Dashuria e arkitektit shqiptar, për vajzën e Sulejmanit të Madhërishëm

Gazetat turke kanë publikuar pak kohë më parë një lajm sensacional, që lidhet me dashurinë e fshehtë të sulltaneshës Mihrimah.

Vajza e vetme e Sulltanit të Madhërishëm, Mihrimah, mbetet në hijen e nënës së saj të famshme, ish-skllaves Rokselana (Hurrem), e cila hyri në historinë e Turqisë si bashkëshortja e pabindur e Perandorisë Osmane. I ati, sulltan Sulejmani i Madhërishëm e, quajti “Mihrimah” – Trëndafili i Perandorisë Osmane. Por, ajo e ndriçoi historinë e Perandorisë si një personazh shumë i rëndësishëm, si një grua me një finesë të dukshme, tepër elegante dhe shumë e ndryshme nga nëna e saj.

Emrin ia vuri vetë Sulejmani. Mihrimah përmban Diellin dhe Hënën: i ati Sulejmani simbolizon Diellin që ndriçon tokën, ndërsa e ëma Hyrjem (lindur në stepat e Ukrainës në familjen e famullitarit, e quajtur Rokselana), ndriçon natën me dritën hënore.

Vajzën e vetme të cilën Sulltani e donte më shumë se fëmijët e tjerë, e mbante shumë afër dhe kujdesej shumë për të. Por, ajo ndjehej si ai zogu i ndrydhur në kafaz, në pallatin e madh në Topkapi. Mihrimah nga karakteri nuk i ngjante as të ëmës dhe as të atit; nuk trashëgoi nga Sulejmani ndjenjën e shfrenuar të pushtetit, por as makutërinë e të ëmës së saj.

Duke qenë vajza e Sulejmanit të Madhërishëm, ishte e detyruar të ndiqte me zemër të thyer të gjitha ritualet e rënda të Perandorisë Osmane, si fundin tragjik të vëllezërve të saj në luftën e pamëshirshme për fronin. Por, edhe rituale të tjera që ishin jashtë natyrës së saj.

Ajo ishte me karakter të butë dhe e ndjeshme, i donte shumë njerëzit e familjes, si hallat e saj, kushërinjtë dhe vëllezërit. Ishte më e lidhur me të atin sesa me të ëmën, dhe e dhënë pas artit e kulturës.

Në vitin 1539 Mihrimahi ishte 17 vjeç dhe e ëma vendosi ta martojë me një burrë me diferencë moshe shumë të madhe. Ai ishte Rrustem Pasha, të cilin ajo nuk e donte dhe nuk e deshi kurrë.

Me zemër të thyer iu bind rregullave të rrepta të Perandorisë. Martesën e saj ato e quajtën si një gjest mirësie të Rokelanës ndaj pashait të madh të Perandorisë, të cilin Sulltani e kishte zgjedhur për dhëndër.

Por, faktet historike burimore tregojnë një të fshehtë shumë interesante: në atë kohë, Bullgaria, si shumë shtete të tjera të botës, ishte pushtuar nga otomanët. Ishte viti 1558. 160 vjet pas pushtimit turk, vendi i quajtur Strellca, i famshëm për burimet e shumta me ujë mineral, u bë pronë e të bijës së Sulltanit të Madhërishëm si dhuratë e tij personale për vajzën e shtrenjtë. Këtë fshat të bukur ia kishte bërë dhuratë Sulltani Mihrimahit për martesën. Ndërsa, Rrustem pasha, si vakëf përfitoi vendin e quajtur Arbanas (i populluar nga shqiptarë).

Me të ardhurat e këtyre vakëfeve dhe vakëfeve të tjera, çifti filloi të merrej me bamirësi si dhe me aktivitete kulturore. Mihrimahi porositi shqiptarin e famshëm, arkitektin Sinan – që ishte arkitekti kryesor i Perandorisë – të ndërtonte ndërtesa të veçanta. Sipas urdhrit të saj, ai ndërtoi xhaminë e quajtur “Mihrimah” në Odrin, “Iskile” në Stamboll dhe shumë imarete (ambiente bamirësie, streha ku shpërndahej ushqim falas për të varfrit dhe të pastrehët). Sinani ka ndërtuar edhe xhaminë e madhe që gjendet në qendër të Sofjes.

Sinani u dashurua marrëzisht me Mihrimahin, së cilës zjarri i dashurisë ia pushtoi zemrën. Vetëm atëherë e bija e Rokselanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë. E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo iu përkushtua artit të pikturës tradicionale në ujë, të quajtur ebru. Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe: disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…

Por, çfarë thonë kronikat e asaj kohe për dasmën e të mirës e të bukurës dhe Rrustem pashës?

Ajo ishte pika e dobët e Sulejmanit të Madhërishëm. Dasma e tyre ishte me të vërtetë si në përrallat e njëmijenjë netëve. E paimagjinueshme…

Sinani nuk e harroi dashurinë e tij. Për të thuhet se Sinani ndërtoi një xhami të vogël në Edirnekapı, pa miratimin e Portës, por krye më vete. Legjenda thotë se më 21 mars (kur dita dhe nata janë të barabartë, që është edhe ditëlindja e Mihrimahit), në kohën e perëndimit të Diellit, nëse keni pamje të qartë të të dy xhamive të punuara nga ai, do të vini re se si Dielli shkon pas minares së vetme të xhamisë “Mihrimah”, ndërsa Hëna ngrihet në mes dy minareve të xhamisë së Uskudarit. /Standard/Telegrafi/