Dedë Gjo’ Luli, udhëheqës i Kryengritjes për Liri dhe Pavarësi në Malësi të Madhe

Nga Age Ivezaj
New York, Diplomuar në Universitetin
Gjuhë – Letërsi, Prishtinë

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, u drejtua me largpamësi e guxim të pa shoq nga krye-trimi i këtyre zonave malore, Dedë Gjon Luli, i cili u mbështet fuqimisht nga luftëtarët e tijë trima. Kjo ishte përpjekja mbinjerëzore e burrave kryengritës që luftuan si luanë ditë e natë, duke u hedhur nga njëri shkëmb në tjetrin për të dëbuar pushtuesit e hordhive osmane. Ata ishin të vendosur dhe luftuan me trimëri deri në flijime jetësh, të frymëzuar prej idesë së madhe të Plakut të urtë të Vlorës për pavarësi të trojeve tona Etnike; duke vënë të gjithë së bashku, gurë-themelet në shtetin e parë dhe të lirë demokratik Shqiptar. Kjo datë e shënuar historike i bën edhe më krenarë malësorët e Malësisë së Madhe, nga që e kaluara e tyre është e mbushur me shumë trimërira të pa shoqe, por edhe disi ndryshe, me një dhimbje të thellë; sepse ndihen të ndarë nga vëllezërit e tyre, të cilët janë shqiptarë si të gjithë shqiptarët e Shqipërisë; ato qëndrojnë akoma të nënështruar jashtë lirisë dhe gëzimeve shqiptare, të shkëputur nga shteti ynë mëmë. Pa dashur të përsëris, ne shqiptarët kemi historinë më të l avdishme ndaj armiqve tonë shekullorë otomane apo osmane dhe prej pushtuesve me të pa mëshirshëm ndaj nesh, sllavëve të ardhur që përtej uraleve gjatë shekujve të kaluar dhe nuk duhet të harojmë për asnjë çast, se amaneti i të parëve tonë që ranë dëshmorë për bashkimin e trojeve tona duke u flijuar për këtë tokë e flamur të kuq me shqiponjën dy krenare në mes, nuk u realizua plotësisht; sikurse Malësia e Madhe dhe gjysma e të gjitha trojeve shqiptare, të cilat mbetën të shkëputura, apo sikurse thuhet: « Pjesët më të mëdha të trupit që rrethojnë zemrën shqiptare, janë të shpërndara nëpër shtete fqinjë të ballkanit.”
“Dedë Gjon Luli, asht pushkë e ngrehun për shqiptari”; kështu e pati quajtur Ismail Qemali në ditën e shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk ishte një kryengritje lokale, e 5 ose 7 maleve të malësisë, por e të gjitha maleve të mbi Shkodrës e nën Shkodër, e cila u krye sipas idesë së madhe, rreth bashkimit të trojeve tona shqiptare, duke koordinuar bashkëluftimet me forcat kryengritëse të Kosovës, të udhëhequra nga Isa Buletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Shota e Azem Galica etj; të prirë edhe nga intelegjeca patriotike shkodrane me në krye: Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi, Risto Siliqi, At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda etj.
Dedë Gjon Luli ishte organizatori i parë i kryengritjes. Që në fillim të sajë, njëzetë djemtë e përzgjedhur për luftime nga zonat hotjane, sulmuan me shpejtësi të rrufeshme postet kufitare në Traboin e Rapsh dhe i muarën ato brenda një kohe të shkurtër. Këto trima ishin të prirë nga vendosmëria e luftës për Liri e Demokraci, dhe ushëtima e krismave të pushkëve të tyre, çoi menjëherë grumbullimin e mbi 3.000 burrave të maleve tona, të cilët u reshtuan që në fillim në rradhët e trimave të Malësisë së Madhe. Lufta në Bratilë e Qafë të Ugles, Rapsh e Qepur, ishte vetëm një pjesë e fronteve të përgjithëshme që kishin përfshirë të gjitha malet e malësisë veriore të Shqipërisë. Bëhesh rezistencë e vazhdueshme edhe kundër sulmeve të Durgut Pashës, i cili kishte sulmuar në prapa-shpinë Këlmendin e Shalën. Nëpër shkëmbijtë me thepa të këtyre maleve të larta të Shqipërisë veriore, bënin luftime të rrepta edhe kryengritës të tjerë, sikurse ajo e udhëhequr nga “Gjenerali” Shqiptari i vendosur për të fituar Lirinë; Trimi i pamposhtur i Dukagjinit, Mehmet Shpendi.
