Bota kujton Mandelën, atin e luftës kundër aparteidit

Pesë vjet më parë, ndërronte jetë Nelson Mandela, ati i luftës kundër aparteidit. Të shumta, nismat e ceremonitë në të gjithë botën, për të kujtuar figurën e shembullin e tij të jashtëzakonshëm, në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

R.SH. – Vatikan

Më 5 dhjetor 2013, në moshën 95-vjeçare, vdes Nelson Mandela, presidenti i parë i Afrikës së Jugut, i zgjedhur nga populli; i pari, me ngjyrën e lëkurës të zezë. Ëndrra e tij, pjesërisht e realizuar, ishte ndërtimi i një shoqërie, ku të gjithë jugafrikanët, të bardhë a të zinj, të ecnin udhës me kokë lart “në një komb në paqe me veten e me botën”. Ndërron jetë pas një infeksioni të rëndë në mushkëri, duke lënë në lot të vegjlit e të mëdhenjtë e kësaj bote, përherë mirënjohës ndaj atij, që me forcën e përvujtërisë, diti ta ndryshojë historinë.

Liri për të gjithë

Megjithëse merrte frymë me vështirësi, për shkak të tuberkulozit, marrë gjatë burgimit të gjatë më se 20-vjeçar, në Robben Island, Mandela nuk reshti kurrë së luftuari për çështjen e paqes e të lirisë. E pesë vjet pas vdekjes, ndjehet akoma frymëmarrja e mendimeve, fjalëve dhe veprave të tij. “Ku ka varfëri e sëmundje, ku shtypen njerëzit, ka më tepër punë për të bërë – thoshte shpesh – e detyra jonë është t’u garantojmë lirinë të gjithëve”.

Të luftohen diskriminimet e reja

Aparteidi, trashëgimi e trishtë e kolonializmit të shekullit të kaluar, të cilit Mandela arriti t’i jepte fund në Afrikën e Jugut, pasi provoi në kurriz të vet burgimin, torturat, dhunën, akuzat e padrejta e shpifjet, është akoma i pranishëm në formën e ksenofobisë e të përjashtimit shoqëror. Ka rrezik ta ngrejë edhe më tepër kryet, sidomos në këtë fazë historike, në të cilën shumohen emigracionet, jo vetëm drejt Evropës, por edhe brenda vetë Afrikës.

Trashëgimia e Mandelës

Prandaj, bota e ka të nevojshme të kujtojë vdekjen e Nelson Mandelës, për t’i dhënë jetë çdo beteje të shëndoshë për lirinë, drejtësinë dhe fundin e diskriminimeve. Nobel për Paqen në vitin 1993, “Ambasador i ndërgjegjes” për Amnesty International më 2006 dhe përkrahës i guximshëm i luftës kundër Sidës, Mandela – që me dashuri e thërrisnin “Madiba” – gjeti zgjidhjen, që edhe sot frymëzon miliona njerëz e shoqata të impenjuara në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Formula e tij ishte kjo: për hir të interesave të krejt popullit, mos i lini vend mllefit; shërojini plagët; zgjidhni gjithnjë faljen, në vend të hakmarrjes.