Debati, replika dhe përplasja në Kuvend e Sali Berishës me Kryeministrin, Edi Rama

Kryeministri Rama ka folur në përfundim të seancës së pasdites duke iu përgjigjur pyetjes nëse e ka fyer Berishën.

Rama tha se ka folur nëpër dhëmbë, duke theksuar se duhet të merren me aspektin serioz të situatës.

I pyetur nëse iu drejtua Berishës me fjalët i rrjedhur, Rama nuk dha komente, por shtoi se fjalët e tij për Berishën i kishin dalë nga shpirti.

Ai e ka cilësuar drejtimin e Kuvendit të mëparshëm nga Ilir Meta si një klub të dehurish ndërsa tha se opozita duhet ta kuptojë se kjo kohë ka përfunduar.

“Opozita nuk po bindet që Kuvendi nuk është klub të dehurish siç ishte deri më 25 Qershor. Keqardhja bëhet më e thellë kur e përdorin lirinë për t’u ankuar për mungesën e saj. është rihapur çadra dhe është rivënë pllaka e gramafonit…” – tha Rama.

Demokratët akuzuan Ramën se ka fyer Berishën dhe së bashku me LSI kërkuan përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit. /b.d

E PLOTË:

Pyetje: A e keni fyer ju Z. Berisha, siç pretendon opozita?

Kryeministri Edi Rama: Nëpër dhëmbë. Së pari, të merremi me anën serioze të çështjes, pastaj mund të merremi dhe me aspektin qesharak. Ana serioze e çështjes është që jemi vërtet në një pozitë të vështirë. Nuk po ia dalim dot, që të arrijmë në momentin, kur opozita të bindet që parlamenti klub të dehurish, siç ishte për 4 vjet, ka vdekur në 25 qershor.

Ky Parlament, i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, funksionon në bazë të rregullave të shkruara bashkërisht, të miratuara bashkërisht, me përfshirjen nga ana jonë, kur erdhëm në qeveri dhe ishim shumicë, të një rregulli që kurrë nuk na u njoh kur ishim në opozitë, që sa herë flet kryetari i shumicës, aq herë e merr fjalën kryetari i opozitës, me të njëjtin minutazh. E mbi bazën e këtyre rregullave, ky Parlament ka nisur të funksionojë dhe do vazhdojë të funksionojë, do apo nuk do PD-ja, bashkë me motrën tonë të përbashkët, LSI-në, do apo nuk do cilidoqoftë që ca për fajin e vet, ca për përgjegjësinë tonë u mësua me parlamentin mejhane, ku merrej fjala, flitej në hava, jashtë çdo lloj norme dhe rregulli, të shkruar bashkërisht.

Tani si i bëhet që opozita ta kuptojë këtë gjë, një orë e më parë, të mos kërkojë atë që nuk ka për ta realizuar dot, shkeljen e rregullores në emër të lirisë dhe të shfrytëzojë të gjithë lirinë që ka rregullorja, njësoj për të gjithë, për të çuar përpara axhendën e vet.

Keqardhja bëhet dhe më e thellë, kur sheh se e përdorin lirinë për t’u ankuar për mungesën e saj, në vend që ta përdorin për axhendën e tyre, e cila fatkeqësisht është – dhe ju jeni dëshmitarë – e njëjta axhendë që ishte përpara zgjedhjeve, me ndryshimin që jemi në sallën e Kuvendit, nuk jemi në çadër.

Është rihapur çadra, është rivënë pllaka e gramafonit të parazgjedhjeve, të cilën për hir të së vërtetës, shqiptarët e thyen dhe e bënë copa-cika në 25 qershor dhe ka filluar një proces vetëpengues i opozitës që kërkon debat dhe nuk bën debat, kërkon diskutim dhe bllokon foltoren, kërkon hapësirë për çështje që i duken asaj në interesin parësor dhe pastaj nuk i jep vetes mundësinë që të diskutojë. Është një opozitë pa kokë. Është një opozitë pa vizion, pa program, pa skuadër, pa përgjegjësi. Nuk ka përgjegjësi e nuk merr dot përgjegjësi në raport me veten, në radhë të parë, pastaj me njerëzit që e votojnë, pastaj, sigurisht me Shqipërinë të cilës duhet t’i shërbejë. Unë nuk shoh këtu, vërtetë, sesi ne duhet t’ia dalim të gjithë së bashku, që ta fusin këtë opozitë në rrugën e arsyes, jo për të thënë atë që duam ne, por për të mos shkelur rregullat e bashkëjetesës, të miratuara bashkërisht në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është shumë e thjeshtë.

Rama, kur ju bë LSI-ja motër?

Kryeministri Edi Rama: Ajo që nuk dini, nuk është argument, përkundrazi është një arsye që të mësoni. Unë nuk jam këtu që t’ju lehtësoj dhe mësoj Rregulloren. Lexoni pak me vëmendje dhe do shikoni që nuk ka shans që, kur i jepet fjala dikujt, dikush tjetër të vijë dhe të thotë “për procedurë, unë do marr fjalën në foltore”.

Rama, kur ju bë LSI-ja motër?

Kryeministri Edi Rama: Të mbetemi në aspektin qesharak të kësaj që po bën opozita. Ajo që po bën opozita është për të ardhur keq. Është një çorodi totale, një mungesë përgjegjësie totale, një mungesë totale e të parit të disa të vërtetave të thjeshta që vijnë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe një mungesë totale vullneti për të përballuar këtë mandat në opozitë, duke ndërtuar një alternativë dhe jo duke u rikthyer në çadër dhe duke rifolur përsëri nga e para për përplasje, për këtë e për atë. Iu ka mbirë krimi në gjuhë, iu ka mbirë krimi në buzë, ju ka mbirë krimi në gojë, iu ka mbirë krimi në bark, iu ka mbirë krimi në sy, “krimi, droga”, sepse nuk kanë absolutisht asnjë vizion, asnjë ide, asnjë program, asgjë për t’i ofruar këtij vendi dhe nuk kanë faj, në fakt, sepse iu mungon përgjegjësia. Nuk kanë marrë dot përgjegjësi qysh prej humbjes së 2013-ës e lërë më pastaj në 2017-ën, për atë që iu ka ndodhur në raport me popullin shqiptar. Ne jemi këtu, do t’i presim. Do t’i trajtojmë, siç i kemi trajtuar me maksimumin e respektit, me të gjithë vullnetin për të respektuar Rregulloren. Edhe mua sot mu ndalua fjala, sepse mbaroi koha e replikës dhe është gjë normale.

Rama, ju e quani motër, ndërkohë që Z.Vasili ka firmosur për përjashtimin tuaj…

Kryeministri Edi Rama: Të lutem, pak etikë dhe pak nivel profesional.

A i thatë Z.Berisha ndonjë nga ato fjalët që Z. Basha nuk i thoshte dot?

Kryeministri Edi Rama: Ju keni kamerat. Ju keni memorien e sallës së Kuvendit. Unë as kam pasur në asnjë moment as nervozizmin më të vogël dhe jo më të kem nervozizmin e atillë, sa të fyej kënd. Nëse në një moment të caktuar më ka dalë nga shpirti një shprehje nëpër dhëmbë, siç e thatë ju, kjo nuk është një arsye për të kërkuar pezullimin e punimeve të parlamentit. A është, a s’është një konstatim i saktë, kjo është një çështje që le ta gjykojnë tjerët, por ju e dini shumë mirë, që edhe ju, në momente të caktuara, kur dëgjoni çudira, mund t’i thoni njëri-tjetrit “mos ke rrjedhur gjë?”​