Burri dhe flamuri kuqezi

Nga Albert Vataj

Kam njohur një burrë, i cili për 50 vite më radhë, nxirrte nga rafti ku e kishte vendosur, një flamur kuqezi, dhe e vendoste në dritaren e pallatit ku jetonte. Nuk harroi asnjë herë të vetme për ta bërë këtë ritual. Edhe atëherë kur të gjithë nxitonin të valëvitnin flamujt e partive, shteteve dhe sipërmarrësve, ai çdo mëngjes të 28 Nëntorit ngrinte atë flamur dhe kujdesej për dy ditë më radhë se mos e trazonte era apo mos e ndragte shiu.

Vitet kishin filluar ta ç’ngjyrosnin të kuqen e asaj bezeje dhe ta zbardhnin të zezën e asaj shqiponje, por jo ta mposhtnin vullnesën e atij burri ta ngrinte në dritaren e shtëpisë së tij, atë flamur, atë flamur që ngriti Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443, atë flamur që e lanë me gjak trimat e Malësisë në Bratilë, afër Deçiqit më 6 prill 1911, atë flamur të kuqe me shkabën dy krenare që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali ngriti në Vlorë, më 12 nëntor të motit 1912.

Edhe pse u desha ta njom me gjakun e vet, të lidh plagët e lirisë, me atë flamur, kurrë, kurrë nuk e përdori atë, kurrë nuk u mburr, as zë ankimtar nuk nxori kurrë. Askush nuk e pa në zyra apo tubime. Askujt nuk i shkoi t’i tregonte plagët dhe flamurin, për të marrë ndoshta çfarë i takonte, askurrë s’kërkoi dhe s’mori diçka më shumë, por ashtu i përkorë jetoi, pa nëmur e truar për gjakun që i’a bënë ujë, për flamurin që i’a përdhosën. Askush nuk e pa kurrë atë burrë, të veshur me flamurë, të stolisur me flamur, të rrihte gjoksin për atë flamur. Ai jetoi, jetoi i dlirë, i panjollë, krenar… si një flamur!

Atë 28 nëntor, në atë dritare nuk e vuri re askush se nuk u ngrit ai flamur, askush nuk pyeti se çfarë kishte ndodhur, deri kur një ditë u muar vesh se një burrë ishte varrosur i mbuluar me një flamurë, të cilin koha kishte nisur ta zbardhte, mosha kishte filluar ta griste. Iku ai burrë me shtatin e shterrur nga vitet, mbështjell me atë flamur, iku për të mos u kthyer, iku duke marrë me vete ç’kish më të shenjtë, atë flamur.