Deti Adria/Adriatik: emërtim i lashtë ilir apo italik? Italianët pretendojnë “Mare nostrum” edhe në emërtimin e lashtë

Nga Agron Luka

(Nga të dhënat e shumë autorëve të hershëm antikë rezulton emërtim me prejardhje ilire)

Në “Grande Dizionario Enciclopedico”, Vol. I, 1933, në emrin Adria shkruhej: “ADRIA (Atria, Hadria). Antichissima citta della Venezia, da cui prende nome il mare Adriatico, gia sulla riva di questo mare, tra le foci dell’Adige e del Po. Il contiuo lavoro dei fiumi col trassporto e il deposito di limo sottile ha fatto retrocedere la spiaggia di 23 km circa, cosicche ora la citta di Atria ha perduto il contatto del suo mare. Appartiene al Polesine, la regione fra Agige e Po, cioe della provincia di Rovigo… Vuolsi fondata prima ancora della venuta degli Etruschi, i quali dai suoi edifizii trassero, dicesi, l’esempio dell’atrio, o portico della casa (Atrium ab Atriatibus Tuscis dictum. Varrone). Decadde con Roma e con gli esarchi di Ravena”. Përkth. shqip: “ADRIA Atria, Hadria. Qytet shumë i lashtë i Venecias, nga i cili merr emrin deti Adriatik, tani në afërsi të bregut të këtij deti, në mes të grykderdhjes të Adixhe e të Po. Puna e vazhdueshme e lumenjve me transporte dhe depozitimet e lymit të imtë kanë bërë që të zmbrapset plazhi rreth 23 km, kështuqë tani qyteti Atria e ka humbur kontaktin me detin e tij. I përket Polesinës, krahinës midis Adixhes dhe Po, pra provincës së Rovigos. Thuhet të jetë themeluar më përpara se sa ardhja e Etruskëve, të cilët nga ndërtimet e tyre nxorrën thënien, shëmbullin e atrio-s ose portiku i shtëpisë (Atrium prej Atrianëve, thënie e Tuskëve/Etruskëve. Varron) Ra me Romën dhe me eksarkët e Ravenës”.

(Atrium lat. ishte një sallë e madhe, si tip holli i ndërtesave antike romane e etruske, ndërsa Portiku ishte një hapësirë e mbuluar e mbështetur në kolona dhe e hapur për pamje. Kuptimi këtu është të tregojë se qyteti Atrio, për nga pozicioni gjeografik dhe rëndësia portuale e tregtare ishte si të thuash Portiku a Taverna e Adriatikut, si një shtëpi në lartësi, që sheh dhe zotëron pamje. A.L.)

Te emri ADRIATICO (mare) f 159-160 shkruhej: “Gli venne il nome dalla citta di Adria (V,), në shqip: “I vjen emri nga qyteti Adria i Venecies”.

Pas pothuajse një dekadë më vonë, autorët e enciklopedisë Treccani, Vol. I, bot. 1943, f 14, në emrin Adria shkruanin: “Adria, geograficamente Citta della provincia di Rovigo, sul Canal Bianco. L’Hadria, od Atria degli Antichi, si vuole abbia dato il nome al mar Adriatico, mentre, oggi ne dista circa 30 km. Appartene alla confederata etrusca, e divenne potente colonia. In parte seppelita dalle aluvioni dell’ Adige e dell Po. Vestigia del p. dell’ antica Adria// – Picena, v. Atri”; Në f 105: “Atri ant. Adria Picena, geog. C. della prov. di Teramo, su di un colle a 422 m.s.m. 14 202 ab. Atriano”.

Shqip: “Adria, gjeografikisht qytet në provincën e Rovigut, në Kanalin e Bardhë. Hadria ose Atria e antikëve, duhet ti ketë dhënë emrin detit Adriatik, ndërsa sot është larg rreth 30 km (nga deti). I përkiti konfederatës etruske dhe u bë koloni e fuqishme. Në një pjesë është i mbuluar nëndhe nga aluvionet e (lumenjve) Adixhe e Po; Rrënojat e një pjese të antikes Adria Picena, shih Atri”; në f 105: “Atri, antikia Adria Picena, gjeografikisht qytet i procincës së Teramos, mbi një kodër në 422 metra mbi nivelin e detit. 14 220 banorë. Atriano”.

Ndërsa në f 15, te emri Adriatico, mare, shkruhet: “In antico, l’-aveva una superfice piu vasta dell’attuale… E noto che il bacino del Po e la pianura del litorale furono, per molto tempo, letto alle acque dell mare. Gli antichi poi consideravano l’- come una continuazione del mar Ionio. I Romani lo chiamarono mare Superum. Rimane ancora incerto sel’- debba il suo nome ad Adria nel Veneto, oppure ad Adria Picena (Atri).”