“Kenkan nisë e n’Shkodër ra, / Kenkan nisë po n’ Plan me shkue. / I paskan gri edhe coptue, / Me dorë t’vet i ka tradhtue! / T’enjten mbrama u ba kërdija; / Mbet Mehmet Shpendi e Marash Delia.”
Në kuadër të kryengritjeve të mëdha që populli ynë i zhvilloi për çlirimin dhe bashkimin kombëtarë, u udhëhoqën nga idetë e çmuara te Ismail Qemalit dhe Dedë Gjon Lulit. Kryengritja e Malësisë së Madhe, kishte kurdoherë para syve të vet, boshtin e sajë kryesor për rishpalosjen e flamurit të Gjergj Kastriot – Skëndërbeut, i cili u valëvit përsëri i lirë e krenar dhe ribashkoi të gjithë shqiptarët pas robërisë së gjatë 467 vjeçare; me qëllim e mirë që jo vetëm të mbahej lart morali i udhëheqësve dhe malësorëve trima të Shqipërisë veriore, por edhe t’iu tregojë pushtuesve barbarë turq dhe armiqve të shteteve fqinjë që ishin bërë si bisha të tërbuara, për të na vrarë e për të na shkëputur pjesët më të mëdha nga trojet tona etnike; të cilat janë të vërteta të pa mohueshme të popullit shqiptar; troje tona të lashta Pellazgo-Iliriane. Dedë Gjon Luli e udhëhiqte vegjelinë e vet dhe arriti fitore pas fitoresh në sajë të ideve dhe bashkëpunimit me lidhje e kordinime të forta e të sakta në të gjitha revoltat e krahinave të Shqipërisë; gjë që më së miri e dëshmon edhe Kuvendi historik i Greçës, i mbajtur me 23 qershor të vitit 1911; në të cilën u dëshmua zhvillimi i lëvizjeve në kordinim me formimin e ndërgjegjes nacionale, e cila u shpreh qartë, nga përgjigja që i dha prijësi i tyre përfaqsuesit diplomatik të turqisë në Cetinë, Sefedin beut, në kohën kur diplomatët turk dhe ato serb kërkonin t’i largonin malësorët nga synimet e çlirimit të kësaj krahine. Kryengritësit ishin për me ruejte te pa prekuna trojet e Malësisë; sikurse për të gjitha zonat e Shqipërisë. Rritheksojmë se triumfi fitoreve u udhëhoq me zgjuarsi e trimërira të pa shoqe nga Ded Gjon Luli, dhe se kryengritja ishte e zjarrtë dhe e pa ndërprerë nga përpjekjet e vazhdueshme të luftëtarëve malësorë dhe u përkrah pa mëdyshje nga i gjithë populli Shqiptar për të jetue të lirë në trojet tona të trashëguara nëpër shekuj. Për këto arsye, morën pjesë edhe paria përparimtare e Shkodrës, si: Luigj Gurakuqi dhe Im Zot Bumçi etj, por kishte edhe përfaqsues nga lidhjet dhe kuvendet e Kosovës. Erdhi vetë Ismail Qemal bej Vlora, i cili një vit më vonë, e shpalli botërisht Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Kuvendi i Greçës doli me një plan mbarë kombëtarë, i hartuar nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi, dhe i’u paraqit qeverisë xhonturke, (turqëve të rrinj) pushtuesve sllave dhe fuqive të mëdha. Madje shtypën një broshurë më vehte, të cilën më vonë e quajtën: ”Libri i Kuq”. Memorandumi i Greçës, pati jehonë të madhe, sepse doli dhe u vulos nga vetë populli për tu dalë zot trojeve shqiptare. Kryengritjes së Malësisë së Madhe, i’u caktuan t’i prijnë në krah të Dedë Gjon Lulit edhe Mehmet Shpendi, Nikë Gjelosh Luli, Marash Gjeloshi, Dedë Luli, Tringa e Malësisë etj. dhe kishte në gjirin e vet, gati 10,000 luftëtarë, të cilët çliruan Tuzin, Koplikun dhe më pas u afruan drejt qytetit të Shkodrës. Ngritja e Flamurit Shqiptar në Greçë të Malësisë, ishte kulminacioni i kryengritjes në Malësi të Madhe. Ajo kishte për qëllim kryesor, ti jipte fund robërisë shekullore, për të gëzuar lirinë dhe pavarësinë si Malësi e Komb bashkë; si Shtet i pavarun Shqiptar.
