Çfarë shkruan Presidenti amerikan, Donald Trump, në urimin e tij për 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosoves?

Presidenti amerikan, Donald Trump, uroi Kosovën me rastin e dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së saj, duke u zotuar për vazhdimin e mbështetjes amerikane.

Në urimin e presidentit Trump, të cilin ambasadori amerikan Greg Delawie ia dorëzoi të martën presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, thuhet se “gjatë dhjetë vjetëve të kaluar, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit të saj dhe të demokracisë shumetnike. Teksa mbetet punë për t’u bërë, ne duartrokasim përparimin tuaj“, thuhet në urimin e presidentit Trump.

Në urim thuhet po ashtu, se “derisa shteti juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të ndihmojnë Kosovën që të ndërtojë themele të forta të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të së drejtës. Duke vepruar kështu, Kosova do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në komunitetin perëndimor të kombeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si partner të rëndësishëm”, thuhet në urim.

Ndërsa presidenti Thaçi, duke falënderuar presidentin Trump për urimet dhe përkushtimin e tij për Kosovën, shkroi në rrjetet sociale se populli i Kosovës “është me shumë me fat që ka një shtet mik kaq të fuqishëm, si Shtetet e Bashkuara”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj ndërsa është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si kusht vendimtar për integrimin e saj në strukturat e Bashkimi Evropian.

VOA