Shqip: “Në antikitet (deti Adriatik) kishte një sipërfaqe më të gjerë se aktualia… Është e njohur se delta e Po-s dhe rrafshina bregdetare ishin për shumë kohë, shtrat i ujrave të detit. Antikët e konsideronin pastaj si një vazhdimësi e detit Jon. Romanët e quanin Deti Superior. Mbetet akoma e paqartë nëse (deti Adriatik) ia detyron emrin e tij Adria-s në Veneto apo Adria Picena-s (Atri)”.

Sic konstatohet, teza italiane megjithse e formuluar si e sigurtë, përsëri ruan një farë relativiteti. Shohim se edhe vetë brënda hapësirës italiane identifikimi i Atrio-s do të ndryshojë, duke u kthyer në një cështje të diskutueshme ndërmjet dy qyteteve pretendente, nga të cilët njëri është në deltën e Po-s dhe tjetri shumë më poshtë, afër Ankonës. Në këtë rast vërehet se edhe ajo njëfarë lidhje etimologjike nga atrium e portikus, duket se lëkundet.

Varroni ishte një historian romak i shek I p.e.r. dhe ai nuk kishte përse të merrej si shtylla kurrizore për këtë cështje, sepse shumë kohë më parë për këtë ishin deklaruar autorët antikë grekë më të hershëm.

Pak njohuri dhe krahasim edhe me detin Jon.

Për shkak të shprehjeve më të qarta të autorëve antikë, emërtimi i Jonit, nuk paraqet ato vështirësi si të Adriatikut. Këtu, enciklopeditë italiane nuk shënojnë ndonjë pretendim prejardhje italike, megjithse realisht të tilla formulime kishte në antikitet. Me këtë rast, te Treccani psh, mungonin fare edhe ato dy rreshtat për historinë e etimologjinë.

Ajo që thonë autorët italianë, se në antikitet deti Adriatik konsiderohej si një vazhdimësi e detit Jon, ka nevojë për një sqarim për lexuesit tanë. Në një kohë të parë, para dhe mbas shek VIII p.e.r., kur fillon i quajturi si “kolonizimi i madh perendimor helen”, si Jon autorët e vjetër helenë quanin komplet Jonin që njohim sot dhe të gjithë pellgun që zë sot Adriatiku. Ky realitet i ish traditës helene reflektohet qartë te Herodoti shek V p.e.r. i cili si “deti dhe gjiri Jon” e quan pellgun edhe deri përtej Epidamnit. (Herod. “Historiae”, VI,127: “Amfinesti epidamnas, i biri i Epistrofit, erdhi nga gjiu i Jonit”; IX, 92: “por nga Apollonia që ndodhet buzë detit Jon”)*

Ndërkaq së paku nga shek VIII p.e.r. kur hetohen liburnët dhe ardianët si zotërues të bazave të fuqishme Korkyrë/Korfuz e Epidamn, mbase duhet të ketë filluar të lëvizë edhe emërtimi gjiri, deti Adria/ Adriatik. Në pak kohë Adria do ti shtojë pretendimet duke i marrë hapësirë detare Jonit, aq sa disa autorë e bënin emërtimin sipas dëshirës ose jo rrallë edhe të dyzuar. Kjo ka qenë arësyea që Skylaksi, një autor i shek VI-V p.e.r. detyrohet të bëjë sqarimin: “Deti Adriatik dhe Joni janë e njëjta gjë”. (Scyl. “Periplus”, 26, 27)

Sic rezulton nga autorët antikë emërtimi i detit Jon lidhej me mitologjinë. Një paraqitje më të plotësuar e jep Apollodori i shek II p.e.r. që shkruante: “Hera dërgoi një zekth, i cili iu ngjit lopës (është Io ose Jona e shndërruar nga Zeusi që e dashuronte, në një mështjerrë të bardhë. A.L) e bëri që ajo të hidhej në det dhe prej saj ky det mori emrin Jon. Jona përshkoi pastaj Ilirinë dhe duke kapërcyer malin Hajmon, kaloi me not ngushticën e Thrakisë, që për shkak të saj e quajnë tani Bospor…(Apollod. “Bibliotheca”, II, 7)

Apollodori i ishte referuar mitologjisë së njohur helene të Zeusit dhe Io/Jonës, të cilën e trajtonte edhe Herodoti (II, 153). Sic njihet kjo mitologji helene kishte afërsi e imitime nga mitologjia egjiptiane e Isidës dhe e Hyut kokdem Apisit. Por, referenca e Apollodorit merr një interpretim mjaft të rëndësishëm për ne, sepse ka përmendur “kalimin e Jonës edhe nëpër Iliri”, gjë të cilën nuk e ka fare Herodoti. Dhe kjo do të thotë për ne, se ilirët mbi variante të tyre të vjetra, kishin bërë imitime e identifikime me mitologjinë e madhe helene, ose ndoshta edhe me ndikime egjiptiane e fenikase direkt.

