Cila ishte karriera në administratën osmane e Ismail Qemalit, nga anëtar i Këshillit të Shtetit deri në emërimin si vali i Gjiritit?

Në majin e 1860 shkoi drejt Stambollit, ku banoi tek i afërmi i tij nga e ëma pojanasin Mustafa pashë Gjiritin, një ish-sadrazem. Fuad Pasha i dha një punë në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që vazhdoi dhe studimet për drejtësi me një prusian të konvertuar quajtur Emin Efendi – drejtor i bibliotekës së ministrisë. Pasi iu desht të kthehej në Janinë, valiu i vilajetit Aqif Pasha e mori si ndihmësdrejtor të çështjeve politike; shërbeu në të njëjtin post edhe me valinjtë pasues Dervish Pasha e Ahmed Pasha deri më 1864. Me ftesë të ungjit të tij valiut të Thesalisë, Ismail Rahmi Pashës, u emërua shef i kabinetit të tij. Jo shumë kohë më pas, më 1865 u rikthye në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Vitin pasues i vdes i ati; në shenjë mirësie miku t’et asokohe sadrazemi Fuad Pasha i gatiti emërimin si Sekretar i Përgjithshëm në Janinë. Atë kohë i vjen ftesa nga Mid’hat Pasha, asokohe vali i vilajetit të Danubit, për një post në Rusçuk – qendra e vilajetit. Në mars-dhjetor 1867 ishte gjithashtu redaktor i një reviste turko-bullgare që dilte në Rusçuk, titulluar Istoènik Mnenija/Mecra-i Efkâr (Rryma e ideve), që pati vetëm dy numra, dhe që përmbante në veçanti artikuj mbi historinë e Perandorisë osmane, kozmografinë, etikën dhe tekste të marra nga Voltaire.

Me emërimin e eprorit të tij në Şurâ-yı Devlet azası (anëtar i Këshillit të Shtetit), Ismail beu e ndoqi në kryeqytet më 1867. Pasi Mid’hat Pasha u emërua në Bagdad, Ismail Beut i dhanë emërimin e valiut të Varnës ku nisi projektin për portin. Në prill të 1870 iu dha roli i kryetarit të Komisionit Evropian të Danubit, si delegat osman. Më 1873 së bashku me ish-konsullin anglez në Varna, z. Mayers, të ngulur në Stamboll u bënë ortakë në një sipërmarrje minierash dhe për më se një vit hapën një minierë linjiti në ishullin Imbros, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës. Kur Mid’hat Pasha ishte ministër Drejtësie (1873-1876) e mori në Stamboll si sekretar privat.

Më 1876 pas një gjakderdhjeje në viset bullgare, Porta e ngarkoi Ismail Beun që të studiojë dosjet dhe qe në krye të komisioneve hetimore të Filopopolit për ngjarjen. Pas zgjedhjes për së dyti të Mid’hat Pashës sadrazem, thirrej të merrte pjesë në komisionin e posaçëm për Kushtetutën e porsashpallur.Pas rënies së kabinetit të dytë dhe burgosjes së Mid’hat Pashës, bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij u syrgjynosën në Anadoll, Ismail Qemali përkatësisht në Kytahja. Pas një marrëveshjeje me një firmë tregtare nga Hamburgu për të blerë dru bushi nga pylli i tij në Vlorë, mund të siguronte të ardhurat për të jetuar dhe të blinte një pronë të madhe në afërsi të Eskishehrit. Pas shtatë viteve të syrgjynit, u njoftua nga sadrazemi Said Pasha se qe emëruar vali në Mardin, Mesopotami. Pasi iu dha mundësia që të zgjidhte ndonjë post tjetër nga ai në Mardin, Ismail Beu zgjodhi të ishte në krye të sanxhakut të Bolusë më 1884. Më 1890 paraqiti tek Porta dorëheqjen nga posti, por jo shumë kohë më pas u caktua vali i vilajetit të Beirutit, ku pranë tij shërbente edhe kolegu i tij i Komisionit të Filipopolit, Vaso Pasha. Ishte në Beirut ditët kur kolegu dhe bashkëatdhetari i tij u ligështua nga zemra dhe vdiq.

Më 1892 i paraqiti Sulltan Abdyl Hamidit një memorandum, i cili propozonte ndër të tjera federalizimin e Rumelisë. Pas një tjetër studimi, kësaj radhe për çështjen e Egjiptit, u emërua vali i Gjiritit po atë vit. Më 1897 u thirr nga Porta në kryeqytet, gjithnjë në vëmendjen e Pallatit duke shtuar edhe artikujt liberalë që kish botuar në gazetën e tij Mexhra Efqiar, u emërua Şurâ-yı Devlet azası. Wikipedia