Degjenerimi i një proteste ose mënyra e rafinuar e mbrojtjes së themeleve të kalbura të një shteti të kapur

Nga Albert Vataj

Protesta e sontme para godinës së Këshillit të Ministrave është ana më e trishtë e degjenerimit të frymës reaguese ndaj një prej precedenteve më kërcënuese të ekzistencës së shtetit. Kanalizimi i problemit te vajza fatkeqe është thjeshtëzim ose shkallmim që në embrion i një kauze. Politika dhe veglat e saj, iniciuese të kësaj proteste, qëllimisht ndoshta kanë shmangur problemin e problemeve, vënien para përgjegjësisë së atyre shtetarëve që nën imunitetin e vullnetit të zgjedhësit, ata kanë kërcënuar, jo vetëm një efektiv të ligjzbatimit, por vetë shtetin.

Nuk mund ta besoj se e gjithë kjo gjëmë do të katandisej në një protestë mjerane, me gjithë respektin e atyre që duke qenë të ndjeshëm ndaj fatit të keq të një vajze, i janë përgjigjur thirrjes për reagim. Ju që i keni bashkuar zërin tuaj kësaj proteste, padashje i keni bërë një shërbim pandëshkueshmërisë. Të nderuar, dikush po ju përdor në një mënyrë shumë të rafinuar, shumë të paskrupullt, shumë hileqare. Vajza e përdhunuar, fati i saj i marrë nëpërkëmbë nga biri i një njeriu të veshur me pushtet, janë shkaku i problemit, problemi është shteti, shkallmimi i tij në mënyrën më të dënueshme.

Si mund të tolerohet fakti që një përfaqësues i popullit, një drejtues i strukturave qëndrore të partisë-shtet, një drejtues i pushtetit vendor, hyjnë në institucionet e shtetit dhe kërcënojnë me armë një efektiv policie, një drejtues, një zbatues të ligjit dhe… një tufë sejmenësh të policisë dhe drejtësisë që për hir të rrogës dhe paqes personale i bëhen urë nënshtrimit të shtetit. Dhe gjithë këtë kapje të shtetit e thjeshtojnë me rikuperim të nderit dhe dinjitetit të humbur të një vajze fatkeqe, që në fakt e gjithë kjo që po ndodh, sot në protestë dhe ditët pararendëse në media dhe opinione është përrallimi i jetës së saj. Asgjë mbetet ajo që ka kaluar kjo vajzë, çfarë detyrohet të përballojë ajo, sepse kështu do një palë kokëprerë e opinionit reagues, dikush për t’u ç’burgosur nga anonimati, dikush për të fituar popullaritetit, dikush tjetër për ta shfrytëzuar si trampolinë për qëllime të tjera.

Ja se si ne, duke reaguar për një problem kaq të rëndësishëm, e degjenerojmë duke e vënë shtetin para dhunimit të një vajze, ndërkohë që është konsumuar nën dritën e fakteve ekzekutimi i shtetit të ligjit, shtetit të së drejtës.

Unë solidarizohem me zgjidhjen e problemit që rëndon në nderin, dinjitetin dhe integritetin e Xhisiela Malokut, por nëse ne kërkojmë përmes kësaj proteste vënien para përgjegjësisë të gjithë aktorët e përfshirë në këtë masakër të ligjzbatimit, do t’i kishim bërë një shërbim vajzës fatkeqe dhe gjithë atyre vajzave dhe grave, zëri i të cilave shuhet në sportelet e komisariateve të policisë së shtetit, për t’iu nënshtruar dhunës dhe persekutimit të burrave, dashnorëve dhe gjithkujt që mendon se qytetërimi ende nuk është çliruar nga vargonjtë e barbarisë dhe logjika e shpellës.

Nëse sot zgjodhëm të protestojmë për vajzën e të drejtës së nëpërkëmbur, qëllimisht kemi toleruar krimin e kapjes së shtetit nga njerëzit e pushtetshëm, atyre të cilëve, dje shteti, sot vullneti reagues popullorë, ia njohin dhe ia legjitimojnë si një të drejtë të skajshëm të abuzimit me detyrën.

Xhisiela Malokut, sot protesta nuk ishte që të mbronte dinjitetin tënd, por t’i bëhej mburojë themeleve të kalbura të një shteti, të cilin nuk ka kush ta rrëzojë, edhe pse ai qëndron përdhunshëm si në ulok në këmbë të gangrenizuara.