Çfarë i shkruante delegati rus Moskës për situatën politike në Shqipëri?

Cila ishte akuza që përjashtoi K.Xoxen dhe P.Kriston nga kongresi i parë i PPSH? Ithtarët e Enverit kërkojnë gjyq për Xoxen. Çfarë i shkruante delegati rus Moskës për situatën politike në Shqipëri?

Cila ishte përgjigjja që vjen nga Stalini për lëvizjet e Enverit? Koçi Xoxe viktimë e komunistëve të zemëruar dhe jo porosi nga Kremlini si “agjent i Titos”. Sa shkoi gjyqi kundër Xoxes, cili ishte dënimi që u dha për të? Cili ishte pozicioni i Rusisë, ndërkohë që i kërkonte ndihmë ekonomike Shqipëria?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, ka dëshmi dhe fakte  të panjohura përmes shfrytëzimit të arkivave të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

 ***

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Kongresi përjashtoi nga partia K.Xoxen dhe P.Kriston “si elementë trockistë, të cilët me vetëdije dhe në mënyrë armiqësore vepruan kundër partisë dhe popullit tonë”. Tani, ata nuk quheshin më shokë, në hapje të kongresit. Në kujtimet e veta, Çuhavini tregon se si ashpërsohej kritika, sa më tepër që afrohej fundi i kongresit. Dukej hapur se diskutuesit donin gjak, duke kërkuar që Xoxe dhe Kristo t’i jepeshin gjyqit, “të mbyllen njëherë e mirë hesapet me ta”. Ai i dërgoi qendrës propozimin që vijon: “Më autorizoni të takohem me Hoxhën dhe t’i tërheq vëmendjen se është e domosdoshme t’i zbusë në njëfarë mase luftëtarët e flaktë kundër grupit Xoxe-Kristo dhe të merret me planet e zhvillimit ekonomik të vendit. Më pas, shkruan ai, kuptimi i përgjigjes, e cila erdhi menjëherë, ishte që të qëndroja mënjanë”. Teksti i këtij telegrami u bë i njohur në vitin 1998: “Vlerësimin tuaj për punimet e Kongresit të Partisë Komuniste Shqiptare e gjykojmë si të njëanshëm e të pasaktë, ndërsa përcaktimet tuaja për veprimet e udhëheqjes së partisë për demaskimin e grupit të Koçi Xoxes si “anadollake”, “bizantine” etj., janë krejt pa vend e të gabuara. Propozimet tuaja për të këshilluar Enver Hoxhën i shohim si të papranueshme”. Telegrami kishte nënshkrimin INSTANCA. Kështu nënshkruante Stalini.

Për Çuhavinin dërguan një aeroplan, që do ta shpinte në Moskë për “këshillime”. Ai nuk qëndroi gjatë atje. Pasi u udhëzua nga Stalini dhe Molotovi, u kthye në Tiranë, për të përgatitur vizitën e Hoxhës në BRSS.

Gjyqi afatgjatë i Koçi Xoxes

Ndërkohë përgatitej me të gjitha forcat gjyqi shembullor kundër grupit Xoxe-Kristo. “Çështja” e grupit ndiqte shtratin e proceseve politike, që ishin zhvilluar në gjithë vendet e demokracive popullore të Evropës Lindore. Por, ndërsa në shumicën e tyre, demaskimi i “agjentëve të Titos” në udhëheqjet e partive komuniste e punëtorëve u frymëzua kryesisht nga lart, nga Kremlini, në Shqipëri gjyqi u bë, si të thuash, në mënyrë të natyrshme, të vetvetishme, me kërkesën e komunistëve të thjeshtë të zemëruar.

Procesi gjyqësor, që nga çasti i arrestimit e deri në dhënien e dënimit, qe mjaft i gjatë, gati gjysmë vjeçar. Për 130 ditë, Xoxe u mbajt në pranga dhe iu nënshtrua torturave fizike e morale. Ai pranoi lidhjet me jugosllavët, disa gabime serioze (dhe jo serioze), të bëra nga mosnjohja e detyrës së Sekretarit Organizativ të KQ të PKSH-së e të ministrit të Punëve të Brendshme, që ishin të reja për të. U betua se nuk e kishte përqëndruar në duart e veta udhëheqjen e KQ-së, se u qe përmbajtur përherë metodave kolegjiale dhe për gjithçka ishte këshilluar me Hoxhën. Xoxe dha dëshmi të hollësishme dhe shkruajti promemorie sqaruese për komisionin hetimor. Nga qelia e burgut iu drejtua Hoxhës dhe Çuhavinit, duke vërtetuar padrejtësinë e akuzave të ngritura ndaj tij. Më 8 prill të vitit 1949, ai i siguronte se qe i gatshëm të pranonte çdo dënim për çka kish bërë, por nuk mund të duronte shpifjet dhe akuzat e rreme. Letra mbyllej me thirrjet: “Rroftë Bashkimi Sovjetik, PKBS (b) dhe Stalini! Rroftë populli dhe Partia jonë, me në krye Enverin! Për fitoren e socializmit dhe komunizmit!”. Duke parandjerë ndëshkimin, ai u përpoq dy herë të vriste veten.

