Cili ishte Dergut Pasha, pashai mizor, të cilit ju ndal turri në malet dhe zemrat e qëndresës dikagjinase?

Dërgut pasha më 1910 në çdo 10 metra ka kryqëzuar nga një shqiptarë

“Prej Shkupit e deri në Merdare, Pasha i Turqisë më 1910, në çdo 10 metra e ka ngulur në hunj nga një shqiptar. A t’i harrojmë ne ato? Jo, nuk duhet t’i harrojmë edhe nuk bën t’i harrojmë”, Hakif Bajrami.

“Okupatori mbetet okupator. Krimet që i kanë bërë Turgut Pasha e sulltanët e Turqisë, asnjë ministri, asnjë individ në asnjë mënyrë nuk mund t’i injorojnë. Ato çfarë ka bërë Perandoria Osmane, kanë qenë krime dhe krime do të mbesin.

Krejt e dinë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka luftuar kundër turqve. Tash na a me e fshi atë? Krejt botën e japim, e Skënderbeun s’e japim”, shprehet historiani Hakif Bajrami. Edhe Sami Frashëri shkruante: “Qeveria e Tyrqisë shqiptaret e krishterë s’i njeh për shqiptarë, por i quan Rum domethënë grekë, serbë, latinë.

Edhe Shqiptarët Myslimanë nuk i njeh për shqiptarë, por i quan Tyrq, dhe emrin shqiptarë e Shqipëri, s’e njeh e s’dëshiron ta degjonjë kurrë! Të verbërit tyrq! Nuk e kuptojne dot, e s’ua pret mendja që me ketë udhë po i sherbejnë qellimeve të armiqve të tyre, e nxjerrin themelet’e rrënjet e tyre!”/Njekomb.com

Kryengritja e Qafës së Agrit si shumica e ngjarjeve madhore në histori është parë e vlerësuar në këndvështrime të ndryshme, sipas shkallës së njohjes nga studjues të ndryshëm, sipas preferencave, interesave apo kornizave të cunguara ideologjike.

Me objektivitet, realizëm, koherencë historike, me interpretime realiste, me analiza faktike pa subjektivizma, pa romantizëm folklorik është analiza që i bën historiani e shkrimtari i dëgjuar Ndoc Nikaj në librin e tij “Historia e Shqipërisë”, që fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite nuk është mundësuar ta ketë në dorë lexuesi ynë.

Historiografia komuniste 50-vjeçare ka mbajtur një qëndrim dashakeq përçmues të njëanshëm, denigrues duke u mbështetur në kritere ideologjike, duke e lënë në harresë madhështinë dhe shkëlqimin e saj si një nga betejat më të rralla e ndoshta t vetmin ballafaqim frontal në përmasa të tilla që nga rënia e Kalasë së Shkodrës më 1479. Historiografia komuniste duke dashur të paraqesë si dy vatra të qëndresës anti-osmane, si dy epiqendra të nacionalizmit shqiptar Kosovën dhe Labërinë, nga njëra anë e ka fryrë e pompuar deri në irrealizëm ngjarje krejt të zakonshme me përmasa lokale e figura pa ndonjë peshë e rëndësi të spikatur duke i paraqitur në fjalorin propagandistik si ngjarje e individë që kanë përcaktuar fatet e historisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, janë cikur tangent e artikuluar formalisht, ose më keq akoma ka pasë vlerësime të paragjykuara e deri në nihilizëm.

Është lënë e vazhdon të lihet qëllimisht në harresë pa u theksuar kërkund në Historinë e Shqipërisë se Dukagjini e Mirdita janë dy vatrat e pa nështruara pothuaj në asnjë drejtim nga pushtimi 500-vjeçar otoman. Deri kur historiografia shqiptare ka frikë ta pohojë këtë të vërtetë historike, apo duhet të mësojmë këtë të vërtetë nga goja e studjuesve të huaj. Në të gjithë të tjerët, këta formojnë masën kryesore dhe më trime të katolikëve shqiptarë, që prej qindra vjetësh bajnë një jetë mes malesh alpine dhe me kokëfortësi nuk kanë dashur ta dinë ndonjëherë ç’është qeveria.

