalimit të kufirit.

Deri në atë kohë, nga takimet e shumta në Ministrinë e Jashtme dhe në të gjitha institucionet kryesore të Greqisë, në mënyrë të veçantë mbas marrjes së postit të ministrit të Jashtëm nga Dimitris Avramopoulos (qershor 2012 deri qershor 2013), fokusi i bisedave të mia ishte nevoja e gjallërimit të kontakteve në nivel zyrtar, nëpërmjet të cilave do të mund të gjenin zgjidhje problemet e mbetura pezull, sidomos ajo e detit, me ndjeshmëri për palën greke. Në atë kohë filluan të bëhen aktive edhe proceset që lidheshin me marrëveshjet e përbashkëta të mirëkuptimit për gazsjellësin TAP, që do të përshkonte vendet tona, gjë që u bë shkak për takime shumëpalëshe me praninë e palëve të interesuara.

Ndryshimi i maxhorancës qeverisëse në Shqipëri në korrik 2013 dha mundësinë e një alibije për të ndryshuar qëndrimin bllokues, por edhe të një shprese të vakët, se me ekipin e ri, vetëm nëpërmjet kontakteve dhe dialogut mund të arrihej të zgjidheshin çështjet e mbetura pezull. Katërmujori i fundit i vitit 2013 dhe viti në vazhdim sollën një rigjallërim dhe rritje të ndjeshme të kontakteve, vizitave e takimeve të nivelit dypalësh të të gjitha niveleve. Realizimi i vizitave solli momentin kulmor të aktivitetit diplomatik dypalësh përgjatë vitit 2013 dhe në vazhdim, duke thyer status quo-n ku kishin hyrë marrëdhëniet që prej tre vitesh. Këto vizita shënuan një moment rigjallërimi të kontakteve dypalëshe, dhanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, shërbyen si pikënisje për intensifikimin dhe institucionalizimin e kontakteve politike në nivel të lartë, duke iu dhënë një vizion e hapësirë të re marrëdhënieve, përmes një dialogu të hapur e konstruktiv, me besim reciprok e perspektivë europiane.

Riaktivizimi i kontakteve zyrtare me Shqipërinë u parapri nga vizita e Kryeministrit Rama (si Kryeministër i zgjedhur) në muajin gusht 2013, në Athinë, me një takim informal me Kryeministrin grek, Samaras, gjatë kthimit nga një vizitë rikoshet në Stamboll, si dhe nga takimi mes dy MPJ, Bushati dhe Venizelos, në Nju Jork, gjatë punimeve të sesionit të shtatorit 2013 të OKB-së. Më 5 shtator, Saimir Tahiri, i sapozgjedhur si ministër i Brendshëm, u takua në Athinë me homologun e tij, Nikos Dentias. Më 14 tetor 2013 u realizua vizita e MPJ, Evangelos Venizelos, në Tiranë, që i parapriu vizitës së Presidentit Papulias një muaj më vonë; ndërkohë që më 15 nëntor, në Athinë vjen zëvendëskryeministri i qeverisë shqiptare, Niko Peleshi. Fokusi në bisedat “e para” ishte vlerësimi për shfrytëzimin e momentit dhe klimës së krijuar, që vullnetin e përbashkët politik për frymë e dimension të ri ta konkretizonim përmes veprimeve e ndërmarrjeve konkrete, për t’i çuar përpara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin, duke dalë me propozimin për takime të rregullta, jo vetëm të ministrave të Jashtëm, të paktën dy herë në vit, por edhe të ministrive të linjës, përgjegjëse për çështje të ndryshme të spektrit dypalësh, si dhe të komisioneve të përbashkëta funksionale në fusha të ndryshme, në respekt të Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së mirë e Bashkëpunimit.

Gjatë vizitës së MPJ Evangelos Venizelos në Tiranë, të 14 tetorit, u organizuan takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, me Kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai u takua edhe me kreun e PD-së, Lulzim Basha, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe si gjithë zyrtarët e lartë grekë, Venizelos do të shkonte edhe në selinë e Kishës Ortodokse greke për t’u takuar me Kryepeshkopin Anastas. Në të gjitha bisedat mbizotëruan mesazhet për nevojën e krijimit të një klime pozitive midis dy vendeve e popujve tanë, nevoja për krijimin e besimit dhe transparencës në trajtimin e problemeve të mbartura kundër tendencave nacionaliste. Marrëveshja e “ngrirë” për delimitimin e detit dhe zonat ekskluzive ekonomike do të zinte një vend të rëndësishëm, me interpretime dhe qëndrime të ndryshme, por që përputheshin në dëshirën e përbashkët, për të gjetur një zgjidhje në interes të të dy palëve. Nga ana jonë, në shpjegimet e rastit, përsëritej si një konstante e përhershme nevoja e heqjes së ligjit të luftës, si një hap primar nga ana e Greqisë, që do shërbente si një kod kyç për çdo hap të mëtejshëm.

