Departamenti Amerikan i Shtetit: Deputeti shqiptar, Tom Doshi, i padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Deputeti Tom Doshi i Partisë Socialdemokrate u shpall sot person “non grata” bashkë me familjen e tij nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas njoftimit të DASH, Tom Doshi u shpall i padëshirueshëm për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”.

“Departamenti e shpalli publikisht z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë deklarata. “Ligji kërkon gjithashtu që Sekretari i Shtetit të dizenjojë zyrtarë të tillë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjet e tyre. Përveç dizenjimit të z.Doshi, Departamenti dizenjon publikisht edhe bashkëshortjen e z.Doshi, Xhovana Dhosi, vajzën e tij të rritur Briana Doshi, djalin e tij të rritur James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur,” vijon më tej deklarata e DASH.

Ndërsa radio shtetrore “Zëri Amerikës” në versionin online shkruan se: “Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij. Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni. Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë”.