Cili ishte Prek Cali, prijësi i malësore, lisi që sfidoi shtrëngatat komuniste

Gjithmonë shtërngatat, rrebeshet e moti i lig godet lisat e jo fijet e barit. E ky mot i lig ka shoqëruar gjatë thuajse tërë historinë e mbijetesës të Shqipërisë në përgjithësi e Malësinë e Madhe në veçanti. Në përgjithësi motet me shtrëngata e rrebeshe, vinin nga lindja apo nga fqinjët e ardhur më vonë në Ballkan po nga lindja. Ku për të përballuar këtë mot të lig u pagua një çmim tepër imadh, aq sa nuk ka shkëmb e gur, pëllëmbë toke në mal, kodër apo fushë që po ta “shtrydhësh” nuk nxjerr gjak, gjak të pastër shqiptari e malësori të cilët u flijuan që të mbijetojë Malësia e Shqipëria. Eh po të vinin gjithnjë motet e ligj nga të huajt disi do të ishte më lehtë, por kur të vijnë nga ata që për fat të keq e quanin veten shqiptarë, shtrëngatat e rrebeshet janë disa herë më të rënda, pasi kot nuk thonë çfarë ta bën i joti nuk mund ta bëjë kurrë i huaji. E kjo në trajtat e një lufte civile, apo genocidi që dinë ta bëjnë vetëm komunistët, e pikërisht ndodhi atëherë kur thuhej se Shqipëria u çlirua e erdhi dita që Shqipërinë ta sundojnë vetë shqiptarët. Por për fat të keq kjo me sa duket nuk ishte thënë ende prej Zotit.

E themi kështu pasi në muajin tetor 1944 ishte bërë paralajmërimi i stuhisë që s’do vononte shumë, e këtë paralajmërim e kishin bërë miqtë jugosllavë të komunistëve, por edhe armiqtë e vërtetë të malësorëve e shqiptarëve, pra brigada “ozna Brigada” e cila pasi ishte futur në Vermosh në emër të “Bashkim –Vëllazërimit” komunist filloi të bënte një propagandë agresive kundër prijësit popullor të kësaj treve shqiptare Prek Calit, i cili zinte një vend të rëndësishëm në qëndresën popullore e diplomatike për të mbrojtur kufirin verior të Malësisë e Shqipërisë, me dhjetëra vjet përpara e komunizmi shqiptar e jugosllav të vëllazëroheshin, për të mirën e tyre, por për të zezën e shqiptarëve. Gjithsesi stuhia  e vërtetë s’do të vononte, madje pak më shumë se një muaj nga dita e çlirimit, pra më 13 janar 1945 në Kelmendin e çliruar fillojnë të sulmojnë partizanët komunistë të ardhur nga jugu i Shqipërisë, por me tru të turullosura nga helmi i sheqerosur i armiqve sllavë që ishin padronët e vërtetë të klyshëve të kuq që kishin mbirë si kërpullat pas shiut. Natyrisht kelmendasit me viganin e mendjes e të pushkës Prek Calin i pritën siç i kishin pritur gjithë armiqtë, turq, sllav, fashistë e së fundi komunistë shqiptarë internacionalistë, që nuk njihnin binomin e shenjtë të shqiptarëve Fe e Atdhe; siç e donin shqiptarët e malësorët ndër shekuj, madje për komunistët ky binom ishte më i largët se vetë stepat e Rusisë prej nga vinte kjo ideologji sunduese e pushtuese. Natyrisht Prek Cali që ishte rritur në një ambient patriotik ku jeta e tij kishte qenë një stuhi e vërtetë në mbrojtje të trojeve shqiptare me diplomaci e pushkë në dorë, të paktën që nga vitet 1908, 1911, 1913, 1915, 1920, 1923, 1926 etj. E nga kjo eksperiencë nuk kishte se si të mos e kuptonte se komunistët shqiptarë që kishin ardhur me pushkë në dorë ishin vijim i “Ozna Brigada” të Jugosllavisë. Gjithsesi Prek Cali me burrat malësorë e dinte se lufta me këta djaj të kuq ishte tepër e vështirë, pasi ata kishin edhe mbështetjen e atyre që vetë i prunë në pushtet, të Titos, Mugoshës, Popoviçit e viçëve të tjerë. Por që gjithsesi malësorët qëndruan e luftuan heroikisht edhe atëherë kur në ndihmë të brigadës së parë erdhën edhe brigadat komuniste me numër 23 e 24 madje edhe forcat e tjera nga brigada jugosllave famëkeqe “Ozna Brigada”, që hynë nga territori i “Malit të Zi”. Kur lufta u ndez si një luftë e vërtetë civile Preka shpërndau burrat dhe vetë me 14 luftëtarë u drejtua në male për të vazhduar rezistencën, por edhe pr të mos dëmtuar as kelmendasit dhe as labët e jugorët e tjerë të gënjyer. Megjithatë komunistët kishin vazhduar luftën e natyrisht kelmendasit kishin vazhduar rezistencën si ndaj çdo pushtuesi në vijim. E kjo luftë solli fatkeqësisht rreth 52 viktima nga kampi komunist i partizanëve, të cilët as sot nuk dihet përse e dhanë jetën, pasi Kelmendi si gjithë Shqipëria ishte i çliruar… Pas kësaj pas një jave rezistencë në shpellën e Vuklit që sot quhet shpella e “Prek Calit”, duke llogaritur edhe premtimet e tradhëtinë komuniste, Preka vendosi të dorëzohej, me qëllim që kjo luftë civile të mos vazhdojë më. Tashma Kelmendi ishte në duart e komunistëve, të cilët treguan edhe një herë se ideologjia e tyre nuk njeh kufinj njerëzor, duke e kthyer këtë trevë shqiptare në një gërmadhë të zhuritur nga flakët e shkatërrimet që jua kalonin edhe atyre të shovinistëve Sllavë. Verbëria e “hakmarrjes” primitive të komunistëve bëri  që në muajt shkurt – mars 1945 Kelmendi të numëronte 150 burra pushkatuar, dhjetëra shtëpi të djegura e të shkatërruara, pa llogaritur pasuritë e djegura e të grabitura nga këta mjeranë të verbuar nga ideologjia kriminale komuniste. Për ta bërë sa më të freskët këtë masakër që dinë ta bëjnë vetëm komunistët po riprodhoj pjesën më kryesore të vrasjeve e tmerreve njerëzore që hoqi Kelmendi shqiptar. Gjatë këtyre masakrave u vranë trimat Zhuk Toma nga Broja, Kolec Uci gna Vishnjeva e Gucisë dhe Luc Gjon Uci nga Vukli. Flaka e shtëpive të djegura shkrumboi të gjallë Luk Tomën gna Vishnjeva dhe Ded Gjon Bajraktarin nga Vukli. Me bajonetë ia nxorën sytë dhe e varrosën të gjallë Fran Zef Ucin, nga shkëmbi hollën Rrok Zefin dhe e varrosë në një varr të përbashkët në kodrën e Kuklit (Kozhnje) me dy djem të ri Ujk Nikën e Fran Alin, dhe po të gjallë varrosën Luc Gjon Bajraktarin e Luc Gjon Rapukën. Masakruan mizorisht Gjergj Qosen nga Broja, Losh Fran Bracajn nga Vukli. Pushkatuan gjatë rrugës për në Shkodër Ded Gjon Dedën, Gjek Selcën, Gjergj Lul Tomën dhe tre djemtë e Mar Bikut (Ujkën, Nduen e Marashin). Më pas në një ditë të zezë marsi edhe vetë prijësin e Kelmendit e shpëtimtarin e kufijve veriorë të Malësisë e Shqipërisë Prek Calin, së bashku me Ded Lulash Smajlin nga Nikçi dhe 12 burra të tjerë nga rrethi i Shkodrës të cilët e kishin dashur Shqipërinë të lirë e demokratike. Pas kësaj kuçedra komuniste ishte mësuar me gjak e mizori pa të cilat nuk mund të jetonte as një minutë, për këtë u dënuan dhjetëra kelmendas me burgime tepër të gjata e misterioze, e themi misterioze pasi gjatë kryerjes së burgimit janë varur në burgje Mark Gjeloshi nga Broja, Gjelosh Fran Zefi nga Nikçi dhe Ded Gjeloshi nga Vukli. E si me “magji” të vetë dorës së Zotit kanë mbijetuar nga dënimet e rënda në burgjet komuniste Maç Luca dhe Prel Tom Smajli të cilët arritën të vijnë deri në ditët e demokracisë e lirisë që ëndërruar për t’u treguar brezave këto tmerre që nuk duhen harruar kurrë.