Helmut Eberhar dhe Karl Koser i japin një shputë të mirë historianëve tanë kur thonë se: Është e pamohueshme që në refleksionet e të kaluarës së tyre të kohës së Turqisë nuk shohim asnjë njollë që për pesë shekuj me rradhë i gjithë Dukagjini ka mbetur etnikisht katolik i pastër. Kryengritja e vitit 1910 është trajtuar kryesisht si qëndresë vetëm kosovare me qendra të vetme Kaçanikun e Cernalevën, është idealizua e mistifikuar me nota të një eposi legjendar me pëmasa butaforike duke e lidhur këtë ngjarje vetëm me emrat e Isa Boletini e Idriz Seferit, ndërsa në të gjitha tekstet shkollore dhe në tekstin ekzistues të Historisë së Shqipërisë ose nuk përmendet fare si ngjarje, ose me një frazë të thatë në trajtën e pashquar aq sa lexuesit, nxënësit apo studentit nuk i fiksohet asgjë në memorje se është zhvilluar një kryengritje po aq madhështore edhe në Qafën e Agrit si dhe në Kaçanik.

Ta trajtosh kështu këtë ngjarje është pak ta quash nihilizëm, është papërgjegjëshmëri shkencore, është gjymtim i së vërtetës, është manipulim i qëllimishëm i historisë.

Në qoftë se kryengritja shpërtheu e filloi në Kosovë, pati qëndresë heroike, raprezalje e gjak derdhje nga pushtuesi, në Qafën e Agrit arrit kulmin qëndresa shqiptare vetëm në Qafën e Agrit në Dukagjin dhe vetë Dukagjini e theu gjeneralin e pathyeshëm Shefqet D. Pasha. Të përmendësh vetëm Kaçanikun apo Cernalevën e të anashkalosh Qafën e Agrit është njëlloj si të ndërtosh një bust pa kokë.

Ja si e përshkruan Hylli i Dritës e vitit 1930, fq. 336:

Mehmet Shpendi i Shalës me hov të madh mblodhi 3000 veta dhe e priti anmikun në Qafën e Agrit ku u ba nji luftim i rrept për 10 ditë rresht. Terguti tuj pa se Dukagjini jo nuk thyhet por përkundrazi forcohej për ditë pasi la qindra në shkrepat e Agrit, anadollaku iku i turpëruem nga qafa e Kolshit dhe ra në qytet të Pejës.

Ndërsa Fletorja Shqype e Vatrës që dilte në Stamboll në numrin e saj 587 shkruante se mes kryengritësve ka edhe gra të cilat luftojnë me trimëri si edhe burrat duke dashur më mirë vdekjen se sa të kthehen prapa. Kryengritja e Qafës së Agrit dhe emri simbol i Mehmet Shpendit përmenden me admirim të veçantë nga Nopça dhe sidomos Edit Durhami në librin e saj “Brenga e popujve të Ballkanit”, duke e nënvizuar me të madhe emrin e kësaj ngjarje që është shënuar si kryefjalë historike. I pari që e ka trajtuar shumë gjërësisht këtë ngjarje është autori italian Kamiljo Libardi në veprën e tij “Kreyngritjet e mëdha 1910, 11 e 12”. Gjithçka në këtë libër është një kronikë e gjallë e kohës e përshkruar me vërtetësi pa anshmërisht i çliruar nga komplekset e preferencat lokaliste, që është sëmundje e pashërueshme e studjuesve tanë dhe ç’është më e rëndësishmja të gjitha ngjarjet e kësaj beteje janë përshkruar duke qenë autori vetë i pranishëm e dëshmitar. Përshkrimet e Libardit marrin një vlerë të veçantë se ai është një i tretë mes palëve në konflikt dhe duke qenë i tillë nuk i vlerëson ngjarjet bardh e zi as nuk i ekzagjeron jashtë realitetit as në disfavor të ndojërës palë. Libardi fotografon me detaje e imtësi shumë skena rrënqethëse të fokusuara nga terreni, duke i paraqitë me një gjuhë të rrjedhshme me shprehje të larmishme që të ngjallin shumë emocion edhe sot e kësaj dite. Ja një episod i ngulitur thellë në kujtesën e Libardit:

