Dëshmia rrënqethëse: “Deri në tetë vetë, pasha këtë kryq, i kam shti vetë në dhè me shokët e mi”

Nikollë Dojanaj, dëshmon 17 vjeçari në kampin e Tepelenës, dënimi me vdekje, falja dhe më pas 25 vjet burg

“Deri në tetë vetë, pasha këtë kryq, i kam shti vetë në dhè me shokët e mi. Deri 8 vetë në ditë. Krimet e komunizmit nuk i beson kurrkush” 

“Askush në botë nuk i beson vuajtjet e Tepelenës. Asnjë teshë, asnjë fije ushqim, as një fije çaji, as çfarë i ka dhanë e falë zoti kësaj toke, nuk na kanë dhënë. Isha me dy axhat e mi, me nanën Lenë, me motrën Diella, Frani, Dranja dhe Mria. Zefi ishte ushtar, e kanë arrestuar në ushtri, e kanë sjellë tek ne në Tepelenë. Jetonim vetëm me 600 gramë bukë thatë… Deri në tetë vetë, pasha këtë kryq, i kam shti vetë në dhè me shokët e mi. Deri 8 vetë në ditë. Krimet e komunizmit nuk i beson kurrkush!”, kështu e kujton Nikollë Gjek Dojanaj, kampin e Tepelenës. Ishte adoleshent në atë kohë, vetëm 17 vjeç kur u internua në kampin e Tepelenës, sepse i vëllai u arratis. Nikolla mban mend mirë gjithçka ndodhi në Tepelenë dhe rrëfen me gjuhën e dhimbjes, jetët e humbura në atë tokë, për pesë vite. Rrëfen se si fëmijë, gra e të rinj humbën jetën dhunshëm në atë kamp internimi, ndër më të tmerrshmit e diktaturës komuniste. Në librin ”Kampi i Tepelenës”, botim i AIDSSH, Nikolla sjell detaje të rëndësishme të mënyrës se si regjimi komunist sillej me pjesën më të pambrojtur të Shqipërisë, gra fëmijë e pleq. Sjellja me të vdekurit, për Nikollën, ka mbetur në kujtesë, si një ndër gjërat më të tmerrshme të diktaturës komuniste, në kampin e Tepelenës.

Rivarrimi

“Dikur erdhën ata të inspektimit, e kanë pa vendin aty, pak vend, dhe kanë thënë t’i heqin prej aty e t’i çojnë në tjetër vend. I hoqën varret prej aty i çuan afër lumit, 100 apo 200 metra afër kampit. Varrimi nuk është asgjë, por t’i marrësh kocka zbërthyer… nuk shpjegohet tani, t’i marrësh e t’i lidhësh… Gjëja më e tmerrshme është të nxjerrësh të vdekurin për të dytën herë. Për të dytën herë është dhimbje. Vuajtjet e komunizmit nuk përfytyrohen e as nuk i beson kërrkush. Tash më duket sikur nuk i besoj as vetë, e jo tjetër kush!”

Uria

“Varfëri, varfëri. Pleq e fëmijë. Kanë qenë kazermat ushtarake tri katëshe, e tri palë krevate. Nuk mund të rrije në shtrat drejt, por hyje në fund nga këmbët e po andej dilje jashtë saj, se nuk mund të rrije në shtrat. Deri në 4200 kemi qenë në Tepelenë. 600 gr bukë kollomoq. Duhej mbartur buka e të hidhej në lumë, se qelbej vendi. Pas një viti, na kanë prurë nja 20 fuçi hekuri. I kanë prerë përgjysmë, medemek për të na bërë gjellë. Kishte ndryshk hekuri; i kanë hequr e kanë prurë kazanë prapë, prapë po ato fuçia, vetëm se i kishin marrë në repart ushtarak, ku kanë la teshat. Atje, përgatit sëpata, bëj dru, nxirri në rrugën e makinës e bëji stivë, e ngarkoi për ushtrinë, për policinë, për degët e brendshme, për tërë Republikën. Mos të bëje gjë, nuk të rrihnin, por të fshiheshe nga puna, të mos punoje …kur ulesha vetë duhej të ulja edhe drutë. Sa lindte dielli, të shihte polici e gjithë ditën e gjatë, e në darkë duhet të shkoje prapë atje, prapë natën, kur vinte makina, se duhej ngarkuar me dru”.

Epidemitë

“Kur kemi shkuar sefte, kemi çuar nja 3-4 vetë në spital. Njëri nuk është kthyer, 3 janë kthyer, as ka patur infermieri, as infermiere, as spital. Motra shkoi në spital, e kemi çuar në Gjirokastër. Dy janë kthyer, dy nuk janë kthyer. Motra është kthyer veti dytë, dy nuk i dihet as sot. Kanë shkuar 4 fëmijë, dy kanë vdekur, vetëm motra ime me gjithë një tjetër kanë ardhur gjallë. Na kanë liruar atëherë, ne kanë ardhur e na kanë marrë njerëzit tanë që i kishim të afërt.

Ka vdek ai… prej Hotit… e kanë vu në makinë e ai ka vdekur rrugës. E kemi shtirë në dhè në Tepelenë. Skamje. Pa kurrfarë ushqimi, pa kurrfarë gjëje, pa kurrë një gram gjëje. 4 gramë vaj, e kanë thënë, medemek, se 4 gr vaj e kemi patur me ligj… Kanë thënë 4 gramë e nuk kanë qenë as 2 gramë. 100 vetë 400 gramë.

