Covid-19, mblidhet Kuvend i Shqipërisë/ Rama: ”Dënimet për përhapjen e infeksionit të përkohshme

Është zhvilluar në kushte krejt të pazakonta seanca e parë parlamentare pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të diktuar nga Pandemia Covid 19.

Deputetët kanë hyrë në ambjentet e Parlamentit duke respektuar distancat, ndërkohë që i janë nënshtruar edhe matjes së temperaturës si masë e shtuar sigurie.

Respektimi i distancimit ka vijuar edhe në sallën e Parlamentit, ku ata janë vendosur në distancë të dukshme nga njëri tjetri, të shpërndarë edhe në galerinë e nëpër llozha.

E jashtëzakonshme ka qenë edhe mënyra si u zhvilluan punimet. Për shkak të axhendës mjaft të ngjeshur, ku u diskutuar ndryshimet në Kodin Penal, aktet normative të Ministrisë së Shëndetësisë për masat ndaj COVID-19, rishikimi i buxhetit të 2020, lirimin e një kategorie të dënuarish, për shtyrjen e pagesës së këstit të tatimit mbi të ardhurat për bizneset, dy dekretet e presidentit Meta për kthim në Kuvend të ligjit për pronat dhe paketën Anti- Shpifje për pjesën që i takon OFL për sekuestrimin e pasurive.

Kohëzgjatja e diskutimit të secilit deputet, ashtu si dhe ministrave ishte e reduktuar.

Në fjalën Kryeministri Edi Rama, u ndal te momentet më të diskutuara së fundmi lidhur me vendimet e qeverisë për dënimin me burg të shkelësve të rregullave të distancimit social dhe për masat e marra për përballimin e krizës ekonomike që ka shkaktuar Pandemia.

Kreu i Qeverisë tha se dënimet me burg për shkeljet e rregullave për parandalimin e infeksionit do të aplikohen vetëm gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme, dhe se ato janë të domosdoshme në një çast kur Qeveria po planifikon të hapë pak nga pak ekonominë.

Rama nënvizoi se rezultatet pozitive të karantinës dhe masave shtrënguese në kufizimin e përhapjes së virusit Covid 19, shoqërohen me uljen e vëmendjes së qytetarëve ndaj rreziqeve, gjë që mund të shkaktojë daljen jashtë kontrollit të infeksionit me shkeljen e tyre.

Ndërsa disa prej deputetëve shprehën rezerva lidhur me dënimet e ashpra për përhapjen e infeksionit, më herët Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i dërgoi një letër kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi, për këto ndryshime.

Meta kërkoi nga parlamenti zbutjen e dënimeve dhe se disa prej tyre bartin rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Lorenc Rabeta/SCAN