Cili është Jacob Kemp, i riu amerikan që në emër të Jezusit ndihmon shqiptarët

Nuk është kurrë vonë që njeriu të ndryshojë drejtimin e jetës së tij. Këtë gjë bëri më së miri i riu nga Teksasi, Jacob Kemp, i cili transformoi rrënjësisht rininë e tij për ti shërbyer Jezusit. Në fëmijërinë e tij ai ishte një djalë i prapë që bënte shumë gabime, por ishte përkushtimi dhe vullneti ndaj Jezusit që e bëri të kthente rrugë.  “Kur kam qenë i vogël kam bërë shumë gabime. Ishte Jezusi që më dha dashurinë dhe më udhëhoqi në rrugën drejt mirësisë dhe dashurisë. Ai më tha, udhëto nëpër botë dhe shpërndaj dashurinë që unë pata ndaj teje.” Këto fjalë që ai i shpreh me kaq dëshirë dhe mirënjohje të jepnin idenë, se ky njeri tashmë jeton për ti shërbyer Zotit dhe për të përçuar mirësinë e tij tek të tjerët, pa kërkuar asnjë favor ndaj vetes. Jacob erdhi në Shqipëri në maj të vitit 2014. Ai po bën dy vite e gjysmë që jeton në Shqipëri, së bashku me familjen e tij. Në fillim ai kishte tentuar që të shkonte në Greqi, por ata i kishin anuluar vizën tre herë. Por dëshira dhe mirësia e tij nuk e linin atë që të kthehej përsëri mbrapsht. Do të ishte Shqipëria vendi ku ai do të gjente mirëpritjen e duhur. “ Pasi më anuluan vizën, ne kërkuam për një vend tjetër ku mund ti shërbenim misionit të Jezusit dhe zgjodhëm pikërisht Shqipërinë. Kjo për faktin se duam të ndihmojmë një vend të varfër.”

Kaloi shumë pak kohë dhe Jacobi filloi që të studionte gjuhën dhe kulturën vendase. Per të këto dy gjëra ishin shumë të rëndësishme. Puna e tij bënte që ai të ishte në kontakt të vazhdueshëm me njerëz të ndryshëm dhe kjo ishte një shtysë për të mësuar gjuhën. “Gjatë gjithë kohës kam qenë në kontakt me njerëz të ndryshëm për të përvetësuar sa më mirë gjuhën. Kam vizituar organizata të ndryshme për të mësuar sa më shumë rreth kulturës së Shqipërisë.” Fjalët që ai thoshte i ilustronin edhe veprat e tij, pasi ai kishte arritur të mësonte mjaft mirë gjuhën shqipe. Puna dhe veprat e tij do të fillonin të jepnin frytet e para. Si fillim ai ishte një besimtar pranë kishës amë në Tiranë. Pastaj ai nisi krijimin e grupit të tij, që shërben si një trupë e vetme për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Tashmë ai është kryetari i grupit, i cili kryen shërbimin në zonën e Shkozës. Ata kanë krijuar një qendër komunitare në Shkozë, ku kanë realizuar një program edukimi për fëmijët. “Programi ynë për fëmijët konsiston në edukimin e tyre, zhvillimin e pikturave dhe fotove dhe zhvillimin e talenteve të tyre, të pazbuluara më përpara. Ky ambient u mundëson fëmijëve që të shpalosin talentet e tyre. “Këtu ai nuk lë pa falenderuar të gjithë ata që kanë dhënë ndihmë financiare për fëmijët.

Projektet e tij kanë një fokus më afatgjatë. Planet janë për t’u përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Madje edhe në kufinjtë jashtë saj, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqiptare. Pavarsisht se ky është një projekt afatgjatë nisja e tij është një gjë që duhet përgëzuar. “Duam që të përhapim ndikimin tonë, sepse edhe në vendet e tjera ka njerëz në vështirësi ekonomike. Gjatë sezonit të verës ne zhvillojmë kampe pushimi në Hamallë dhe në Sarandë, me të rinjtë të cilët kanë vendosur të ndjekin rrugën e Jezusit.” Gjithashtu ai nuk lë pa përmendur edhe kampet javore që kanë zhvilluar në Shkodër dhe Berat. “Ndër të tjera këto kampe krijohen për të promovuar kulturën dhe bukuritë natyrore të këtyre qyteteve.” Tashmë pjesë e kishës simotër në Tiranë është një kishë në qytetin e Prizrenit, e cila ndihmon komunitetin egjiptian dhe njerëzit në nevojë. Kisha ku mblidheshin të rinjtë ishte një ambient i bollshëm. Ajo ishte e pajisur me një skenë, video-projektorë dhe sistem ndriçimi. Këto kushte ishin një mundësi për të afruar sa më shumë besimtarë dhe për të zhvilluar seanca dëgjimore. Jacob na bëri të ditura disa të dhëna për sa i përket kishës. “Ka shumë të rinjë që vijnë në kishën ‘Guri i Themelit’. Vijnë rreth 200 të rinj në ditë. Të dielën është aktiviteti kryesor i javës dhe ne zhvillojmë tre mbledhje me të rinjtë. Në total numri i tyre arrin në mbi 300 vetë. Mendoj se kjo është një pjesëmarrje e konsiderueshme.” Ai nuk lë pa përmendur edhe rastin kur ai ka zhvilluar seanca dëgjimore për besimtarët. “Kam zhvilluar katër seanca dëgjimore për mësimet e biblës. Seancat zgjasnin nga 45 minuta secila.”

