Çelet ekspozita “Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”

TIRANË, 11 qershor /ATSH/- Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, organizoi ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Kjo ekspozitë u çel më datë 10 qershor 2018 – datë kjo që përkon me përvjetorin e 140-të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – në ambientet e Ndërtesës së Lidhjes në qytetin e Prizrenit.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj, si dhe një sërë personalitetesh të rëndësishme shqiptare dhe kosovare.

Ekspozita e përkohshme ”Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare” u çel për herë të parë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në Tiranë, më 17 janar 2018.

Koleksioni i përzgjedhur nga Banka e Shqipërisë për këtë ekspozitë prezanton monedha dhe kartëmonedha shqiptare të viteve 1921-1996, të cilat paraqesin Heroin Kombëtar dhe simbole të lidhura me të, elemente shtypi të këtyre prerjeve, si dhe monedha përkujtimore që përkujtojnë me ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë.

Ekspozita shoqërohet edhe me një kënd edukativ ku publiku i grup-moshave të ndryshme mund të njihet me funksionet e bankave qendrore të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tematika të tjera të edukimit financiar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018. e.xh//e.caushi/

https://ata.gov.al/2018/06/11/celet-ekspozita-skenderbeu-ne-monedhen-dhe-kartemonedhen-shqiptare/