Tek autorë të tjerë antikë, krahas avancimit të Adriatikut, ne do të konstatojmë edhe një fakt tjetër: ilirët që nga një kohë e hershme i kishin bërë një modifikim ish emërtimit të vjetër nga Jona femërore, duke futur në lojë varjante me një Jon mashkullor me origjinë ilire. Sipas Strabonit (“Geographica”, VII, 9.), që citon referencën nga vepra e Theopompit të shek IV p.e.r. (sot e humbur) rezulton: “…malet Keraune, fillim i ngushticës së gjireve Jon e Adri… Joni është emri i pjesës së parë të këtij deti, ndërsa emrin Adria e ka pjesa tjetër gjer në fund, por tani i tëri ka marrë këtë emër. Theopompi thotë se nga këta emra njëri (kuptohet Joni A.L) rrjedh prej sundimtarit të këtyre vendeve që ishte nga Isa…”

Tek Apiani i shek II (Bella Civilia, II, 39.), do të informohemi edhe për një Jon tjetër, një ish bazileus mitologjik ilir, me një ish origjinë barbare nga gjyshi Epidamn dhe i përmirësuar me “farë hyjnie të Poseidonit”: “Joni i biri i Dyrrahut, të cilin e ka vrarë pa dashje Herakliu dhe ku vetë Herakliu e ka hedhur në det me qëllim që ky det të bëhej eponim i Jonit” etj. Kështu te emri Jon shohin edhe pretendime për një prejardhe dhe përkatësi ilire.

Te autorët antikë e gjejmë të reflektuar edhe garën e pretendimeve, për ti dhënë një pronësi me përkatësi etnosi, emërtimeve të këtij deti. Stefan Bizantini i shek VI (“Urbibus et Populis”, Jonion) shkruante “Jonion, det pranë Italisë. Eskili në Prometeu i lidhur. Disa thonë se rrjedh prej ilirit të quajtur Jon, disa të tjerë prej italikut Jon. Edhe Adriatiku quhet gjiri i Jonit. Jone quhej edhe deti që nga Gaza e deri në Egjipt, prej Iut/Hyut që kishte fytyrën si të kaut”.

Shihet qartë se në këtë garë kemi: helenët e Eskilit me Ion/Jonën femërore e cila nga shtatzania me Zeusin ka lindur në bregdetin egjiptian Hyun kokdem Epafin ose Jonen, të cilin grekët e krahasonin me Apisin, Hyun egjiptian kokdem të birin e Izidës. (Krhs. edhe Herodotin cit.); kemi ilirët me dy bazileusa Jonë, njëri nga Isa, kurse tjetri nga Durrësi, biri i Dyrrahut, nipi i Epidamnit, një emër i krahasueshëm ky me “dem”, ku sa duket reflektohen gjurmë të lashta të një mitologjie ilire me metamorfizime demash, lopësh e vicash pinjollë; kemi edhe më të vonuarin italikun Jon.

Me prejardhje helladike, epirote e ilire dmth nga ish gadishulli ynë Evropa në gadishullin Apenine kishte me dhjetra emërtime. Një pjesë e këtyre emërtimeve lidheshin me emigrime të hershme dhe një pjesë edhe me eksporte të mitologjive etj.

Një mendim i vegjetuar për afro tre dekada.

A mund të lëkundej sadopak pikpamja italiane? Këtë ide dhe disa shënime me karakter diskutues, i kam pasur qysh nga v. 1968. Thjeshtë për vërejtje personale të pavarura, unë kisha konstatuar, se disa autorë antikë të hershëm dhe të mëvonshmit pas tyre, kishin përmendur detin Adria-Adriatik, lumin Adria, qytezën Adria, malin Adria, banorin adriates etj. Ata e lokalizonin të qartë shtrirjen e detit Adria/Adriatik, lokalizonin të qartë malin Adria te fiset Ardiane, ndërsa nuk kishte qartësi për identifikimin e lokalizimin e lumit Adria dhe qytezës Adria. Në këtë pikë unë kisha vërejtur se edhe Adria-lumë e Adria-qytet me pak arsyetim kalonin në anën tonë ilire, duke e cuar të tërë ballancën e Adriave në favor të gadishullit tonë.

Në vizimet e punës kisha edhe ndonjë vërejtje të karakterit gjuhësor. Te fiset ardiane do të mjaftonte vetëm një metatezë, që ardiani të sillej si adrian dhe banori të barazohej me adriates. Për këtë kishte një bazë arsyetimi, sepse po aty autorët antikë kishin lokalizuar malin Adria.

Nqs emërtimet tona me Adria ishin interpretuar, ose mund të kishin qenë si rrjedhime të një emërtimi deti të tashëm ose më të lashtë, apo shpesh edhe si rrjedhime të shprehjeve, si psh “Adria e taulantëve” te Bizantini, atëhere përse nuk duhej të ishin si të tilla edhe ato dy Atriat italike?!