Porsa u ngrita nga shtrati, rrezet e diellit kishin fillur të hedhin shigjetat e tyre drejt qelës së Shoshit. Shoh, o Zot ç’po më shohin sytë nëpër pyll midis shkurreve të lajthive po ecnin nga ana e fshatit Palaj kope dhishë, delesh e lopësh që i nganin nga pas djem e vajza vocrrakë, pa çarape, pa opinga, gjysëm të çveshur e me këmbë të gjakosura por kërkoni strehë drejt shpellave për t’i shpëtuar armikut që po i mësynte në vatrat e tyne vorfnore.

Me vlerë janë letrar e mëkëmbësit apostolik françeskan drejtuar Libardit dhe letërkëmbimet e vetë Libardit me patër Gjadrin, famullitarin e Nikajve, me Ciril Canin famullitarin e Shalës, Ditari i Libardit përshkruhet me nota shumë pesimiste sidomos në prag të fillimit të luftës. Kjo ndoshta për vetë temperamentin e një latini i huja mes malesh që akoma nuk kishte arritur të njihte mirë temperamentin e shpirtin shumë luftarak të malësorëve, prandaj skepticizmi i tij është i dukshëm për mundësinë e një qëndrese të suksesshme të malësorëve dukagjinas. Nga ana tjetër edhe pse nga pozitat e një pacifisti skeptik Libardi ka mbajtur një qëndrim tepër kritik ndaj krerëve të Dukagjinit duke marrë guximin t’i akuzojë hapur për lojë e taktikë qëndrimi në dy karrike të tyre sipas tij. Siç ishte zakon në kësi rastesh këta pra bajraktarët premtuan të gjithë përkrahjen dhe ndihmën e tyre, dhe pashaj, me qëllim që t’i merrte me të mirë i fali secilit nga një mixhide të bardhë. Aha u ba deti kos dhe paret po na bien nga qielli, menduan se qeveria ka nevojë për ne dhe në qoftë se do dimë ta vërtitim punën duke nxitur ndonjë bandë njerëzish kundër tyre, kurse nga ana tjetër ne të paraqitemi si miq. Këto citime të Libardit i dhanë një armë plus propagandës zyrtare komuniste për të goditur fuqimisht edhe të kaluarën e bajraktarëve duke i paraqitur në vazhdimësi si bashibozukë dhe duke mohuar totalisht rolin e tyre në këtë ngjarje.

