DASH, raporti vjetor për terrorizmin: Shqipëria dhe Kosova

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë për vitin 2017. Vijon një përmbledhje e pjesëve për Shqipërinë dhe Kosovën.

Shqipëria

Në raport thuhet se gjatë vitit 2017 Shqipëria ishte një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Aleancën Globale për të Mposhtur ISIS-in.

Shqipëria, thuhet në raport, penalizon veprimet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për kryerjen e veprave terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe krijimin apo pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Gjatë vitit 2017, thuhet në raport, Forcat e rendit në Shqipëri i shtuan përpjekjet për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste.

Korrupsioni dhe pengesat ndaj shkëmbimit të informacionit midis agjensive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem gjyqësor që funksionon dobët, thotë raporti, vazhdoi të pengonte përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Në raport thuhet gjithashtu se në vend po bëhen reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar si dhe për aftësitë e tyre profesionale.

Kosova

Kosova vazhdoi t’i kundërvihet kërcënimit gjithnjë në rritje të terrorizmit në vitin 2017, thuhet në raport.

Rreth 403 qytetarë të Kosovës, thotë raporti, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me ISIS-in apo Frontin el-Nusrah, prej të cilëve rreth 74 kanë vdekur. Rreth 133 prej këtyre individëve janë kthyer, ndërsa rreth 196 mbeten në këto zona konflikti. Ky numër përfshin 40 fëmijë të lindur nga qytetarë të Kosovës në zonat e konfliktit.

Gjendja e sigurisë dhe ajo politike në veriun e Kosovës, thuhet në raport, ka vazhduar të kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë rajon, megjithëse qeveria ka integruar me sukses gjyqtarët, prokurorët dhe stafin serb në institucionet gjyqësore të Kosovës në tetor, duke zgjeruar autoritetin gjyqësor të vendit dhe qasjen në drejtësi për qytetarët.

Legjislacioni, zbatimi i ligjit dhe siguria kufitare: Kuadri ligjor i Kosovës është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste, por prokurorët nuk kanë përvojë në raste të tilla, thuhet në raport.

Autoritetet e zbatimit të ligjit, thotë raporti, treguan aftësi të mjaftueshme për të zbuluar dhe parandaluar individë të ndryshëm që t’u bashkoheshin konflikteve në Siri dhe Irak.

Në Kosovë, thotë raporti, vazhduan gjykimet dhe hetimet për 51 të dyshuar dhe 29 raste, ku përfshiheshin disa imamë të arrestuar që nga viti 2014 nën akuza për terrorizëm. Në vitin 2017, autoritetet e Kosovës arrestuan pesë individë të tjerë nën të njëjtat akuzat. Autoritetet ngritën shtatë aktpadi të reja me akuza për terrorizëm që përfshinin 17 individë.

Gjatë vitit 2017, thuhet në rapoirt, qeveria e Kosovës ndërmori hapa aktivë për të përgatitur një strategji riatdhesimi për qytetarët e saj që ktheheshin nga zonat e konfliktit.

VOA