Për palën tonë, çështja më e ndjeshme në atë kohë ishte gjetja e një zgjidhjeje për të kapërcyer barrierat e vendosura nga autoritetet greke, jo vetëm për emigrantët shqiptarë në kufi, por edhe për dokumentacionin e fëmijëve të tyre, për regjistrimet në shkolla. Tema e vetme ku kishte përputhje, ishte bashkëpunimi për korridorin që do të krijonte projekti TAP, jo vetëm në transportin e gazit, por edhe si një korridor i përbashkët ekonomik, kulturor, njerëzor etj. Po ashtu, qëndrimi për politikën e Greqisë gjatë presidencës së ardhshme, në mbështetje të proceseve integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte mjaft e mirëpritur dhe e vlerësuar nga ana jonë. Në bisedimet midis dy ministrave të Jashtëm u ra dakord për të përgatitur dhe firmosur “Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Integrimin Europian” midis dy vendeve tona. Vizita e Venizelos në Tiranë i parapriu edhe vizitës së shumëpritur në Shqipëri të Presidentit të Republikës Greke, Karolos Papulias, në më pak se dy muaj më vonë. Në përbërje të delegacionit ishin 4 anëtarë të Kabinetit Qeveritar: ministri i Mbrojtjes, ministri i Arsimit, ministri i Energjisë dhe Ambientit, si dhe zv. ministri i Diasporës greke, përveç anëtarëve të tjerë të kabinetit presidencial.

Presidenti grek Papulias, në krye të delegacionit në nivel të lartë shtetëror, mbërriti në Tiranë të dielën mbasdite, datë 3 nëntor. Menjëherë pas mbërritjes, ai u takua me disa përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri dhe Vangjel Dulen si kryetar i PBDNJ-së. Të nesërmen, më 4 nëntor, u organizuan të gjitha takimet protokollare për një kryetar shteti; përfshirë edhe vizitën në Kishën Ortodokse greke dhe takimin me Janullatos. E veçantë ishte vizita dhe fjala e Papulias në kolegjin grek të Tiranës, “Arsakeio”. Më 5 nëntor, karvani presidencial i makinave u nis në drejtim të jugut. Pas një qëndrese dhe homazheve në varrezat e ushtarëve grekë të Këlcyrës, iu drejtuam Gjirokastrës. Gjatë një ceremonie të shkurtër, me fjalime e përshëndetje të rastit, kryetari i Bashkisë, Flamur Binaj, e shpalli Presidentin Papulias “Qytetar Nderi të Gjirokastrës”. Më tej, qëndresa e fundit ishte në Derviçan, në takimin e gjerë me minoritarët grekë të mbledhur nga gjithë zona. Në mbrëmje, delegacioni kaloi kufirin e Kakavijës. Me përgatitjet paraprake para nisjes nga Athina, me mbërritjen në aeroportin e Tiranës dhe deri në shoqërimin dhe përcjelljen në kufi, si ambasador i vendit tim, u mora shumë dhe me angazhimin më të madh, për të kontribuar sadopak në realizimin me sukses të vizitës.

Pa qëndruar gjatë në përshtypjet e shënimeve të mia në këtë publikim, po theksoj vetëm rëndësinë e asaj vizite, që përmbysi pothuaj plotësisht gjendjen e “ngrirë” të marrëdhënieve tona mbas vitit 2009, duke krijuar një atmosferë të re dhe një frymë pozitive të orientuar jo vetëm në përpjekjet për të mbyllur kapitullin e së kaluarës, por në mënyrë të veçantë, për të parë të ardhmen tonë të përbashkët në familjen europiane, me sytë nga Perëndimi. Nuk mund të lë pa përmendur, emocionet personale që përjetonte Presidenti Papulias në çdo takim apo vizitë të tij, sidomos në Gjirokastër, që lidheshin me origjinën dhe fëmijërinë e tij në ato zona. Më 15 nëntor 2013, zëvendëskryeministri shqiptar, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë pune, me ftesë të homologut të tij grek, Evangjelos Venizelos, si zv.kryeministër dhe MPJ. Vizita e Peleshit në Athinë u mirëprit nga opinioni zyrtar dhe mediatik në Greqi, jo vetëm për statusin e tij si zv.kryeministër, por edhe për imazhin e tij pozitiv si ish-kryetar i Bashkisë së Korçës, me një bilanc pozitiv në marrëdhëniet me qytetin simotër të Selanikut.

