Copëza nga historia e Dardanisë mesjetare në kontekstin e ndërrimit të strukturës shoqërore-ekonomike dhe etnike!

Nga Jahja Drancolli

Gjatë shek. VI-VII, treva e Kosovës së sotme qe ballafaquar me vërshimin e popujve “barbarë”. Shpërngulja e sllavëve (kupto, rasiano-serbëve) pati si pasoj jo vetëm vendosjen e tyre në hapësira të gjëra të Dardanisë së Sipërme, por edhe ndërrimin e strukturës shoqërore-ekonomike dhe etnike.
Vepra “Luftërat me Gotet” e Procopit, pikërisht, në vitin 545 e simbolizon si datë fillestare për zbritjen e sllavëve në jug të Danubit. “Ushtria Sllave” kishte kaluar Danubin (547-548) dhe zbritur në Ilirik deri tek Durrësi. Siç njoftojnë burimet e kohës, sllavët u përcollën nga arkontët e Ilirikut, të cilët zotronin forca deri 15.000 ushtarë, por nuk guxonin të ndërmerrnin veprime luftarake, meqë “ushtria sllave” kishte forca shumë më të mëdha. Në vitet 550-551, “shumica e madhe sllavëve” u paraqitën në Ilirik, për të mbetur një kohë të gjatë ”duke zënë shumë robër dhe duke plaçkitur çdo gjë”. Si pasojë e këtyre sulmeve, një numër i qyteteve, u dëmtuan rëndë.
Në munges të ushtrisë, perandori Justiniani I, me qëllim frenimi të sulmeve sllave, ngriti sisteme të dendura fortifikatash. Për këtë qellim, vetëm në provincatë jugore ilire: të Dardanisë, Prevalit, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjeter, ndërtoi dhe rindërtoi 167 fortifikata. Treva e Kosovës së sotme ishte kursyer nga sulmet, duke iu falenderuar maleve që zgjateshin rreth e përqark; funksionimit të rrugës së njohur Nish-Lezhë; ndërtimit të qytetit të ri Justinopolis, si dhe rindërtimit të Justinianës së Dytë.
Në veçanti, koha e perandorit bizantin Herakël (610-649) mori vulën e ngulitjeve masive të sllavëve në viset të ndryshme të Ballkanit. Nga, kjo kohë sipas Mrekullive të Shën Dhimitrit, në vitin 618 në rrethet e Selanikut kanë gjetur strehim shumë të arratisur nga provinca e Dardanisë. Mirëpo, gjetja e rastësishme e një solidi të perandorit Herakël në Ulpianë, shpie në konstatim se, qyteti në fjalë kishte mbijetuar sulmeve sllave nga gjysma e parë e shek VII. Pikërisht në Dardani është ruajtur onomastika nga antikiteti ilir, si: Astibos, Drinus, Drilon, Naissus, Scardus, Scupi, Ulpiana, etj. Nga dyndjet që u bënë në shek. VI-VII, sllavët e ardhur nuk arritën të krijojnë ndonjë organizim politik; trevat ku u përqendruan ata u quajtën “Sclavini”, “Sclavinica”, si, në rrethet e Selanikut dhe në Trakë. Në atë kohë, iliro-arbërit i quajtën ardhacakët me emra: “Skja”, “Skije” ose “Shkja”, Shkije” (në lat. mesjetare, “Sclavus”).
Sllavët e ardhur ndryshonin prej banorëve autokton nga mënyra e jetesës. Kjo rrethanë shpiente më tepër drejt favorizimit të sferës së këmbimit midis tyre, sesa afrimit ose ndoshta edhe simbiozës. Për kontaktet e tyre të herëshme, dihet shumë pak. Më tepër dihet për rolin e tyre marrës se sa dhënës. Roli marrës më së miri vërehet në sferën e jetës ekonomike. Gjatë periudhës së dyndjeve sllave, të cilat u përcollën edhe me shkatërrime dhe plaçkitje, ishte degraduar dukshëm potenciali ekonomik vendor; veçanërisht ishte zvogëluar numri i kafshëve; nga bujqësia intensive u kalua në blegtori ekstreme dhe bujqësi primitive. Ligji i vjetër agrar bizantin i shek. VII dëshmon për ndikimet në sferën e zhvillimit të bujqësisë. Sllavët pasi ishin vendosur, morën nga vendorët edhe shumë elemente nga kultura materiale, sidomos tipe të vjetra të stolive. Mundësitë për huazime në teknikën e prodhimtarisë zejetare ishin më të vogla, meqë, shumë qytete tashmë ishin rrënuar!