Diaspora në SHBA tubim për krizën, Demalia: Ja çfarë do t’i kërkojmë Trump

Shoqëria “Vatra” dhe shqiptarët e Amerikës organizojnë të dielën (sot) më datë 7 korrik ora 12:00 një tubim patriotik me një thirrje drejtuar presidentit Donald Trump. Tubimi do të mbahet me shqetësim të thellë për situatën në Shqipëri, duke marrë në konsideratë përgjegjësinë që diaspora shqiptare ka, duke vlerësuar si të patjetërsueshme lidhjen e fortë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit shqiptar.

Analisti, Ilir Demalia, i cili do të jetë nesër në këtë tubim tha dje për “Ora News” se qëllimi i protestës është të kërkojë nga SHBA të mos mbështesë një qeveri kriminale.

“Unë do të jem nesër në Uashington, nuk e di sa i madh do të jetë tubimi por kjo do të shihet nesër. Ky tubim duhet të jetë jo patriotik, por së pari për interesat e Amerikës. Amerika ka një eksperiencë të hidhur si me Noriegën, si me Millosheviçin, ku duke i përkrahur në momente të caktuara për një stabilitet rajonal dhe duke lejuar korrupsionin, lidhjet e tyre me krimin, i është kthyer në bomerang. Në shqiptarët nuk duhet të lejojmë që të ndodhë kjo në Shqipëri” tha Demalia.

Por çfarë kërkon konkretisht diaspora nga qeveria amerikane dhe administrata Trump? “E para duhet të fillojë mospërkrahja e kësja qeverie me të dërguarit e administratës Trump, siç është Palmer. Nuk mund të ketë standard të dyfishtë. Pyetja që do të ngremë është: A do të lejonte Amerika të bëheshin zgjedhje një partiake këtu? Edhe nëse do ta dëshironte Trump nuk do ta lejonin institucionet amerikane, gjykatat, popuLli amerikan sepse liria, pluralizimi dhe shteti i së drejtës janë të themeluara prej fillimit të baballarëve të kombit.Ne nuk po vëmë bazamentet e shtetit për të ngritur godinën e shtetit”,-tha Demalia.