Nga trajtimi i autorëve antikë mua më rezultonte se tek “Atria/Adriat” italiane kishim të bënim me një përpunim-rregullim italian. Një temë kaq delikate sigurisht që më fuste frikën, sepse kishte përfundime të shprehura në enciklopedi me autoritet, pastaj vërejtjet bëheshin nga pozicioni i një autodidakti etj. Kisha ngurruar edhe më vonë, për shkak se autoritetet tona linguistike nuk kishin shprehur ndonjë lloj mendimi. Por, mbi të gjitha ishte persekutimi politik. Aso kohe nuk mjaftoheshin vetëm të të thoshin se “ke rrokullisur vozën në Krane”, por ndonjë vigjilent të rraste prapa krahëve edhe ndonjë letër në Komitetin e Partisë…

Më 1981, duke u marrë me disa varjante supozimesh rreth kompozitave të emërtimit Skodrinon, përsëri kjo cështja e Adrias më kishte intriguar mjaft. (Skodrinon = S/Kodra + Drin/on; Shkamb kodra + Drin/on; Skord + Drin/on si Drini që vjen nga mali Skord; ?)

Pjesërisht idenë time të pjesmarrjes të hidronimit Drin në kompozitën Skodrinon, kësaj rradhe guxova dhe e dërgova për diskutim e botim në red. e rev. Studime Historike.1

Mbas nja dy vjet pritjeje, shkrimin tim e diskutuan, por nuk e gjetën të botueshëm. Në shënimet lakonike që kishte vënë anash fletëve të shkrimit tim, prof. Z. Shkodra kishte shkruar edhe një supozim të tijin: “Shko + Drini, dmth andej nga shkon Drini? Krahaso monedhat e vjetra të Shkodrës “Skodrinon”. (Ruajmë origjinalin)

Kjo ide, që me sa duket kishte qarkulluar aso kohe edhe nga të tjerë, në realitet mbetej vetëm si një supozim i thjeshtë dhe nuk kishte ndonjë farë ilustrimi që të merrte miratimin së paku si hipotezë. Sidoqoftë për mua ishte me shumë interes sepse pranonte brënda kompozitës elementin hidronim Drinin. Hidronimi Drin i lidhur edhe si etimologji si rrjedhje ujore, me një kronologji të lashtë indo-evropiane etj, hapte premisën që të hidhej së paku mendim-supozimi se Adria/Adriatiku e kishte marrë emërtimin nga gadishulli ynë. Por, për arësye të kuptueshme unë nuk pata më mundësi ta zhvillonja këtë temë.

Deri në atë kohë, për etimologjinë e Shkodra, Cabej – Xhuvani kishin ripërsëritur një hipotezë të Hanit, që bazohej në albanishte/shqipen Kodra.2

Në v. 1993, prof. D. Luka e demostroi në parametrat e një hipoteze, kompozitën Skodrinon të përbërë nga dy fjalë të lashta të gjuhës shqipe shko dhe Drin me kuptimin “/qytet i ndërtuar/ aty ku shkon Drini”, duke pohuar në të njëjtën kohë që “emri ka kaluar pandërmjetësisht nëpërmjet gojës së shqiptarëve që nga koha pararomake, sepse zhvillohet në pajtim të plotë me rregullat e fonetikës historike të gjuhës shqipe”.3

Në v.2001, e trajtova këtë temë dhe krahas mendimeve tona kemi shprehur dhe disa vërejtje për gjëra të diskutueshme, si psh për kalimin nga emërtimi Skodrinon i regjistruar në monedhat me shkrimin grek, në Skodra në kohën romake.4

Kishte pasur edhe gjatë influencës greke ndonjë evolucion vendas që kishte dhënë një Skodra, të cilën e gjetën romakët, apo këto të fundit e imponuan drejpërdrejt atë trajtë? Përse në regjistrimet e mëvonshme në latinishte do të kishim edhe një rikthim si “Skodrinense”? Ishte vetëm cështje fonetike?

Kështu ne mendonim dhe mendojmë përsëri se mbi një formë më të hershme ka pasur edhe zhvillime të tjera, cka do të thotë se emri nuk ka qenë i pandryshueshëm. Mini ndryshime ka pasur edhe në vet shqiptimet e ndryshueshme të zonave vendase dhe më në fund skishte përse të mbahej si absolute “ai kalimi i vazhdueshëm vetëm nëpër gojën e vendasve”, sepse në kohën e pushtimeve kishte edhe gojë të tjera, aq më teper “kur fonetika historike e shqipes” nuk hynte me aq precizion në punë.

