Dasma e madhe e vitit 1445 – Martesa e Mamicës, motrës së vogël të Skënderbeut me Muzhaq Thopinë

Viti 1445 nisi me një dasmë që ka mbetur në histori e pagëzuar përjetësisht si dasma e Mamicës. Mamica, motra e vogël e Skënderbeut u martua me Muzhaq Thopinë i cili ishte ndarë nga nusja e parë Zanafina, dasma u bë në Muzhakinë mes Krujës e Durrësit më 2 janar 1445, në dasmë u ftuan e morën pjesë të gjithë kapedanët shqiptarë. Erdhën Gjergj Arianiti i Kaninës, Andrea Topia i Skurisë, Teodor Kanini i Beratit, Gjergj Balshi i Misisë, erdhi Lekë Dukagjini kryezoti i Dukagjinit, Lekë Zaharia princi i Danjës, Pjetër Spani kapedani i Pultit dhe Lekë Dushmani princi i Zadrimës me të bijën e tij të vetme Irenën e hijeshisë shqiptare. Si në një paradë madhështore ja mbrrinë kapedanët shqiptarë njëri pas tjetrit të hipur secili mbi kuaj të hijshëm, secili i shoqëruar nga truprojat e veta të sprovuara, secili me flamurin dhe stemën e vet, secili përkrah mbante princeshën e tij, o ç’princesha të bukura shqiptare të stolisura si shtojzovalle, veshur me rrobat më të shtejta e më të bukura, larmia e të cilave sfidonte edhe vetë ngjyrat e ylberit, me një kolorit ndezur ornamentesh si lulet e savanës kur dielli ësht ënë zenit.

Gjithë kjo dyndje dasmorësh e dasmoreshash të gjithë me dhurata e peshqeshe të panumërta e gjithë Shqipëria ishte dyndur në konakun e krye trimit Gjergj Kastrioti, ku filloi kjo dasëm madhështore me nota të theksuara epiko-lirike dasëm me përmasa të papërsëritëshme në galerinë e dasmave të panumërta shqiptare. Dasma zgjati 4-5 ditë, vera rrodhi si lumë, mishi s’kishte të sosur vallja kënga e hareja s’kishin të pushuar. Në të pirë e sipër kur po i afrohej fundi konakut u zunë Lekë Dukagjini e Lekë Zaharia shkaku i vërtetë ishte Irena e bukur e Lekë Dushmanit për fatin e keq të tyre ajo ishte e pranishme në këtë dasëm, princat të dy kishin rënë në dashuri me të dhe kërkonin secili ta merrte nuse për vete. Shikimet dhe buzëqeshjet e ëmbla që i dhuroi vajza Lekë Zaharisë që ishte më i bukur e më i ri se Lekë Dukagjini ishin përgjigja më e qartë se vajza adhuronte Zaharinë dhe se zemra e saj e kishte hedhë votën për të, me të cilin dëshironte të lidhte jetën sa më parë. Po ku të linte Lekë Dukagjini të mbarohej puna me votë, sa të kishte në dorë shpatën e tij të pa mëshirshme. Ndërkohë kur pas kurorëzimit edhe Skënderbeu ishte larguar nga dasma për arsye më të qenësishme, plasi një sherr i rëndë dhe u ndez një betejë e pamëshirshme mes dy ushtrive të ashikëve të verbuar nga dashuria, betejë që vazhdoi për disa orë dhe as Kont Urani e Valdan Jurica nuk ishin në gjendje ta frenonin këtë aventurë erotike të dy Lekëve të mëdhenj. Jehonën e kësaj ngjarjeje e përcjellin edhe vargjet e më poshtme:

Marton motrën Skënderbeu

janë mbledhë princat e shqipnisë

hidhet vallja gjëmon dheu

1000 dasmorë ja thonë dollisë.

 

Me urime e batare

vallëzojnë princat e princeshat

dhëndrri pllumb e nusja sorkadhe

kërcejnë vashat si perëndeshat.

 

Shtamë mas shtame derdhej vera

pa kursim si ujtë e detit

desht e pjekur megjithë brena

5 ditë rresht në sofër të mbretit.

 

Të helmuar prej rakisë

Zaharia e Lekë Dukagjini

të përvluar prej dashnisë

kan nxjerrë shpatat prej florinit.

 

Një princeshë nga Zadrima

Irena e bukur si perëndeshë

kapedanëve zemër trima

ua kish çue zemrën peshë.

 

Në hall kish ra vajza e shkretë

të dy ishin princa me famë

kujt t’ja prishë e kujt t’ja ndreqë

dy dragoj duan një zanë.

 

Të dy ishin trima me fletë

të dy ishin princa bujarë

njani zjarr e tjetri shgjetë

Dukagjini ish ma i parë.

 

Dukagjini ish ma i dijshëm

kurr s’ish trembë as ligshtue

në beteja i pa thyeshëm

para Irenës u dorzue.