Prokurori i përgjthshëm Bedri Spahiu, e akuzoi Xoxen për organizimin e përgjimit të të gjithë udhëheqësve të partisë e të shtetit dhe nxitjen e ndëshkimeve pa hetim e pa gjyq. Xoxe i mohoi akuzat. Edhe nëse kishte patur raste të tilla, nuk u lodh së përsërituri, ata kishin qenë njerëz të dyshimtë dhe gishtin mbi ta e kishte vënë komandanti (Hoxha). “Trockist i ndyrë”,-i kishte bërtitur Spahiu. Kjo ishte një nga seancat e fundit. Më 19 qershor, gjyqtari Frederik Nosi lexoi vendimin: Koçi Xoxe dënohej me pushkatim, Pandi Kristo me 20 vjet burg dhe punë të detyruar, Vaskë Koleci me 15 vjet, Nuri Huta me 10 vjet, Vangjo Mitrojorgji me 5 vjet. Në rrethin e miqve, Mehmet Shehu mburrej se e kishte ekzekutuar personalisht vendimin për Xoxen, ndërsa në mjediset shqiptaro-sovjetike zu të qarkullojë kupleti:

Seç na ishin dy trockista

Koçi Xoxe, Pandi Kristua,

Po u mbytën veç nga boza

Pandi Kristua, Koçi Xoxja.

Megjithatë, Pandi Kristo mbijetoi. Pasi kaloi nëpër burgje e kampe 15 vjet, ai u internua. Jetoi deri në rënien e regjimit komunist dhe vdiq në vitin 1991.

 

“Eufori mitingjesh” për shpëtimin nga Rusia

Prishja me Jugosllavinë dhe orientimi drejt BS-së pa interpretuesit e dyshimtë të modelit universal të socializmit të vërtetë, që, me ç’duket kishin qenë këshilltarët e panumërt jugosllavë, hapi perspektivën e rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë popullore të Shqipërisë. Diskutimi i vendimeve të kongresit të parë të PKSH/PPSH-së, u shndërrua në një eufori mitingjesh: “Bashkimi Sovjetik dhe Stalini na shpëtuan, ata dhe do të na ndihmojnë”. Në vend ndihej mungesa kërcënuese e mjeteve financiare dhe siç i tha Çuhavinit Spiro Koleka, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, të gjitha planet e zhvillimit po hartoheshin mbi bazën e kredive të marra nga vendet mike e në radhë të parë, nga BRSS-ja.

Në Moskë e kuptonin rëndësinë strategjike të Shqipërisë si pikë mbështetje në luftën ideologjike kundër Titos dhe ç’qe më e rëndësishme për çastin, në kundërvënien me perëndimin. Në Greqi vazhdonte lufta e zgjatur civile, që kishte filluar ta rëndonte Stalinin. Baza e përgatitjes së partizanëve grekë në territorin e Jugosllavisë ishte mbyllur. Përmes grykave malore partizanët hynin në Shqipërinë e varfër, duke tërhequr pas vetes dhe familjet. Përçarja në Partinë Komuniste të Greqisë, konflikti me Partinë Komuniste të Jugosllavisë, që po bëhej më i mprehtë, “lufta e ftohtë” dhe në këtë sfond të trazuar, diku larg, e shkëputur nga kampi socialist, pranë “zonës së vdekur” jugosllave, ndodhej Shqipëria, e cila kishte nevojë për ndihmë. Kalimi rrugor nëpërmjet Jugosllavisë qe ndaluar, korridori ajror qe mbyllur.

Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk kish pranuar prerazi ndihmën nga “Plani Marshall”. Në shkurt të vitit 1949, Shqipëria u pranua në Këshillin e ndihmës Ekonomike reciproke (KNER) që ishte krijuar një muaj më parë, pa pjesëmarrjen e saj. Ndërkaq, përfaqësuesit shqiptarë që vizitonin kryeqytetet e vendeve anëtare të KNER-it, filluan të kritikonin hapur politikën e qeverisë në fushën e tregtisë së jashtme. Një grup specialistësh të njohur, me në krye Isuf Keçin, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shfaqi pakënaqësinë për mungesën e lidhjeve të drejtpërdrejta me vendet e Evropës Perëndimore. Ata thoshin se, Shqipëria kishte shumë humbje, ngaqë mallrat e saj, veçanërisht nafta, bitumi e të tjera, nuk i shiste drejtpërdrejt, por nëpërmjet Bullgarisë e Hungarisë, të cilat, p.sh., naftën që e blenin me çmimin shumë të ulët e shisnin më shtrenjtë në vendet e Evropës Perëndimore.

Për të vënë në vijë marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, në fund të muajit mars, u nis për në BRSS një delegacion partiako-qeveritar, i kryesuar nga E.Hoxha. Rruga e gjatë nga Durrësi në Odesë kalonte përmes detesh, në një mot me stuhi. Ditën e dytë të mbërritjes së delegacionit në Moskë, në orën 10 të mbrëmjes, Stalini priti Hoxhën e sfilitur nga zënia e detit. Gjatë bisedës, e cila zgjati më shumë se dy orë, u përcaktuan parimet bazë të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, që u konkretizuan në marrëveshjet e nënshkruara gjatë 20 ditëve të qëndrimit të delegacionit.