BUKURITE E THETHIT/ Legjendat e Syrit të Kaltër, pse ju vendos ky emër në komunizëm

Vizitorët: Ngjan me një copëz parajsë natyrore dhe ia vlen të ndalosh

Parku natyror i Syrit të Kaltër, 12 kilometër larg qytetit bregdetar të Sarandës, në këtë fundmaji  vazhdon të jetë ndër më të frekuentuarit nga turistët vendas dhe të huaj. Me bukurinë e natyrës, hijeshinë, e pemëve dhe mbi të gjitha me gurgullimën e ujërave të kristalta të burimit, prej të cilit ka marrë emrin, ky park ofron mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor. Tashmë turistët vendas e të huaj që vizitojnë qytetin bregdetar të Sarandës  e kanë bërë pjesë të intenerarit të tyre Parkun Natyror të Syrit të Kaltër.

Arben Aleksi, një prej vizitorëve të fundit që bashkë me familjen ka zgjedhur të ndalojë buzë ujërave të freskëta, thotë se “Syri i Kaltër” tashmë është një mundësi e mirë për tu qetësuar. “Sot ishim në qytetin e Sarandës. Së bashku me familjen menduam të bëjmë një vizitë këtu në Syrin e Kaltër për të kaluar disa orë të këndshme. Kemi ngelur të mrekulluar”.  “Mund t’ju them se kam ngelur e mrekulluar nga natyra e këtushme. Kjo është vizita ime e parë, por mendoj se në të ardhmen do të pasohet nga dhjetra të tjera”, thotë Brikena Keta.

Grupet e vizitorëve që mbërrijnë tek “Syrin i Kaltër”, tërhiqen nga vendndodhja e parkut mes pyjeve të blerta të cilat në këtë zonë janë të shumta, bukuria e natyrës, freskia e pemëve dhe ujërave të kristalta që gurgullojnë zhurmshëm. Por surpriza që ofron parku i “Syrit të Kaltër” për vizitorë padyshim është burimi prej të cilit ai ka marrë emrin. I fshehur diku mes gjelbërimit të pemëve, ujërat e burimit vërshojnë në sipërfaqe duke vazhduar të magjepsin vizitorët me bukurinë dhe simbolikën e tyre natyrore, atë të një syri të kaltër plot ngjyrë dhe jetë.

“Jam duke shoqëruar një grup bashkëmoshatarësh nga Anglia. Të gjithë së bashku kemi ngelur të mrekulluar nga kjo bukuri natyrore, madje dhe mysafirët nga Anglia e përshkruajnë atë si diçka të veçantë”, thotë studenti Donald Misha. Me aparatet fotografike dhe kamerat në duar vizitorët e e herëpasherëshëm vazhdojnë të fiksojnë në celuloid këto momente të veçanta pranë burimit natyror.

Biznesi në shërbim të turizmit

Falë disa iniciativave të biznesit privat për të investuar në këtë zonë baret dhe lokalet e këtushme ofrojnë një shërbim bashkëkohor për vizitorët. Të ndërtuar në pjesën më të madhe të tyre me dru, në përshtatje me mjedisin përreth, këto mjedise janë pjesë e emocioneve dhe mbresave të vizitorëve në parkun e Syrit të Kaltër.

“Vitet e fundit kemi bërë një sërë investimesh në lokalin e tonë”, thotë njeri prej pronarëve të bizneseve. “Veçanërisht, vijon ai, jemi kujdesur që gjithçka ta ndërtojmë me dru duke iu përshtatur natyrës dhe mjedisit përreth”. Gjatë gjithë ditës lokalet e zonës tërheqin një numër të konsiderueshëm klientësh duke qenë kështu pjesë e natyrshme e potencialeve që ofron parku i “Syrit të Kaltër” për zhvillimin e turizmit malor. E veçanta e sezonit turistik të verës që do të nisë së shpejti është edhe akomodimi i pushuesve në vilat malore. Këto ndërtime me dru të stilit alpin ofrojnë hapësira dhe mjedise të konsiderueshme për akomodimin e turistëve. “Për sezonin e verës dhomat janë të gjitha të prenotuara që tani nga turistët familjarë”,  pohon njeri prej pronarëve të tyre.

 Mes legjendës dhe reales

“Prurjet e ujit  tek “Syri i Kaltër” kanë shkuar në 7.5 metër kub në sekondë nga 8.8 metër kub të regjistruara më 1980 dhe 1.4 m3 në kohën e tij më të keqe, tetorin e vitit 2002. Temperatura e burimit është identifikuar 10 gradë celsius, ndërkohë që thellësia e tij shkon deri në 50 metra”. Kjo është pasaporta e monumentit të rrallë natyror e vendosur në një shkëmb fare pranë burimit. Ndërkohë emërtesa për burimin e “Syri i Kaltër” vazhdon të qëndrojë mes legjendës dhe reales duke shtuar gjithmonë e më tepër kërshërinë dhe kuriozitetin e vizitorëve. Ka disa legjenda për Syrin e Kaltër. Një prej tyre thotë se, kur kanë hedhur një kafshë në liqenin e Janinës, ajo ka dalë tek burimi. Por është një një legjendë tjetër e popullsisë së kësaj zone, në të cilën lidhen çuditërisht bukur realja me fantastiken. Kjo është dokumentuar nga H. Pedersen në vitin 1893 dhe thotë: “Një herë e ndë një kohë, fryjti një erë kaq e fortë, sa tundi detin nga fundi dhe deti kërreu një gjarpër… Ra një re dhe gjarprin e hodhi në malin e Sopotit. Kafsha hante kafshët e njerëzit dhe të mbjellat i prishte. U ngrit një plak, ngarkoi një gomar me thasë me eshkë dhe vajti afër lubisë e i vuri zjarrin eshkës. Kur gjarpëri hëngri gomarin, u dogj dhe briti: “Ku je ti det, ata im dhe ti lumë, vëllau im!…” E u shtri për dekije. U nis deti nga Vivari dhe lumi nga Sopoti, por s’e proktasën dot”.Nga kjo legjendë mund të supozohet se Syri i Kaltër ka shpërthyer në një kohë që njerëzit e kujtojnë, sepse nuk ka qenë më parë. Por emri “Syri i Kaltër” lidhet edhe me nostalgjinë e inxhinierëve të hidrocentralit të Bistricës. Sipas banorëve të zonës në vitet 50′, kur u bënë studimet e këtyre burimeve për t’i përdorur në hidrocentralin e Bistricës një prej inxhinierëve të rinj e emërtoi burimi i “Syrit të kaltër”, pasi i kujtonte sytë e kaltër të vajzës që ai dashuronte. S’mund ta quaje ndryshe një burim aq të kaltër, me një rreth jeshil dhe me një njollë të zezë në mes. Blerim Kore