Krerët e fiseve të malësisë, duke qenë nga natyra më të zgjuar e më të mprehtë se sa masa e gjerë e malësorëve, u interesonte një taktikë e tillë që të mos acaroheshin shumë me qeverinë pasi ata merrnin edhe ndonjë rrogë nga qeveria. Ndërsa dihej publikisht se do kishte zemërim deri në rrëmbimin e armëve nga ana e malësorëve që nuk mund tëlinin të kalonte tani pas 500 vjetësh për së pari një ushtri turke nëpër malësinë e tyre. krerët synonin ta mbanin në kontroll këtë revoltë dhe pastaj ta përdornin si presjon ndaj qeverisë për t’ua kompensuar me ndonjë pare xhepat e tyre të shtjerrun. Duhet pranuar se krerëve kryesorë nuk u interesonte të shpërthente një kryengritje e përmasave të tilla siç shpërtheu, posi si njerëz që i pleqëronin gjërat shumë hollë kjo u dukej një aventurë e rrezikshme dhe e pamundur të përballeshe me një ushtri kaq të madhe të pajisur me të gjitha mjetet e kohës dhe që drejtohej nga një gjeneral për të cilin mburrej vetë perandoria. Zhvillimi i papritur i ngjarjeve u dha fund hamendjeve, cicmiceve skepticizmave dhe pacifizmave të krerëve të cilët as që bëhet fjalë se mund të dilnin jashtë moralit, traditës e rregullave të bajrakut kur kërcënohej liria, feja e kanuni, garant i të cilave ishin vetë bakraktarët nga buronte dhe vetë ushtrimi i kopetencave të tyre si flamurtarë të fiseve të veta. Ndoshta kjo taktikë dhe ky dualizëm i qëndrimit fillestar të Bajraktarëve të Dukagjinit bëri që të shpërthejë në mënyrë inkandeshente qëndrimi totalisht i prerë i vegjëlisë së Dukagjinit që përbënte oponencën më të fuqishme ndaj krerëve, prandaj emrat e Mehmet Shpendit, Deli Marashit, Marash Delisë e Çun Nikës, zunë vendin e parë në titujt e kronikave për këtë ngjarje.

Siç e theksova më lart qëndrimi i Labrdit ishte i papajtueshëm me qëndrimet e bajraktarëve por ai vetë nuk ishte më tepër se një pacifist me qëndrimet tipike të pavendosura edhe në disa raste me qëndrime të dyshimta si në rastin e mëposhtëm:

Libardi kishte një mortajë të vogël në kishë pranda i dërguan në shoshjan për t’ia kërkuar. Frati nuki e nuk e dorëzoi, ndërsa malësori duke dashtë të merrte me çdo kusht nxori dhe i numëroi 23 mixhida argjendi për të por frati nuk u tund nga e tija. I dërguan për të dytën herë Pjetër Gjonin e Djelmnisë së Shoshit, por edhe këtij nuk ja dha. Unë shkruan Libardi, tue pasë frikë se po idhnohet Tergut Pasha, por edhe ma fort se më qortojnë të parët e mi, qëndrova i patundur e nuk ja dhashë. Dua ta marr me forcë tha Pjetri, thyej derën e merre kjo do të jetë dëshmi e punës sate u përgjigja, ai nuk guxoi ta bënte, thotë Libardi.

Studjuesi Pal Doçi në vitet 60 ka bërë një përpjekje të admirueshme për ta pasqyruar këtë ngjarje përpara opinionit shkencor të kohës, si një ngjarje me përmasa të mëdha e rëndësi kombëtare, duke u ndalë në rrethanat ekonomike, shoqërore e historike në të cilën u zhvillua, përmasat që arriti dhe rrjedhojat që pati.

Dobësia kryesore e studimit të tij është se u kufizua brenda kornizave të ngurta ideologjike duke ia zbehur mjaft vlerat e punimit të tij. Në këtë kohë kujtesa historike e kësaj beteje ishte shumë e freskët në memorien e malësorëve e sidomos tek brezi i tretë kishte dhjetëra e dhjetëra fakte e dëshmi origjinale të para e të përjetuara direkt nga ata të cilët vetë kishin qenë edhe aktorë edhe autorë të kësaj ndeshje deçizive. Pal Doçi duke mos qenë as vendas vetë nuk diti ta shfrytëzojë këtë rast të cilin sot do ia kishim shumë zili.

