Bulqiza në 70 vite, minierë dhe minatorë pa status

Nga Halil Rama

Shtatëdhjetë vjet më parë, në “Ahishtën e madhe” të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave që thërmonin shkëmbin e gurit me xixa sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit  në Bulqizë. 18 Shkurti i vitit 1948 shënon kështu krijimin zyrtarisht të minierës më të madhe të kromit në vend. Pikërisht mbi luginën e Vajkalit, e cila në analet e historisë tonë kombëtare ka hyrë si një nga sheshbetejat kryesore kundër pushtuesve turq, të udhëhequra nga Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, miniera e sapokrijuar do ta bënte edhe më të njohur këtë luginë ku do të hidhte shtat qyteti minator në prehër të maleve, nga thellësia e të cilave do të nxirreshin mbi 15 milionë tonë krom. (Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 ton mineral kromi). Është kjo sasi tepër e konsiderueshme e mineralit të çmuar, që jo vetëm ka mbajtur peshën kryesore të ekonomisë tonë kombëtare, sidomos në katër dekada të sistemit monist, por edhe minerali me të cilin Shqipëria ka “pushtuar” tregjet e botës…

Shtatëdhjet vjet më parë, në lartësinë 1000m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhjetë punëtorë nga zona e Bulqizës që i dhanë emrin minierës së kromit Bulqizë. Në kronikat e kohës, por edhe në librat studimorë e historikë të autorëve të njohur, si Hamza Gurra, Ymer Keta, Jorgo Kola e Bashkim Lami janë skalitur emrat e minatorëve e specialistëve të parë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta,  Llesh Luli e  Pjetër Shurbi, si dhe i Drejtori të parë të Ndërmarrjes Miniera e Kromit Bulqizë, Jorgji Traja. Janë pikërisht këta heronjtë e parë që do të shtronin trasenë nga ku do të ecnin qindra mijëra të tjerë, të cilët në 70 vite do të me prodhimin kryenin mbi 100 mijë km punime minerare.

Pak histori

Në Bulqizë 18 shkurtin e quajnë festën e minierës. Në fakt kjo ditë konsiderohet si data zyrtare e krijimit të Minierës së Kromit “Todo Manço”, por zanafilla e saj është shumë më e herëshme. Gati një shekull më parë, burri i mençur i Vajkalit Baba Fejza, do t’i porosiste bashkëfshatërt e tij që ta ruajnë të mos ua grabisin gurin e zi me xixa që është më i rëndë se të tjerët dhe që do të vlerësohet shumë vjet më vonë…..Dhe profecia e tij doli. Megjithëse kromi hyri në përdorim industrial relativisht vonë interesimi për të është i hershëm. Vendasit thonë që Italia me Serbinë janë konfliktuar ashpër për vendosjen e kufirit, të cilin Serbia e kërkonte në Qafë të Buallit kurse Italia e kërkonte në Fushë-Bulqizë. Pra secili shtet kërkonte ta përfshinte në territorin e pushtuar prej tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1918.

Me moton “kromi çan bllokadën”, pothuajse nomenklatura e kuqe e vuri Bulqizën në epiqendrën e platformës së saj për shfrytëzimin barbar të kësaj pasurie të çmuar nëntokësore. Bllokmenët dirixhonin që nga Tirana, por herë herë detyroheshin të zbrisnin edhe vetë në qytetin e ftohtë në zemër të maleve për të mbajtur nën presion administratën dhe minatorët, që me çdo kusht të realizonin planin e parashikuar prej tyre. Më e dukshme kjo strategji në vitet 1980-1990 kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre janë hapur 4 puse ndihmës  si  A’2 i pa përfunduar, 9/5;8/5;10/12;11/14 i cili përdoret për rrugëdalje. Gjithsesi, ai që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse që lidhin punimet nga  traverbanku C (1440) deri në Galerinë 1050.

Bulqiza qytet-burg    

Pa mohuar aspak kontributin e qindra mijë minatoravë, inxhinierëve e teknikëve të minierës, për vetë përqëndrimin e të burgosurve në kampet e këtushme gjatë viteve të diktaturës, Bulqiza mund të konsiderohet edhe si qytet-burg. Për këtë flasin statistikat e kohës. Kështu, nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 të dënuar, ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteria e galerisë 41 e deri ndër zonën “D”. Katërmbëdhjet vjet më vonë, më 1968, Bulqizës do t’i shtohej edhe  burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet sipas projektit deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej kur në vitin 1976 Kampi i burgut mori edhe zonën “D”. Madje, pas   vitit   1976 kampi ka patur maksimumin e të dënuarve. Një tjetër burg u ngrit më 1985 me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Një nga mësuesit e shquar të Bulqizës, z.Bashkim Lami, që ka drejtuar me kompetencë e përkushtim institucione kryesore në Bulqizën e pas ’90-tës, në shënimet e tij shkruan se “Ndërtimet vazhduar me ritme të shpejta dhe në vtin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje”. Madje sipas tij, “burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishme të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë patur Kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes “Qyteti i ri” është bërë me kampe të dënuarish që janë përdour vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishëm”.

Ka minierë, ka qytet. s’ka minisrë, s’ka qytet!

