Diaspora, krijohen qendrat kulturore dhe qendra e botimeve në Tiranë

Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave janë miratuar dy vendime që kanë të bëjnë me krijimin e Qendrave Kulturore për Diasporën dhe ngritjen e Qendrës së Botimeve për Diasporën.

QKD-të do të kenë si mision ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjihësor, kulturor e arsimor të diasporës, si dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Shqipërisë.

Ato do të jenë në varësi të kreut të misionit diplomatik në vendin përkatës dhe do të financohen nga buxheti i miratuar për përfaqësinë diplomatike.

Titullarët e këtyre institucioneve do të emërohen nga ministri i Jashtëm me propozimin e ministrit për Diasporën. Titullarët dhe familjarët e tyre do të pajisjen me pasaportë diplomatike dhe gëzojnë të nëjtin status me diplomatët gjatë periudhës që janë të emëruar në misione diplomatike.

Ndërkohë, Qendra e Botimeve për Diasporën do ta ketë selinë në Tiranë dhe do të jetë përgjegjëse për botimin e teksteve që i shërbejnë komunitetit shqiptar jashtë vendit. QBD zëvendëson kështu Shtëpinë Botuese të Teksteve Mësimore (BOTEM).

Ajo do të nxisë aksesin online të teksteve të veçanta dhe krijimin e formateve të posaçme për librat në format elektronik.

Pranë këtij institucioni do të ngrihet edhe Këshilli Koordinues i Botimeve për Diasporën, i cili do të shqyrtojë kërkesat për botime dhe planifikon shpërndarjen e teksteve të botuara nga kjo qendër.

SCAN