Dedë Gjon Luli luftonte për Liri bashkë me trimat e vet të pa thyeshëm, së bashku me trimëreshat e Hotit, të cilat luftuan krah për krahë me burrat, si: Tringa Smajla e Nore Kolja. Gjelin Çaku e Tome Nikaj, dhe djemte e rinj të Grudës; Dedë Nika e Zef Prela me shokë. Por edhe malësorë të tjerë që u flijuan afër Koplikut te Prroni i Thatë dhe Qafa e Ugles. Trimat e Kojës, shtatë prej të cilëve ranë në përleshjen e betejës së Deçiqit legjendar. Trima të Kelmendit, Kastratit, të Shkrelit e Shalës me prijësat kryengritës të pa mposhtur; Mark Lula, Dasho Shkreli, Vocerr Bala e të tjerë. Për të mbrojtë këto troje shqiptare, ishin betuar prijësit e bajraqeve të Malësisë, Hot e Grudë, në Kastrat e Këlmend, Shkrel e Triesh dhe Kojë; por edhe fiset e tjera të nderuara mjaftë në Malësi të Madhe si: Shala, Shoshi, Krasniqe dhe Nikaj e Merturi. Shpalosja e flamurit kombëtar të kuq me shkabën dy krenare mbi shkrepat e Deçiqit me 6 prill të vitit 1911, ishte një e përbashkët me kulminacionin e rilindjes sonë kombëtare. Më vonë me kryengritësat malësorë u bashkuan edhe shumë shkodranë, dukagjinas, mirditorë e kosovarë; dikush me pushke e dikush me pendë, dhe disa me të dyja, sikurse; Risto Siliqi, Hil Mosi e Luigj Gurakuqi dhe shumë e shumë të tjerë, që e lartësuan epopenë e kryengritjes së Malësisë së Madhe. Atë Gjergj Fishta në kryeveprën e tijë letrare, “Lahuta e Malësisë” i kushtoi njërën nga poezitë më të bukura, Kryetrimit të Malësisë së madhe, Dedë Gjon Lulit dhe bashkë-luftëtarëve të tijë.
Karakteri çlirimtar i kryengritjes ishte kryesisht i drejtuar kundër regjimit Otoman. Me këtë kryengritje popullata shqiptare e këtyre viseve, tronditi përfundimisht themelet e Perandorisë Otomane, e cila ishte në çastet e fundit të jetës, dhe kur po jepte shpirt; i’u shtuan edhe goditjet e pa ndërprera të këtyre kryengritësve trima të viseve veriore shqiptare. Vetë Shefqet Pasha ishte i detyruar të pohonte me anë të një shkrese para padronëve të tijë se: “Edhe përkundër ashpërsisë sonë të vazhdueshme, dhe në mënyrën më të vrazhdët për të mbytur zërrin e kryengritësve shqiptare; ata i kanë dalë zot çdo shtëpie e çdo shkëmbi. Shqiptarët e bashkuar po na habisin për ditë e më shumë me gatishmërinë e tyre për të rënë kurban për lirinë dhe vatanit të tyre!”.
