Bruna Përvathi nji za dinjitoz në matriarkatin e poezisë së sotme shqipe

Nga Albert Vataj

Poezia, njikjo prekje e beft e magjisë së shpirtit, tue u ba çdo ditë e ma shum’ kungim i shenjt i zemrave qi din me dasht me njaq forcë e përjetim, si me ju dhan andjes së krijimit, mundet me zgju prej thell nesh njat dëshirim përfshirës, qi e mbush çdo skut qi jeta na grryen me thon e me dhamb. E kur t’duhet me fol për pezinë, me u ndal me ndigjue pëshpërimën e këtij këndimi t’qiellt, me percik këtë lojë fijesh të ndishme, t’duhet me ken mirënjohës krejt njatyne që kanë mirësinë me nda me ne, zemrën dhe frymën. Nji ndër këto t’mundshme qi bujarisht na i përditëson ëndja për me këndue, asht Bruna Pervathi. Poezia e saj asht e çiltër dhe vërshuese. T’shkruemit, ndijshëm e përfshirës t’kësaj poeteje, edhe tue mos ken qëllim dashtaz e i ngulmët, mbetet për te nji mënyr t’jetuemi nan këtë llamburitje shkrepëtimash çasti.

Bruna Përvathi, mundem me than se asht nji nga përfaqësueset dinjitoze të matriarkatit të poezis shqipe, njasaj tendence qi “përdhunshëm” po kërkon dhe ka mujt me ba nji vend sundimi, në t’shkruemit dhe t’endunit të njatij komunikimi dritues ndijimesh.

Sod ndoshta ka beh koha me e pranu si shpërblyese nji dimensioni të ri të komunikimit shpirtnor. Asht fjala për kumtin krijues të femnave, atyne vullneteve delikate shprehëse, qi munden njaq mir’ me prek me ajër si me ç’do tjetërgja, qi krijuesi i ka mbrujt, si t’andshme dhe dëshiruese. Jo aq mundësia, se sa nevoja, ka ardh me i ba prani nji energjie përtrise t’ndjesisë dhe t’perceptimit jetësues estetik të femnave. Në kët’ pushtet andjesh dhe adhurimesh, në kët’ qasje përulësie për besim, na mbetet ma shumë se me zgjedh, me ndi.

Bruna Përvathi asht nji nga ato realitete të begata, me të cilin bujarisht na shpërblen mundësia e komunikimit (Facebook). Poezia e saj asht kang dhe jehonë e një shpirti, qi don me ba vend në çdo krahnor, qi ndin se ka nevojë për eterin e këtij zani. Ajo pëshpërit me thirrje vërshuese. Ajo këndon me melodinë e njatij vibrimi fryme, si tue dasht me grish tana refrenet e qiejve dhe ernave. U flet prajshëm andjeve. Noton me fjalën, vargun dhe ritmin, në tana vërshimet, qi ndërsen shpirti saj në këtë thirrje përjetimi.

Tue e lexu poezinë e Përvathit, të mbetet vetëm me ken i përfshim në gurgullimën e kësaj gurre të amël dhe delikate, të ndishme dhe meditative, të thellë dhe përfshirëse. Ajo i jepet krijimit, si një hovi jetues t’momentit që shkrep njaty ku të prek dhe të rrëmben. Ecën në copëza përjetuese, si në një rrugë mbuluar nga gjethe që vjeshta ka rrëzu nga degët. Hapi i saj çuçurit lehtas e pa droje. Rend ashtu tue marr vetvedin e tue e derdh atë gulç krijues, si një formë jetësimi të asaj qi ndin dhe jetëson poetikisht.

Bruna Gjoni Pervathi, shkruen, krijon dhe vijon me ju dhan kangës, si tue ken më gar me kohën dhe në ritëm me shpirtin. Ajo duket se nuk e vret mendjen, nëse ata qi e ndjekin në këtë rrugëtim, janë pjesë e shpirtit dhe përjetimit t’saj, kumtuar poetikisht, gjithsesi ajo asht aty, shkruen, krijon dhe ofron gjithkujt qi don t’bahen pjesë e poezis së saj, pjesë e mënyrës, se si ajo jeton dhe i shndrron në gufime të andshme, çka për të asht e shtrenjt dhe e shenjtë.

Bruna ka vendos me këndu me zanin e bylbylt t’gegnishtes si me nji andje qi mundet me zgju thell saj atë çfarë e ban me ndi e me kriju, njashtu bukur dhe përplot ndjenj, ritmike dhe melodioze. Rasti i Brunës mundet me ken nji përjashtim fort rrëmbyes, kjo ngase tue ken me origjin nga Kuçova, ajo shkruen n’gegnisht me njaq elegancë dhe hir, timbër dhe elekuencë, bash si me pas pi gji prej vet Rozafës. Kësisoj, Bruna asht fiturse e çmimit “Fishta” n’konkursin e poezis geg. Kjo përzgjedhje dialektore e lëmimit të vargut e skalitjes së ndjesisë, e ban ma intrigues dhe t’meritum vendin qi ajo don me xan n’poezin geg. Njaq sa thash, ndoshta s’bana mir’ qi si mora leje kujt, ndoshta njatyne qi duen standarte e kahje përkatsish geg. Por mu desht me ndigjue vetëm njata sensor ndijues t’poezis dhe t’gegnishtes, për me than e me shkrue për te e për gjithkend, qi vullnetmirë e blaton shpirtin në altarin e andjes së përjetimit poetik geg.

Bruna Përvathi asht një emën dhe një za i randsishëm në matriarkatin e poezisë shqipe. Popullimi i botës së andrrave dhe përjetimeve të vetëtimshme nga amazonat e shpirtit, asht nji epok, nji fakt, nji nevoj e jona për me ken t’nënshtruem këtij pushteti shprehës shpirtnor. Bruna është këtu me than, se edhe un’ jam pjesë e kësaj vullnese, e këtij komunikimi, për të cilin shohim se e paskemo kaq shumë nevoj me ju ba pjesë përjetuese e saj, tash qi jena t’kapun nga ky realitet. Femrat njashtu siç din me dashunu, din edhe me ju dhan andjes adhuruese të krijimit. Ata janë motra të dashtuna, gra fisnike, nana t’përkushtume, qytetare të dinjitetshme dhe poete qi guxojn me ba epokë. Ne na mbetet me ken njaq sa falenderues edhe t’dashunum prej tyne, prej mrekullis së krijimit qi ata din me i ba njaq qiellore sa edhe ndjenjat.