Plini i Ri shek I, shënonte: “mbi brigjet e lumit Drin, ndodhet Skodra, një qytet që gëzon të drejtën romake, tëtëmbëdhjetë mijë hapa larg detit. Përvec asaj po zhduket kujtimi i shumë qyteteve greke dhe shumë qendrave të fuqishme. Dhe me të vërtetë në këtë krahinë qenë labeatët…” (Plini, Natyralis Historiae, III, 22.26)

Ironia e ndryshimeve qëndronte këtu se Skodra, që ai e kishte vendosur midis dy brigjeve të lumit Drin, tashti me dashje a pa dashje, dukej sikur kishte humbur pikërisht Drinin, që ishte në regjistrimet pararomake me shkrimin grek si Skodrinon/ Skodreinon. Sic njihet ndryshime shkaktojnë edhe të folmet e ndryshme zonale dhe si më vecanërisht diftongjet hundore, psh te kompozita Balldre, që noteri venecian më 1416 e kishte registruar si “Baladrini”. Një “ei”, greqishte, që kishte vlerën fonike të një “i” e kishim për shek III p.e.r. edhe te regjistrimi Epeirotan – Epir. Ne na duket se ajo “a” fundore te Skodra është një rezultat i ndikesës romake. Një emër femëror që është gjetur në Durrësin antik, figuron në formën Skodrina. Të vërejmë edhe formën shkodrian të toskërishtes.

Te Flori romak i shek II me anë të një lloj “gabimi ortografik”, nqs mund të quhej kështu, apo të një metateze edhe vetë Skodra na kthehej si Skorda. (Epitome, II, 13)

Dhe cfarë duhet të themi pastaj kur konstatohet se edhe 4 shekuj më parë në monedhat me shkrimin grek konstatohet po kjo grafi si SKORDI-NON /Skordinon, që numizmati S. Islami e quante “si gabim ortografik të formëpunuesit të monedhave”?!5

Gjithsesi, e rëndësishme për ne është prezenca e hidronimit Drin, në emërin e lashtë të qytetit, që në monedhat na del edhe me formën e thjeshtë Drinon e Dreinon. Në këtë pikë ne kemi ngritur cështjen në se kjo trajtë shkrimi duhet interpretuar si emërtim i një ish qyteze a pjese lagjeje (si te Lisi e Akrolisi) apo si një shkurtim i Skodrinon – Skodreinon, sic i kishte interpretuar komentatori numizmat S. Islami. (cit 5)

Të mos e harrojmë se e kemi edhe ne një krahinë si Zadrima dhe kjo Te Drin apo Te Drinas, mund të komunikonte në të dy degët me lundra me detin Adriatik.(krhs. më poshtë me Adrise, Hadria, Jader, Zadari i sotëm)

Sic më rezulton nga botimet, me zërin Adriatik prof. Cabej nuk është marrë, kurse te zëri Drin, ai dhe linguistët europianë para tij (në fakt Cabej bën vetëm një sintezë dhe jep bibliografitë), kanë futur një kategori të tërë lumenjsh në një hapësirë kolosale, por si cuditërisht Drin-ët e Adriat tona gadishullore nuk i kanë lidhur fare me detin Adriatik dhe për më tepër as nuk i kanë krahasuar së paku as si ngjajshmëri me Adri-at italike.6 (?!)

Cfarë rezulton konkretisht në autorët antikë për detin Adria/ Adriatik dhe Adria-t tona.

Do të ishte shumë e natyrshme dhe e përligjur, edhe nga sa sipërtrajtuam, që te autorët antikë romakë, të kishim pohime të një prejardhje italike të emërtimit të detit Adriatik. Mirëpo rezulton se pohime të tilla krejtësisht të qarta, të cilat të korespondojnë edhe me ato të autorëve antikë grekë, nuk ka.

Straboni, që në zërin Adria është më i bollshmi, shkruante: “Nga veriu deti i Sicelisë arrin deri te kepi japyg, te gryka e gjiut të Jonit…malet Keraune janë fillim i ngushticës së gjireve Jon e Adria… Gjiu i Jonit është një pjesë e atij, që ne tani e quajmë Adriatik, i cili djathtas kufizohet nga bregu i Ilirisë dhe majtas nga bregu i Italisë, deri në fund ku gjendet Akuilea… gjatësia e tij është rreth 6000 stade, gjërësia e tij më e madhe nuk i kalon të 1200 stadet”.(G.II, 20. 5; VII, 8)

Ai vazhdon: “Pas këtyre vijnë gjithë ata që zënë brigjet e gjirit Adriatik dhe teritorin e Akuilesë…Në malet Apenine gjendet një liqen, nga i cili del lumi Atesin; ky lum pasi merr me vehte edhe lumin tjetër Atagin, derdhet në Adria… Një tjetër vargmal shkon drejt Ilirisë e Adrias… Akuilea, që është nga të gjitha qytetet e këtij vendi, më afër fundit të gjirit të Adrias, ka qenë ndërtuar nga romakët për të përmbajtur barbarët.. Anijet e ngarkesës arrijnë në këtë vend nëpër Natiso, duke kaluar një largësi më tepër se 60 stade. Kjo është qendra e tregëtisë së romakëve me ata popuj ilirë që janë afër Istrit…(IV, 6.9; V, 8.1)

Sic shihet me Adria, gjithkund kuptohet vetëm deti ose gjiri i Adrias/Adriatikut, ku derdhet lumi Po dhe afluentët e tij.