Por nga sigurohen ndihmat financiare për të zhvilluar aktivitetet në Shqipëri? Jacob na dha disa të dhëna për këtë pjesë. “Ne përpiqemi që të ardhurat t’i sigurojmë nga organizata nga vende të ndryshme të botës. Por burimi kryesor financues është një kishë në Amerikë me emrin ‘The Park’. Gjithashtu një pjesë të financave na e siguron edhe organizata  ‘Pioner’.”

Nuk mund ta linim pa pyetur Jacobin për eksperiencat dhe vështirësitë që kishte hasur në Shqipëri. Si çdo i huaj fjalët e mira për vendin që vizitojnë nuk kanë të sosur. Por ai thekson edhe faktin se Shqipëria është një vend i varfër dhe korrupsioni është i lartë. Nga ana tjetër ai nënvizon faktin që të rinjtë kanë ambicie për të studiuar dhe për të udhëtuar jashtë vendit në kërkim të një pune dhe jetese më të mirë. Sipas tij ky brez i rrit reputacionin Shqipërisë, duke e çuar drejt progresit. Ai ndau me ne edhe një moment kur jeta e tij ishte në rrezik. Fjalët e tij të emociononin vërtetë, por mirësia e tij ngrihej mbi të gjitha. “Po udhëtoja me motorin tim kur një makinë më ndërpreu rrugën. Mbaj mend që u përplasa me të dhe kalova sipër makinës. Jezusi deshi që unë të jetoj. Kjo ishte një shenjë që unë të forcoja më tepër besimin ndaj tij.”

Mikëpritja dhe respekti që shqiptarët tregojnë ndaj të huajve ishte një mbresë që atij i kishte ngelur në mendje. “Në Amerikë ne thjesht përshëndesim njëri-tjetrin me dy fjalë. Kurse në Shqipëri njerëzit të tërheqin pranë vetes dhe tregojnë mirësinë e tyre.” Prandaj sipas tij  Shqiptarët janë të hapur ndaj besimit në Zot. “Ndoshta ekziston ky fakt, sepse këta njerëz problemin parësor kanë sigurimin e një jetese më të mirë në kushtet e vështira ku jetojnë.”

Jacob jeton në Shqipëri së bashku me gruan dhe tre djemtë e tij. Kjo nuk është një pjesë e lehtë për të, pasi edhe të ardhurat që siguron këtu nuk janë të mjaftueshme. Edhe puna e tij si vullnetar e bën akoma më të vështirë. “Jetoj në Tiranë me gruan dhe tre fëmijët e mi. Dy nga djemtë vazhdojnë mësimet në një shkollë private.” Ai bën një krahasim të standarit të jetesës mes Shqipërisë dhe vendit te tij. “Unë në Shqipëri marr sa 30 % i rrogës sime në Amerikë. Kjo e bën më të vështirë jetesën këtu. Pastaj si mund të flasim për jetesën e njerëzve në Shqipëri.” Në momentin kur e pyesim për momentin kur u largua nga familja, emocionet e tij nuk mund të fshiheshin. “ Për familjen time largimi ishte shumë i vështirë. Mami dhe babi kanë qarë shumë kur morën vesh se do të largohesha. Ata do t’i marrë malli shumë për fëmijët e mi. Por ata e pranuan, sespe unë po i shërbeja zotit dhe po përcoja dashurinë e tij tek të tjerët.”  Nëse një ditë atij do ti duhej të largohej nga Shqipëria, këtë do ta bënte vetëm për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tij.

Erjon Muhametaj KJ