Dedë Gjo’ Luli u vra nga serbët, nuk kishin dorë Gjomarkajt

Nga Mark Tirta*

Kohë më parë publicisti Ndue Dedaj, teksa po përgatiste një dosier rreth vrasjes së atdhetarit të madh Dedë Gjo Luli, m’u drejtua dhe mua, nëse si oroshas dhe studiues kisha ndonjë dëshmi rreth asaj vrasje të bujshme të 24 shtatorit 1915. Shfletova blloqet e shënimeve të 60 viteve më parë dhe nxori këto shënime që ia dhashë atij për botim, me synimin që të të mos ketë asnjë hije dyshimi kinse në atë vrasje kishin patur dorë Gjiomarkajt, siç ka qenë pohuar në mënyrë të pasaktë në ndonjë botim të viteve ‘60.
…Kisha dëgjuar që në vogëli se Dedë Gjo Luli e Bajram Curri, në kohë të ndryshme, kishin fjetur disa herë në shtëpinë e gjyshit tim, Prengë Gjin Doda në Orosh. Asokohe baba im ishte i ri e zot shtëpie, kuptohet, ishte gjyshi, në emrin e të cilit njihej shtëpia. Pastaj në vitet 1955-1957 unë kam qenë arsimtar në shkollën 7- vjeçare në Orosh, që ishte vendlindja ime. Isha shumë i interesuar për të njohur të kaluarën historike e etnokulturore të Oroshit dhe krejt Mirditës. Në atë kohë e dija se atdhetari i shquar Dedë Gjo Luli ishte vrarë në Orosh në kohën e Luftës së Parë Botërore, nga serbët. E dija se Mrika e Lleshit të Ndue Gjonit në Orosh ishte mbesa e Dedë Gjo Lulit dhe e bija e Dedë Cokut, malësor i Bregut të Matës në Lezhë. (E shoqja e Dedë Cokut ishte vajza e Dedë Gjo Lulit.) Llesh Ndue Gjoni ishte kushëri i parë i Gjon Marka Gjonit, Kapidanit të Mirditës.
Në ato vite (’55-’57), kur isha arsimtar atje, kam shkuar disa herë te Mrika, në shtëpinë e saj e kam marrë të dhëna për veprimtarinë e Dedë Gjo Lulit, se si ishte vrarë në pyllin Sheshez të Oroshit. Ajo më tregoi shumë gjera për veprimtarinë e Dedë Gjo Lulit, për ardhjen e tij disa herë në Mirditë, në Orosh, për njerëz që kishin qenë në njohje të veprimtarisë së tij. Ndër të tjerë ishte dhe një plak mbi 90 vjeç në lagjen Planetë të Oroshit, tek i cili më dërgoi Mrika. Ai, kur e kishin vrarë Dedë Gjo Lulin, kishte shkuar në vendin e vrasjes, ku kishte mundur të njihej me shumë gjera, e kishte mbartur në shpinë Dedën e vrarë dhe e kishte sjellë te kisha e Oroshit, ku e kishin varrosur shumë njerëz. Mrika më dërgoi dhe te disa njerëz të tjerë që kishin bashkëpunuar me Dedë Gjo Lulin.
Në verën e vitit 1915 Dedë Gjo Luli bashkë me disa burra të tjerë vjen në Kryezez (Mirditë) te bajraktari Prengë Pjetër Gjergji dhe qëndron disa ditë në shtëpinë e tij. Pastaj bashkë me bashkëpunëtorët e tij kërkon të shkojë në Orosh. Bajraktari ngulmon që të mos lëviznin, pasi atje kishin hyrë serbët dhe u rrezikohej jeta, por të rrinin në shtëpinë e tij. Deda këmbëngul që të vejë në Orosh dhe bashkë me të birin e shoqëruesit niset për atje. Atëherë bajraktari i Kryezezit e porosit që të shkojë e të bujë te Prengë Gjin Doda (i ati i Nikollë Prengë Gjinit), ku ky fisnik kishte fejuar një vajzë (Mrikën) e së shpejti do ta martonte. Dedë Gjo Luli udhëton drejt Oroshit me të tijtë, fle një natë te Preng Gjin Doda në Lëgjin e të nesërmen shkon te shtëpia e Lleshit të Ndue Gjomarkut, që siç u tha e shoqja e tij Mrika ishte mbesa e Dedës. Aty Deda rrin disa ditë dhe është pritur te Lleshi dhe Gjomarkajt e tjerë me shumë dashamirësi e nderim si mik shtëpie që ishte, por dhe si bashkëveprimtar me ta në shërbim të atdheut.
Siç kujtonte Mrika dyzet vite më vonë, por dhe burra oroshas të moshuar, ndër ta dhe të derës së Kapidanit, ato ditë që Deda ka qendruar në Orosh e bujtur te Gjomarkajt, nuk ka pasur burra në shtëpitë e tyre, po vetëm gra e fëmijë. Burrat kishin ikur e ishin strehuar nga frika e serbëve. Me gratë e fëmijët pushtuesit nuk janë marrë, pasi ata nuk kishin armë dhe nuk i rrezikonin. Gjatë atyre ditëve Dedë Gjo Luli kërkonte që doemos të takohej me Abat Prend Doçin e të bisedonte me të për ngjarjet tronditëse të kohës në Mirditë. Shkoi disa herë te Abacia e Oroshit, por Abati nuk ishte kthyer nga Shkodra. Ishte një rrugë e vështirë nga Abacia te Sarajet e Gjomarkajve, ku Deda qëndronte.
Një ditë teksa ishte te Abacia Deda kërkoi që t’i gjenin një shoqërues që ta çonte te komanda e ushtrisë serbe në Nënshejt, rrugë që ai vetë nuk e dinte. Siç thoshin oroshasit synimi i tij ishte të ndërhynte te serbët që të mos e terrorizonin Mirditën. Deda niset për atje dhe kur arrinë në Sheshez, 5-6 kilometra larg kishës, në lartësi të bjeshkës së Oroshit, serbët e vrasin barbarisht, pasi i kishin hequr harmaxhikun e duhanit nga brezi. Mbaj mend që e kam pyetur me shumë ngulmim Mrikën e Lleshit të Ndue Gjonit dhe disa pleq të tjerë nga Oroshi (pasi asokohe doja të shkruaja një libër kushtuar këtij heroi të kombit tonë, çka u ndërpre me vazhdimin e studimeve të larta me 1957 për gjuhë-histori) dhe të gjithë më kanë pohuar se vrasësit e Dedë Gjo Lulit ishin serbët, në bashkëpunim me Esad Pashë Toptanin, që në atë kohë ishte në shërbim të këtyre pushtuesve, si tradhtar i atdheut. Edhe pse kishin kaluar dyzet vjet nga ajo vrasje, ata më flisnin me shumë emocion për Dedën, ngaqë vrasjen e tij e kishin përjetuar me shumë dhimbje. Ata pleq të pyetur nga unë ishin në moshë, dikush 70, dikush 80 e dy prej tyre mbi 90 vjeç. Prandaj pohimi me gojë a me shkrim se në vrasjen e Dedë Gjo Lulit kanë pasur gisht Gjomarkajt është krejtësisht i pasaktë. Një barrë që nuk do ta mbante kurrë mbi supe Mirdita. Kësisoj është në detyrimin tonë moral dhe intelektual, por dhe të gjithëkujt tjetër që ka njohje për atë histori, të saktësojë njëherë e mirë se si ka qenë e vërteta e vrasjes së këtij heroi të kombit tonë.
*Akademik