Duke iu referuar Theopompit të shek IV p.e.r. (sipër. cit.) Straboni (VII, 9) vazhdon: “Theopompi thotë se nga këto emra njëri (është fjala për emrin e detit Jon. A.L.) rrjedh prej sundimtarit të këtyre vëndeve, që ishte nga Isa dhe emri Adria rrjedh prej lumit omonim … Theopompi thotë edhe disa gjëra të tjera të pabesueshme… që (lumi) Istri me një nga grykat e tij derdhet në Adria. Të tilla janë edhe disa thashetheme të Eratostenit, sic thotë Polibi…I gjith bregu i Ilirisë është me shumë porte të mira si në bregdetin e gjatë e si në ishujt e afërm, kurse përkundrazi nga ana e Italisë përballë s’ka porte”. (kupto të mira. A. L; Strab. VII, 9, 10)

Të vihet re pra se Theopompi në shek IV p.e.r., tre shekuj para Strabonit, kishte pohuar se “emri i detit Adria/Adriatik rrjedh nga emërtimi i një lumi si Adria”, porse nuk kishte bërë ndonjë lokalizim dhe identifikim me ndonjë lum Adria të Italisë, përkundrazi sic do ta shohim në autorë të tjerë, lokalizimi ishte në bregun ilirik. Gabimet, ose thashethemet e dëgjuara të shek IV p.e.r. si psh “derdhja e një dege të Istrit/Danubit në Adrian det”, sigurisht se janë të falshme.

Le ta shohim tani se në cilin teritor mund të lokalizohet ky lumi Adria, të afrojmë edhe një krahinë të madhe që quhej Adria dhe ti trajtojmë pak edhe Adria-t e tjera ilire, duke ja kundërvënë asaj qytezës shumë të lashtë etruske – italike.

  1. Bizantini i shek VI, duke cituar shumicën e autorëve antikë, na ka lënë një vepër të sintetizuar të shkëlqyer, “Peri poleon kai demon”, ku shkruan edhe për qytetet dhe popujt ilirë e epirotë, ku jep edhe të dhëna me shumë rëndësi të karakterit gjuhësor, mbasi ai vetë ishte një leksikograf i shquar etj. Ja si shkruan ai: “ABROI, fis pranë Adrias së taulantëve, fqinj të helidonëve, sipas Hekateut…

ADRIA, qytet dhe pranë tij gjiri Adrias si edhe lum, sipas Hekateut. Krahina është e pasur me kullota, prodhon dy herë në vit, lindin binjakë, shpesh edhe tre katër keca në vit, gjithashtu në disa raste edhe pesë e më tepër; dhe pulat pjellin dy herë në ditë dhe nga madhësia janë më të vogla se të gjitha pulat e tjera. Qytetari dhe banori adrianos, sipas Asianit. U thonë edhe adriates dhe detit- Adriatik”. ( f 416)

Mund të konstatohet fare lehtë se informatat e Hekateut të shek V p.e.r dhe Asianit, interpretohen nga Bizantini me një vendodhje përgjatë bregut Adriatik të gadishullit tonë.

E kemi të bazuar lokalizimin e “qytetit Adria, lumit Adria, krahinës Adria, banorëve adriates”, në bregdetin tonë Adriatik, nga fakti se në Iliri e ka vendosur vetë Aristoteli i shek IV p.e.r. këtë “krahinën Adria, ku dhitë pjellin nga tre – katër keca në vit dhe pulat nga dy vezë në ditë”, informatë të cilën, padyshim se edhe ai e ka marrë nga Hekateu i shek V p.e.r. , po ashtu si Bizantini.

Ja ta citojmë për siguri dhe krahasim Aristotelin (842, b): “Thuhet se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër… Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vënde tjera, po pjellin dy e tre herë në ditë…” Po këtë Iliri e ilirët, ka parasysh edhe Skymni i shek III-II p.e.r., kur shkruante:

“Pastaj vjen i quajturi det Adriatik,

Theopompi përshkruan pozicionin e tij,

ai bashkohet me detin Jon…

Thonë se rreth detit Adriatik,

banojnë një shumicë e madhe barbarësh,

pothuajse njëmilion e pesqindmijë

e aty, sic thonë edhe bagëtia pjellin binjakë… Iliria një tokë e gjatë…anës detit Adriatik…”

(Scymni, Europa, 368-440)

E dhëna e Hekateut shek V p.e.r. korespondon me atë të Theopompit shek IV p.e.r., që “lumi Adria i ka dhënë emrin detit Adria” dhe se teritori se ku ndodhej ky lum lokalizohet krejtë i qartë në hapësirën tonë ilirike, nga Aristoteli i famshëm i shek IV p.e.r. etj. Hekateu që ka qenë më i hershëm se Theopompi, kishte edhe elementin qytet, përvec lumit.