Miniera dhe qyteti janë lidhur në mënyrë të pazgjidhëshme: Ka minierë, ka qytet! S’ka minierë, s’ka qytet. Këtë apostulat, të bazuar mbi historinë e qyteteve minerare në botë e ka zbërthyer më së miri Hamza Gurra, një nga inxhinierët dhe drejtuesit e njohur të minierës së kromit dhe të Bashkisë Bulqizë. Sipas tij, Bulqiza e barakave me dërrasa e viteve ’49 – ’50 u rrit gradualisht bashkë me minierën e saj. Në vitet 50-60 u ndërtuan disa ndërtesa njëkatëshe. Pas vitit 1960 filloi ndërtimi i ndërtesave dykatëshe dhe vetëm pas vitit 1970 nisën të ndërtohen godina banimi tre e deri pesë katëshe. Shumë njerëz këtë e lidhin me nënvleftësimin që i bënte shteti këtij qyteti dhe ish.inxhineri e drejtuesi Gurra nuk me merr përsipër të vërtetoj të kundërtën por një gjë është e qartë: Në vitet e para perspektiva e Bulqizës ishte krejt e pa sigurtë, Kërkim –zbulimi i këtij vendburimi është bërë krahas shfrytëzimit dhe kërkimi nuk ka përfunduar edhe sot as në thellësi dhe as nga krahët. Prandaj dhe qyteti u rrit me zor krahas rritjes së zbulimit të rezervave. Qyteti i Bulqizës me rreth 2000 banorë deri në vitin 1955 u rrit deri në 18000 banorë në vitet 1995-2000. Krahas rritjes së qytetit u formuan edhe ndërmarjet e institucionet e qytetit. Në vitet e para qyteti nuk kishte ndërmarje komunale kështu që të gjitha punët komunale i bënte ndërtimi i minierës ose bëheshin me punë vullnetare. Në vitet 1985-87 u ndërtua lagja e re e quajtur “Qyteti i ri” ku u strehuan rreth 1000 familje. Pas viteve 90 kur filloi pluralizmi qyteti u përshtat shumë shpejt me mënyrën kapitaliste të jetesës. Me ndarjen e Bulqizës rreth më vehte (deri atëhere në juridiskionin e rrethit Dibër) dhe aktualisht si një nga 61 bashkitë e vendit, u strukturua mjaft shpejt administrata lokale dhe jo vetëm që nuk pati probleme por përkundrazi jetesa u përmirsua mjaft. Në mënyrë të veçantë e përmirësoi jetesën tregu privat.Megjithatë, aktualisht qyteti i Bulqizës vuan plagën e papunësisë dhe të mungesës së infrastrukturës bashkëkohore.

Minatorët në protestë për statusin e minatorit

Shtatëdhjet pas krijimit Miniera e \kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande por nje sistem i tërë shfrytëzimi që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zones.  Për këtë arësye ajo ka një rëndësi strategjike dhe duhet sjellë në vëmëndjë të qeverisë dhe të opinionit public, pasi përbën një kantier të rëndesishëm të ekonomisë shqiptare. Në sektorin e nxjerrjes së kromit, zhvillojnë aktivitetin në zonën e Bulqizës afërsisht 130 ndërmarrje private, duke qenë gjeneruesit e punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Zoti Edmond Isaku, themelues dhe administrator i Tv Bulqiza, njëherësh dhe administrator i një kompanie koncesionare thotë se nga shteti ka nevojë për ndërhyrje lehtësuese pasi industria e nxjerrjes së kromit, pas shtatë dekadash  me trend të pandalshëm rritës në volumin e mineralit të nxjerrë si edhe në vëllimin e lëndës së eksportuar, janë vështirësuar mjaft punimet…Dhe sit ë mos mjaftonin këto, minatorët e Bulqizës ankohen se marrin pensione minimale në një kohë që gjithë jetën kanë punuar nëntokë, në kushte tepër të vështira shëndetësore dhe ekonomike. Ata i bëjnë apel qeverisë për të miratuar statusin e minatorit, në mënyra që jeta e tyre të jetë më pak e vështirë, ndërkohë protesta e tyre për “Statusin” vazhdon pa ndërprerje që prej disa muajsh.  Ing.Kurt Skarra që ka patur fatin të ishte kryeinxhinier i minireës në vitet me prodhimin më të lartë të kromit mbështet protestën e minatorëve dhe me të drejtë e konsideron nëntokën e Bulqizës  si përfaqësuese, si pjesë të jetës dhe dinamizmit të punës ku mesatarisht për çdo vite kanë ushtruar profesionalizmin e tyre mbi 5000 punonjës të cilët kanë ushqyer mbi 15 000 jetë njerëzish,  duke i dhënë Bulqizës, emër dhe zhgënjim. “I ka dhënë emër sepse minerali kromit i nxjerrë nga nëntoka ka pushtuar tregjet e botës dhe ka krijuar tek të huajt,  imazhin  e një qyteti dhe treve shumë të zhvilluar,-thotë ing.Skarra. Ndërsa zhgënjimi sipas tij qëndron në faktin se minerali kromit është përdorur për të investuar në zonat e tjera të vendit dhe jo në vetë Minierën dhe Bulqizën…