Ka patur infermierë të vjetër, por jo, nuk vinte kush të bënte vizita. Jo! Nuk mbaroi me kaq.

Arrestimi

Sa u lirova nga internimi, më morën ushtar e shkova në repartin e punës. Edhe aty, pa të drejtë arme, u shoqërova me shokë të mi, një shok prej Kruje, një shok prej Malësie. Atij i kishin vrarë babën edhe vëllaun. I thoshin Naim Kupi. Babën edhe vëllain, edhe nënën në burg. Edhe priste ta arrestonin. Më thotë mua,-nga është kufiri? Edhe një shok tjetër që i kishte vdekur babai në mal, i thoshin Llesh Grisha, janë bërë bashkë. E i kam marrë e i kam kaluar përtej kufinit. Pas 1 viti, jam zbuluar, se si u mor vesh, por u mor vesh e më internuan familjarisht në Lushnje. Edhe në Lushnje, pas 10 muajsh, erdhën më arrestuan, më çuan në Shkodër, e aty më dënuan me vdekje: -Pushkatim!

Akuza

Akt akuza ishte se përcolla 4 vetë. Përcolla, Naim Kupin me nënë e me motër edhe Llesh Grishën, që i kishte vdekur babai në mal. Më dënuan me vdekje, pushkatim. Kam bërë 14 vjetë e gjysmë në burg të Shkodrës, nga atje në kampe, në Laç e Fushë Krujë, Elbasan, në Fabrikë të çimentos, në sodën e në kripore tëVlorës, në Ballsh të Fierit, në kombinatin e mishit në Tiranë, në Uzinën e Traktorit, të gjitha në këto kampe. Vdekje me pushkatim nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës, vdekje me pushkatim nga Gjykata e Lartë, atëherë pas 59 ditëve, më ka ardhur vendimi prej Presidiumit të Kuvendit Popullor. Presidiumi më fali jetën, la dënim vetëm 25 vjet. Ato nuk duhet me i përmend. Arsyeja pse nuk duhet me i përmend, gjithkush … nuk di si ta shpjegoj. Gjithkush do që të hajë një kafshatë bukë. Të jesh e bindur se prokurori e ka pas urdhërin prej Komitetit nga larg. Gjyqi atë kohë, bëhej prej tavolinës, jo prej sallës së gjyqit. Jo, foli avokati, jo foli ky e ai… Gjyqet politike janë bërë në tavolinë! Ta ka çuar gjykata për ulje në 25 vjet dënimin nga vdekje me pushkatim, s’ka pas mundësi prokurori më shumë, as kurrkush. Ka qenë me vendim i tjetër kujt.

Tortura

Pasha jetën e Pasha Zotin që mbi jetën e mbi Zotin, kur m’i kanë zgjidhur hekurat, kam qenë 59 ditë i dënuar me vdekje me pushkatim. Pasha Zotin, 10 gishtat e duarve dhe 10 gishtat e këmbëve nuk mundesha t’i lëviz prej hekurave, veç kanë qenë të vdekura, dru. Kisha ndenjur në birucë edhe tri javë me ujë të nxehtë e me krypë. E merrnin në kuzhinë e ma sillnin në birucë. Nuk isha i zoti as të vishesha, isha bërë cung, derisa fillova të lëviz gishtat e duarve dhe të këmbëve e të çohem në këmbë, të flas me të burgosur. Nuk jam gëzuar, kur s’ke këmbë e s’ke duar, me  robtë të internuar ç’më duhej jeta? Kur shkon në atë mënyrë, thua, o zot më merr. Tash, është gjynah të hysh në gjynah, por i jam lutur zotit, i jam lutur zotit, o zot të iki nesër. S’ka kurrfarë shprese në këtë jetë. Unë 25 vjet në burg, robtë në internim, çfarë shprese të kisha? Lut zotin të ecja, s’ka! Të të marr e të të çoj atje, ti çmendesh! Vëllai shkoi andej, neve na internuan. Bëra faje, prapë internova edhe të tjerët. Tani edhe të të bjerë tjetri te dera, o duhet të pritesh o të koritesh, por të koritesh nuk bën! Pastaj ka shkuar në Gjemani e ka punuar. Ka punuar në armatën amerikane, ushtarak me Naton-n.

Në atë vit që vëllai iku në Jugosllavi, ne kemi qenë miq me Jugosllavinë. Tito me Enver Hoxhën e kishin bërë planin e për zotin nuk kemi mbjellë një kokërr kollomoç, as një fije groshë, as kërtollë, veç ka qenë plani ta fusnin në shishe këtë popull. U mboll vetëm luledielli. Mos t’i linin njerëzit të punonin, veç të mbillnin luledielli për t’i çuar në Jugosllavi e Jugosllavia, medemek, do na sillte kollomoç. Edhe luledielli nuk eci mirë aspak. Pra, Enver Hoxha ka qenë njeriu më i tmerrshëm në botë. Bashkë më klyshët e vet me shokët e vet”.

Marrë nga Libri  “Kampi i Tepelenës”, botim i AIDSSH-së. Intervistoi Kristale Ivezaj Rama

Kujto.al