Straboni shënonte: “Fiset panone janë breukët, andrizetët, ditionët, peirustët, mazejtë dhe desidiatët…Përvec këtyre janë edhe disa fise të tjera të vogla më pak të rëndësishme dhe që shtrihen gjer në Dalmaci e gjer në krahinat e ardianëve, nga ana e jugut. I gjithë vendi që shtrihet nga gjiri i Adrias, vend malor, gjer në gjirin e Rizonit dhe tokën e ardianëve… bie midis detit dhe fiseve panone”. (VII,5.3)

Konstatohet se autorët antikë krahas makroemërtiveve hidronime si deti e gjiri Jon dhe Adriatik, përdornin edhe ekuivalente si deti e gjiri i Ilirisë apo Italisë e madje edhe si “gjiri i Europës”. Në raste të tjera kemi edhe emërtime lokale si psh “deti i Dalmacisë”, “deti i Sicilisë” etj, dhe në këtë rast të tilla mikroemërtime kemi me “gjirin e Rizonit dhe gjirin e Adrias”, ku mbase do të kishin edhe “gjirin e lumit Drin”, tonin. Me krahinën ose me detin Adria duket se shkon edhe ai “Baretion, fshat pranë Adrias” e Bizantinit (f 417), informatë për të cilën ai na jep edhe referencën nga Theopompi, XLII, për të cilën ne mendojmë se shkon me Barin/Tivarin, që italianët e bënin si Antivarino, megjithse nuk janë në vijë të drejtpërdrejtë.

  1. Livi shek I p.e.r. , sic e shënon red. “si gabimisht” e shkruante Drinin e Skodrës si Oriund, lumë “i cili buron nga mali Skord dhe pasi përmbledh Klausalin dhe Barbanën që buron nga liqeni Labeat, derdhet në detin Adriatik. (XLIV, 31)

Shihet se ky Oriund, që mund të ishte si Driund, ka gabim edhe në vendburimet, ndërsa e sjell Barbanën/Bunën me derdhje në Drin e jo të kundërtën. Në këtë arsyetim shkon afërsisht edhe Ptolemeu, kur menjëherë pas Ulkinion, vendos “Gryka e lumit Drilon”, që shtrihet deri te Lissos. (II, 16,3 e 4)

Rëndësia e Drinit tonë shihet se ishte një pikë-qendër edhe për gjeografët edhe për navigatorët, kur Plini shkruante se “Iliria, në gjerësinë më të madhe shkon 325 000 hapa; gjatësia e saj që nga lumi Arsia deri te lumi Drin arrin 800 000 hapa. Nga Drini deri në Kepin Akrokeraun janë 172 000 hapa. Agripa e ka matur këtë gji të Italisë dhe Ilirisë me 1 700 000 hapa. Ky gji, në kufijtë që i kemi dhënë përfshin dy dete: detin Jon në pjesën e parë, më brënda Adriatikun, që e quajnë të epërm”. (Plini, III 26,29)

Sipas Apianit: “Agroni ishte mbret i vendit të ilirëve… ky i kishte shtrirë pushtimet që nga Fari e deri në Epidamn e Korkyrë dhe kishte një flotë të madhe…pretendonte trashigiminë e Pirros së Epirit…” (H.R. Ilyrike, 4.7)

Ndërsa Dion Kasi na sqaron se Agroni sundonte edhe mbi ardianët e po ashtu edhe Teuta e shoqia. (H.R. f 272)

Mund të konstatojmë se Shkodra ndodhej afërsisht në qendër të hapësirës gjatësore të Ilirisë e Epirit dhe mbase kjo mund të ishte një kanditate e asaj Adria-s, si lumë e qytezë. Kujtoni ato monedhat si Drinon e Dreinon. Na duhet të shënojmë këtu të gjith shtrirjen që zënë Drinët në gadishullin tonë gjërazi e gjatazi, cka edhe shkon me hapësirën e ilirëve.

Nga Straboni nxjerrim edhe këto: “Buzë detit Adriatik është pothuajse e tërë Ardia, kurse në mes ndodhet Paionia…Është edhe mali i Adria, që e ndan Dalmacinë…pastaj është lumi Naron, rreth tij janë ardianët…afër ardianëve është Fari…Ardianët më vonë i quajtën edhe uardanë…pas bregdetit të ardianëve dhe plerejve vjen gjiri i Rizonit dhe qyteti Rizon dhe disa qytete të vogla. Vjen edhe lumi Dril, i cili më thellë nga lindja arrin deri në Dardani…

(VII, 5, 6,7)

Tani vëreni me kujdes se si edhe Ardia ilire ka aty afër malin Adria. Shikoni po me kujdes se si emrat e ilirëve adrianë paraqiten me trajta që variojnë si: “ardianë, uardanë, vardajt, vardeioi, sardiejt” të cilat kanë nevojë për specifikime e mendime kompetete të gjuhësisë. (shih në Treguesin e emrave)

Nga Theopompi i shek IV p.e.r. kemi informatën e sigurtë të regjistruar se në atë kohë kishin ekzistuar fiset ardiane dhe që madje ishin mbizotërues në një hapësirë të madhe, kishin një sasi prej 300 000 skllevërish etj.(Atheneu, VI, 271e 101)

Duhet theksuar këtu se cfarë tregëtie kolosale skllevërish duhet të kenë bërë këto ardianë/adrianë, megjithse edhe kjo shifër hyn në ato ekzagjerimet e Theopompit.

