Çun Lajçi: M’trego s’i me t’dashtë!

Une pata me të dashtë Kosovë, por s’po di qyshë e si e kur me ia nisë me t’dashtë, se hajnitë e bijve tu që po t’udhëheqin s’po m’joshin, ato po m’iritojnë edhe ma shumë, e me hesht s’po mundem, e me folë po druaj se po m’i shajnë mustaqet e bardha, e s’jam trim me iu dal zot!
Si me të dasht Kosovë, kur udhëheqsit tu e vjedhen dhomën e vetme që e kishim të deshmive: paret, arin e drogën e konfiskueme, që ruhej nga vet ata, e kurrë s’u muer vesh, dhe n‘vend se t’denohej stafi policor, ai u gradua me tituj t’ri!
Unë pata me të dasht o Kosova ime, por qysh e si m’thuej, se bijtë tu udhëheqës, t’falen copë-copë e vunë firmat e tyne, e n’vend se të denohen me burgim të përjetshëm ata u shpërblyen me shtëpia n’Çagllavicë, Marigonë, Durrës, Dubaj e Monako!
Unë pata me të dasht o vendi im, por qysh e si s’po di, se këta harambashat tu, shitën gjithçka për nji liberalizim vizash që kurrë s’u ba, e rinia iku, e këta ndertuen autostrada nëpër xhepat e tyne, e popullit s’i mbeti tjetër pos me mallkua për t’flliqtat e tyne.
Unë pata me të dasht o Kosovë mirja, por qysh e si s’po di, se po frigohem mos po m’bajnë edhe mua veteran t’rrejshem e mandej s’me lanë Drini as Valbona. Po tutna mos po m’shtinë në ndonji bord t’kompanive t’mëdhaja si energjetika apo telekomi, e mandej m’duhet me kcye si arusha para tupanit.
O pata me t’dasht bre, veç m’trego qysh me i çua n’burg rjepcit e hajnat e vrasësit e shitsit e kufijve tu o atdheu im i vuejtun, këta që natën t’shesin e ditën t’udhëheqin tue shetitë bjeshkëve tua e tue dalë n’fotografi e tue ba shqiponja me gishta!
Oh vendim,m’harro mua që isha bimë e jotja, edhe emnin tim harroje, se unë s’isha i yti, isha kopil i këtyne që t’vodhen e t’vranë n’emën t’lirisë!
Drelaj, 14 gusht 2019