Çmimin Nobel të Paqes e marrin Nadia Murad dhe Denis Mukwege

Ata angazhohen për viktimat e luftës dhe të dhunës. Për këtë, mjeku kongolez dhe ambasadorja e posaçme jezide e Kombeve të Bashkuara nderohen me çmimin e lartë.

Mjeku kongolez Denis Mukwege dhe veprimtarja irakiane e të drejtave të njeriut Nadia Murad marrin Çmimin Nobel të Paqes për Vitin 2018. Të dy u nderuan për luftën e tyre kundër dhunës seksuale si armë në luftë, bëri të ditur Komiteti i Nobelit në Oslo. Secili prej tyre “ka kontribuar në mënyrën e tij për ta bërë më të dukshme dhunën seksuale, në mënyrë që dorasit të nxirren para përgjegjësisë.”

Friedensnobelpreis Denis Mukwege (Getty Images/V. Boyko)

Jezidja Murad u mor dikur si skllave nga milicia terroriste “Shteti Islamik”. Milicët e IS e sulmuan në gusht 2014 fshatin e saj në malësinë Sinxhar dhe e morën atë me vete në qytetin e madh Mossul. Gjatë sulmit, terroristët vranë më shumë se 40 anëtarë të familjes së saj. Muradi mbeti gjallë nga burgimi tre mujor dhe arriti të arratiset. Sot, 25 vjeçarja angazhohet si ambasadore e posaçme e OKB-së për njerëzit, që kanë një fat të njëjtë. Ajo jeton në landin gjerman të Baden-Vyttembergut, ku rreth 1000 jezidë nga Iraku Verior kanë kërkuar mbrojtje.

Mukwege punon si kirurg në Lindje të Republikës Demokratike të Kongos. 63 vjeçari drejton në Bukavu spitalin Panzi, në të cilin trajtohen para së gjithash viktima të përdhunimeve. Më shumë se 50.000 paciente janë trajtuar deri tani atje – shumë prej tyre pas përdhunimeve në grup nga ushtarët ose kryengritësit. Mukwege konsiderohet nga ekspertët kryesorë në të gjithë botën, që përpiqet të shërojë jo vetëm plagët fizike, por edhe ato psikike pas akteve të tilla të dhunës. Juria e karakterizoi atë “simbol në luftën kundër dhunës seksuale në konfliktet e armatosura”.

Friedensnobelpreis Nadia Murad (Getty Images/AFP/K. Betancur)

Jo në Stokholm, por në Oslo

Këtë vit për ta marrë Çmimin Nobel u emëruan 216 persona dhe 115 organizata. Çmimi Nobel i Paqes, i shoqëruar me nëntë milionë krona suedeze (rreth 860.000 euro) është i vetmi nga Çmimet Nobel që nuk jepet në Stokholm, por në Oslo. Çmimet Nobel të Paqes jepen në 10 dhjetor, në ditën e vdekjes së dhuruesit të Çmimit Alfred Nobel.