Duke iu referuar Treguesit të emrave, shohim se në teritorin tonë të bregdetit dhe atë të brendshëm gadishullor, kemi disa emërtime me “Drin” dhe kemi disa qyteza a qytete të tipit Adria, si psh: Adra, Adrise, Hadre, Jadera, qytet i Liburnisë, (Ptolemeu, II, 16,6 etj) që shkon me Zadarin e sotëm. Të kujtojmë këtu se sllavët e sollën edhe detin Adriatik si Jadranskoje more. Pra Jadera e Jadranskoje shihet qartë edhe me sy të lirë se kanë një lidhje. Në këtë hulli për mendimin tonë do të shkonte edhe emërtimi i alpeve Dinarike, ku me një”r”, do të ktheheshin si alpet Drinarike. (Për krahasim po kujtojmë edhe malin Jablanica, ku me heqien e “J” sllave dhe metatezën “lb” do të kishim malin Albanik ?)

Po kështu kemi Adrianon, fortesë në Maqedoni (Proc. IV, 4); por kemi edhe monedhë me etnikonin ARDIANON e gjetur në Elbasan, sipas N. Cekës.7

Në librin e tij të fundit “Ilirët”, 2001, N. Ceka, nuk e ka rradhitur edhe qytetin Adria, si një ndër më të hershmit, krahas Sesaretit etj dhe ne do të thoshim se ky duhet të jetë. Pretendimi aq i sigurtë italian, besojmë se lëkundet akoma më shumë po të kujtojmë se në atë zonë ku ata kanë Atrin/Adrian dhe një degë të parëndësishme të lumit Po, ka pasur infiltrime të jershme të etruskëve dhe të vetë ilirëve adrianë.

Përfundime: Lumi Adria, krahina Adria etj, që përmendin autorët antikë të hershëm si Hekateu e Theopompi etj, që sipas tyre i ka dhënë emrin edhe detit Adriatik, rezulton në teritoret ilire. Mbetet për identifikim qyteza Adria, që kërkon të dhëna të tjera, të dhëna arkeologjike etj. Emërtimi ilir i detit Adriatik, qoftë edhe si një luftë konkurrence midis romakëve e ilirëve, dëshmon për një ekzistencë të thellë të këtyre fiseve në teritorin e gadishullit tonë dhe se ata kishin karakteristika të një faze të etnosit.

Referencat Bibliografike:

* Të gjitha referencat nga autorët antikë janë nxjerrë nga libri “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965. Për lehtësi leximi dhe për mosngarkesë të panevojshme ref. e autorëve antikë i kemi vendosur në tekst në kllapa.

  1. A. Luka, “Shënime për Komunën qytetare republikane të Shkodrës në shek XIV – XV, sipas M. Barletit dhe M. Becikemit”, ruajmë origjinalin me shënimet e prof. Z. Shkodra)
  2. E. Cabej, “Studime Gjuhësore”, V. I, Prishtinë, f 285; J.G. Hahn, “Albanische Studien”, I, 1853, f 238; A. Xhuvani, E. Cabej, “Parashtesat e gjuhës shqipe”, bot. në “A. Xhuvani”, Vep. 1, 1980, f 406.
  3. D. Luka, “Rreth prejardhjes së emrit Shkodër”, në “Sem. I, Ndërkombëtar Shkodra në shekuj”, Shkodër 1994, f 223-228.
  4. A. Luka, “Diskutim rreth kronologjisë, etimologjisë dhe evolucionit të emërtimit Shkodra”, gaz. Shqip. Etnike, 14 Qershor 2001.
  5. S. Islami, “Le Monnayage de Scodra, Lissos et Genthios” me Katalogun e monedhave, në Rev. “Studia Albanica”, nr. 11, 1966, f 225 – 253.
  6. E. Cabej, “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, III, 1987, f 319, zëri Drin.
  7. Monedhë me etnikonin ARDIANON, kumtim gojor i N. Cekës, dhënë B. Jubanit, në “Varreza tumulare e Cinamakut, Kukës”, bot. në “Përmb. art. për Hist. e lashtë të Shqip.”, I, Disp. nga S. Anamali, 1971, f 198-200; Krs. për qytezën Adria edhe në “Hist. e Shqip.”, tekst maket 1974.