Të mos harojmë për as një çast se kryengritësit malësorë ndodheshin në mes dy zjarreve. Në njerën anë bënin luftë të pabarabartë me taboret e ushtrisë së madhe turke, e cila kishte armatimin më të përsosur për kohën, dhe në anën tjetër, Mali i Zi me në krye mbretin dhelparak të quajtur Nikollë, bënte ç’mos për t’na sabotuar këtë kryengritje; duke përdorun premtime e dredhira dhe duke futur përçarje në mes shqiptarëve. Pasi nuk ia arriti me lajka këtij qëllimi, mbreti Nikollë “u urtësua” i bëri thirrje Dedë Gjo Lulit, që të hynin bashkë në luftë, por me flamurin e tyre serbo-malazes dhe së bashku ta sulmonin Turqinë. Dedë Gjon Luli e njihte mirë politikën dredhuese të shteteve fqinjë, dhe kësaj thirrje, Burri i Malësisë i dha përgjigjen e merituar: “Jo besa, pa ju e kemi fillua luftën dhe pa ju do ta mbarojmë, se nuk duam që lirinë t’ia kemi borxh kërkujt; duam me e fitua me gjak dhe me e gëzuar vetë !”… Qeveria e Sërbisë mbajti qëndrim edhe më të ashpër e armiqësor. Ajo ushqente lakmitë dhe aspirtat e kahershme për trojet tona etnike. Kishte qëllime më të zeza, që ti zbrazë ato; ti përzente shqiptarët nga trojet e tyre; ti veçonte e ti zhdukte udhëheqësit shqiptarë, dhe pastaj… t’i uzurponte lirshëm të gjitha ato troje që i’a kishte qejfi. Për këto intriga e plane gllabëruese, ata i bënin llogarite mirë me sulmime befasira të t’merrshme; makabre! Dhimbje e sakrifica të pa numërta që populli ynë i perjetoi me mjaft vuajtje. Armiqtë dëshironin të na ngulnin thikën në palcë pas shpine, dhe së fundi, shpresonin se do të vinte ajo ditë ku gjoja në emër të paqes, do të vendoseshin edhe kufijtë “e rinjë” të një marrëveshje që mizorisht; na gllabëruan pjesë të mëdha nga trojet tona shqiptare!
Kryengritësit e Malësisë arritën të valvitin të lirë Flamurin Kombëtar kuq e zi me shqiponjën dy krenare në mes, në një pjesë të territorit të tyre që u çlirua me sakrifica të mëdha. Edhe pse për një kohë të shkurtër, lufta mori hov në të gjitha trojet shqiptare, dhe nuk u ndal derisa një vit më vonë, plaku i urtë, Imail Qemal beu i Vlorës, nga ballkoni i godinës pranë sheshit të skelës detare në Vlorë, ngriti Flamurin Shqiptar të Skënderbeut dhe e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Amaneti i të parëve tonë; Naum Veqirharxhit, Kristoforidhit, i Petro Nini Luarasit, i tre vëllezërve Frashëri, Fan Nolit e Konicës, Ismail Qemalit e Dedë Gjon Lulit, Isa Buletinit e Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Bajram Currit, Smail Martinit e Baca Kurtit, Ndre Mjedës e At Gjergj Fishtës, Çun Mulës, Ali Pashë Gucisë e Haxhi Zekës, Idriz Seferit, Shote e Azem Galica, Prenk Calit e Jakup Ferrit, Bajo e Çerçiz Topullit, Asdrenit, Lasgush Poradecit e Mitrush Kuteli dhe i shumë e shumë burrave të tjerë që u flijuan në altarin e atdheut; fatkeqsisht as sot pas 106 vjetëve, nuk u është përmbushur qëllimi i idealit të tyre, për deri sa trojet shqiptare janë ende të shkëputura nga trungu i Shqipërisë. shqiptarët kanë përparuar më tepër se kurrë me parë. Na mungojnë herojtë që dhanë jetën e tyre për këtë ditë dhe me gjithë hallet e problemet e shumta që ballafaqohemi për çdo çast; është hare e madhe për të gjithë shqiptarët me Shqipërinë në Nato dhe Kosovën e çliruar; Dardaninë e Lirë Demokratike dhe të Pavarun, sikurse Shqipëria. Le të shpresojmë se forcat e vërteta demokratike e përparimtare mbarë shqiptare, do të moderohen dhe të çlirohen nga paragjykimet e gabuara; duke kuptuar njëherë e pëgjithmonë se na duhet të mos shkëputemi nga përparimet me drejtësinë e lirisë së vërtetë; në trashëgiminë e pronës, tokës së shenjtë të pronarëve autoktonë sikurse vetë trualli i Shqipërisë që është vetëm për shqiptarët e trojeve të tyre etnike; se vërtet Shqipëria është dhe do të jetë e shqiptarëve dhe të huajtë ta dinë mirë se vetëm ata janë banorët e sajë autoktonë, dhe duhet të gjykohemi kudo si të barabartë midis të barabartëve në Ballkan e më gjërë, vëllezër të vëtetë, dhe të qëndrojmë kurdoherë të bashkuar rreth këtyre idealeve; duke ecur vetëm përpara, drejtë progreseve të mëdha për në Europën e Bashkuar.