 

Para Irenës u dorzue

burrëria kaq e pat

tjetër kush s’të merr për grue

pa e la tetanë me gjak.

 

Zaharia ishte i ri

ish besnik ish i vendosur

ish ashik për dashuri

në zemër vajzën kish plagosur.

 

Zaharia përbetohet

unë Irenë shumë të due

përmbys toka le të rrotullohet

s’të merr kush pa vra mue.

 

Po ku pyeste Dukagjini

do të marr ty moj Irena

tym e flakë nga zemërimi

vendosë shpata s’vendos zemra.

 

Siç e përmenda më lart beteja vazhdoi disa orë ushtria e Zaharisë po tronditej nga çasti në  çast. Dukagjini me kordhë në duar priste këdo që i dilte përpara ndërsa ushtarët i jepnin kurajo njëri-tjetrit duke thirrur o djema o burra o dukagjinas të pamposhtur edhe në sulm dhe Irena do të jetë nusja e kapedanit tonë. Lekë Zaharia kur e pa se po i dërmohet ushtria se ushtarët po i kokrroheshinnjë e nga një, ai më mirë pranonte vdekjen se çnderimin në sy të Irenës. Kujtimi i buzëqeshjes së saj i dha forcë, i dha guxim ti vërtitej rivalit ballë për ballë në fushën e mejdanit në një duel ku i dukej pak t’ja shqyente mushkëritë me gjithë gurmaz:

 

Na janë ndeshë si dy re të zeza

është dridhë toka prej trishtimit

fyt për fyt si dy kulshedra

kjanë Irena prej zemrimit.

 

Kapedanët luftojnë burrnisht

gjarpërojnë shpatat si vetimë

njani-tjetrit si bajnë bisht

gjaku derdhet mbi lëndinë.

 

Dy sahat në fushë të taksiratit

po bajnë luftë me shpirtë ndër dhamë

shatrivan shkulmat e gjakut

nuse Irenën kush do e marrë.

 

Në luftë dy drena për ni drenushë

100 shpirta shkun n’at jetë

po gjuen reja rrah për fushë

200 tjerë ma mirë të kin dekë.

 

Me topuz gjuen Zaharia

shgjetë rufeje në vetull të synit

e kish ba emën perëndia

mej humë toka Dukagjinit.

 

Por si lis u rrëzue e ra

kur e shkulë dallga e motit

Zahari ma mirë më vra

se do të vras për besë të zotit.

 

Zaharia s’bani mëkat

Skënderbeu hyn për pajtim

Dukagjini shpejt mori hak

në pritë e vrau Lekë Zaharinë.

 

U pikëllue e gjithë Arbëria

ish fisnik e djal i vetëm

shif ç’ka ban dashuria

e marrosi edhe Lekën.

Dueli mes kapedanëve të dashuruar përfundoi me një goditje të dëshpëruar me ushtë të Lekë Zaharisë ndaj Lekë Dukagjinit, goditje që rrëzoi gjysëm të vdekur Dukagjinin. Përmbysja e Dukagjinit nga njëra anë dhe disfata e ushtrisë së Zaharisë nga ana tjetër u dha rast të ndërhynin përsëri ashtu të plagosur siç ishin edhe një herë Vrana Kontit dhe Valdam Juricës për t’i dhënë fund këtij sherri aventuresk. Lekë Dukagjini u shërua pas disa ditësh, atëherë Skënderbeu i thirri që të dy princat grindavecë dhe mezi i pajtoi. Por pajtimi nga ana e Dukagjinit ishte sa për sy e faqe, pasi nuk e bani të gjatë dhe u hakmor mizorisht ndaj Lekë Zaharisë duke e vrarë në pyllin e kavinenit afër Drinit. Zaharia i shkretë po kthehej nga kështjella e Varoshit ku kishte shkuar për të nënshkruar kontratën e martesës me Irenën e Lekë Dushmanit të Zadrimës. Dora vrastare e Lekë Dukagjinit e vrau së bashku me Bozhidarin të nipin e Stefan Ceranovicit kapedanit të Malit të Zi që po e shoqëronte të pafatin Zahari, këtë hero tragjik të dashurisë së vërtetë i cili mbeti i mbuluar me gjak pa arritur të shijonte kurrë dashurinë për të cilën u flijua, atë dashuri të zjarrtë të sinqertë thellësisht klasike e tmerrësisht tragjike.

Zaharia është e mbetet dashnori më fisnik më shembullor e më tragjik i historive të shkruara të dashurive shqiptare. Ndërkohë Lekë Dukagjini personifikon në këtë dramë forcën që dominon mbi llogjikën, xhelozinë që dominon mbi dashurinë, pasionin e sëmurë mbi ndjenjat e pastërta. Kjo aventurë e Lekë Dukagjinit është mënxyra më e pahijshme e jetës së tij plot kontraste, është një njollë e errët e karakterit të tij të fuqishëm e të pa përmbajtshëm.

Nga: Prelë Milani

Leave a Reply