Në takimin që u zhvillua në MPJ, Venizelos shoqërohej nga dy sekretarë të përgjithshëm dhe shefi i kabinetit, Sekeris. U vlerësua rëndësia e vizitës, që realizohej vetëm pak ditë pas vizitave të suksesshme të Presidentit grek Papulias në Shqipëri, si dhe e Venizelos në Tiranë. U vlerësua në mënyrë të veçantë “momentum”-i pozitiv në kuadrin dypalësh, për të diskutuar më tej mbi ato çka u trajtuan në Tiranë, si dhe për t`i dhënë një substancë konkrete ecurisë së mëtejshme, me vijimin e vizitave dypalëshe të disa ministrave të linjës, siç ishte rënë dakord. Bëhej fjalë për vizitën e ministres së Mbrojtjes dhe atij të Energjetikës, brenda fundvitit.

Zv.kryeministri shqiptar theksoi se bazë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë dypalësh mbetej Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit, ku gjenin shprehje edhe shkëmbimet e shumanshme, si dhe mekanizmat e duhur për ta zgjeruar e thelluar më tej bashkëpunimin. Ai shprehu bindjen se traktati ofronte hapësirat e duhura për funksionimin me sukses të komisioneve të përbashkëta për fusha të ndryshme të kooperimit, përmes aktiviteteve të të cilave do të gjenin zgjidhje edhe një sërë çështjesh, të mbetura pezull brenda spektrit dypalësh. Duke ndarë të njëjtin vlerësim me homologun shqiptar, Venizelos u shpreh se edhe në kuadër të presidencës së radhës së BEsë, Greqia ka shprehur në prioritetet e saj integrimin e Ballkanit Perëndimor, në koordinim edhe me presidencën italiane, që do të vijonte në gjashtëmujorin e dytë të 2014. Dy zëvendëskryeministrat u ndalën edhe në projektet rajonale energjetike, ku përveç gazsjellësit TAP, bashkëpunimi mbetej i rëndësishëm edhe në projekte të tjera në Mesdhe, për të cilat do të diskutohej konkretisht gjatë takimit të dy ministrave të Energjetikës.

Në mënyrë të vakët u prek edhe fondi prej 2.5 milionë eurosh i parashikuar për rindërtimin e Teatrit Kombëtar të vendit tonë, i cili në fakt ishte ngrirë për të shlyer ndërtuesit e rrugës së Sajadhës. Më 16 dhjetor 2013 u mblodh Këshilli i Punëve të Jashtme të BE (FAC), në Bruksel. Gjatë seancës së pasdites, FAC shqyrtoi çështjet e Ballkanit Perëndimor. Në prag të marrjes së presidencës së Këshillit të BE-së nga Greqia, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Evangelos Venizelos, në diskutimin e tij, theksoi rëndësinë e hapjes së negociatave të pranimit me Serbinë, gjë që do të lehtësonte dhe përshpejtonte edhe bisedimet BeogradPrishtinë, duke siguruar kështu perspektivën europiane të Serbisë dhe Kosovës.

Venizelos përsëriti se perspektiva europiane e Shqipërisë përbënte një zgjidhje strategjike për Greqinë, në kuadrin e partneritetit midis dy vendeve. Duke iu referuar çështjes së Maqedonisë, Venizelos paraqiti qëndrimet e njohura të Greqisë në frymën e prezantimit që u bë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s. Çështja e Maqedonisë u la për t’u diskutuar më hollësisht në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së një ditë më pas (17 dhjetor 2013). Pas punimeve të Këshillit të Lartë të BE-së, me kthimin në Athinë, E. Venizelos dha orientime për ambasadorët grekë në Serbi dhe Tiranë. Sipas një njoftimi të MPJ, thuhej se për Shqipërinë, Venizelos ka udhëzuar Ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas, të informojë qeverinë shqiptare për qëndrimin mbështetës që mbajti Greqia në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në favor të dhënies së menjëhershme të statusin të vendit kandidat Shqipërisë. Në njoftim theksohej se për të unifikuar qëndrimet e 28 shteteve anëtare të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, u vendos që miratimi i këtij vendimi të diskutohej para përfundimit të presidencës greke, përkatësisht në qershor 2014. Greqia ishte e gatshme t’i jepte gjithë ndihmesën e mundshme Shqipërisë, për të përmbushur kriteret e vendosura nga BE-ja.

/Panorama/a.rada