Shpesh në mbledhjen e materialeve faktike gojore iu drejtua njerëzve inkopetentë që nuk kishin qenë fare në këtë ngjarje, apo të tjerëve edhe nga padituria servirnin fakte jo të plota, ashtu siç pati tendencë për servirjen e gjërave të dyshimta thjeshtë për kredon personale apo fisnore të ndonjërit, dhe mbetën pa u hedhë e zeza mbi të bardhë shumë, shumë gjëra autentike, shumë dëshmi që sot janë varrosur së bashku me autorët e tyre vetëm për fajin e studjuesve të asaj periudhe, vetëm për faktin se ndoshta atëherë nuk kishte asnjë inteligjencë krijuese vendase që mund të ishte shumë më tepër e impenjuar sa sa një studjues i një treve tjetër që donte ndoshta një punë disavjeçare të bënte një studim të pjekur e të plotë.

Ndërsa Zef Doda, një studjues i mëvonshëm është marrë disa herë me interpretimin e kësaj teme historike.

Nga sa kam parë unë nuk di të ketë sjellë ndonjë gjë të re ndonjë fakt të panjohur qoftë nga burime arkivore, qoftë gojore apo folklorike, përveç se ka artikuluar me tjetër ritëm citimet e Libardit. Është frymëzuar e ka përshkruar sipas stilit të tij ngjarjen në fjalë duke rënë edhe në subjektivizëm edhe në njëanshmëri edhe në lokalizëm njëherësh duke mos i shpëtuar qëndrimeve emocionale e tendencioziteti politik sipas epokave.

Një gjë më bën përshtypje, ai vazhdon t’i bjerë fyellit në një vrimë duke e spostuar aktin final të luftës nga Qafa e Agrit në kodrat e Palcit, sillet e pështillet nëpër tymnajën që e mbjellë vetë e në mënyrë evazive del në konkluzion sipas tij se Dërgut Pasha na paska qenë thyer në Mërtur, një argument që askush në histori nuk mund ta mbrojë e ta marrin në konsideratë, pasi edhe në popull e në histori kjo betejë ka marrë emrin e Qafës së Agrit. Aty ku ishte përballja frontale aty ku ishte segmenti i fundit dhe i vetmi në të gjitha vatrat e kësaj kryengritjeje ku Shefqet Dergut Pasha u htye e u sfidua parandaj kjo betejë ka emrin e vet dhe natyrisht qëndron më lart se çdo vatër tjetër të cilat i shkimati Derguti gjatë udhës.

Në qoftë se në të kaluarën për hir të boshtit ideologjik ishte heqë nga fjalori fjala bajraktar, duke e lënë qëllimisht në harresë edhe kur faktet ishin të pakontestueshme për kontributin e tyre patriotik si për Deli Marashin, Lush Prelën, Avdi Kolën.

Është e papranueshme tendenca që vërehet sot për ta absolutizuar rolin e krerëve, për t’ia artibuar çdo gjë një numri shumë të kufizuar njerëzish që na paskan qenë të çensuruar veprimtaria e tyre.

Dhe ç’është më e çuditshmja arrihet të sulmohet vetë Mehmet Shpendi si sajesë e propagandës zyrtare komnuniste. Një qëndrim i tillë mëdhefshim është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet kësaj ngjarjeje historike të nëpërkëmbur të Dukagjinit. Një vlerësim i tillë është një tendencë dëshpëruese t’i heqë asaj karakterit mbarëpopoullor, që përbën tiparin më të spikatur të saj është tentativë mjerane të hedhë sadopak baltë mbi figurën si Mehmet Shpendi që ishte simbol i qëndresës popullore të Dukagjinit në disa dekada. Një figurë që gjithsesi nuk është vendosur në atë pjedestal që i takon, pasi ka përmasa e dimension kombëtar dhe nuk është aspak faji i tij që Dukagjini vatra e vetme e pathyeshme e qëndresës 500-vjeçare antiturke ka vetëm një dëshmor të vetëm, Mehmet Shpendin, ndërsa heronj u bënë të tjerët që rrjedhin nga treva shumë më pak të përmendura në histori për vepra në dobi të atdheut, kombit e lirisë.

Prelë Milani