Masakra e atyre viteve kishte shumë autorë e aktorë, por më të zgjedhurit janë genocidistët komunistë Shefqet Peçi e Zoj Themeli i cili në atë kohë këndonte këngën “raciste”: Luajma, luajma Toskë këmbën, të ja Q. Gegës nënën. Ndërsa Mehmet Shehu pasi ishte dorëzuar Prek Cali i tha me dredhi: “T’u thafshin krahët Prek që nuk bashkëpunove me ne, si e kishe mbyllë historinë tënde me shkronja ari”. Por Preka që nuk ishte gënjyer me grumbuj ari nga kralët e Malit të Zi e Serbisë ia ktheu me fjalët lapidarë: “S’ka çfa më duhet jeta nën hijen e Trobojnicës (Flamuri Malazez), ma mirë me u kalbë në dhe, e historia një ditë ka me na nderue, por ti atëherë Mehmet ke me qenë turpi i saj, ndërsa Malësorët ndera e saj”. Ku mbase do të mbesin për shekuj, fjalët e fundit para pushkatimit të Prek Calit që ndonëse 73 vjeçar komunistët nuk ia kursyen ato pak vite që i kishin mbetur, i cili tha: “Rroftë Shqipëria nanë edhe pa ne, poshtë komunizmi…” E vërtetë ashtu ndodhi, por teprë vonë, madje kur menduan se kjo bishë e kuqe komuniste kishte “vdekur” u rizgjua vrullshëm duke përsëritur disi historinë e baballarëve e zagarëve “Sllavë”, ndonëse me metoda diçka më moderne për kohën. Gjithsesi sot për malësorët e shqiptarët fjalët kumbuese të Prek Calit i cili ka një shtatore në Shkodër (por që duhet ta kishte edhe në Malësi të Madhe) na duket se sa herë kalojmë me nderim pranë saj na thotë gjithnjë e më fuqishëm si 57 vjet më parë para pushkatimit, Rroftë Shqipnia, Poshtë Komunizmi”… Ashtu qoftë sa të jetë jeta…

 

Ndue Bacaj