Blushi: PS dhe PD zihen se kush prej tyre ka më shumë kriminelë

Deputeti Ben Blushi ka akuzuar qeverisjen e sotme dhe opozitën se i vetmi debat që po zhvillojnë këtë ditë është se cila prej tyre ka më shumë kriminelë brenda saj. Ai ka shfrytëzuar edhe seancën e sotme parlamentare për të dhënë shembuj për një refren që po thotë prej kohësh: që nuk ka ndryshim mes Saliut dhe Rilindjes. ‘Saliu iku. Unë kam 20 vjet që nuk e besoj atë, por një gjë ama ja besoj kur thotë që unë u largova po unë vazhdoj të qeveris, sepse asgjë nuk ka ndryshuar që prej largimit tim”. Blushi e ka ilustruar këtë ide me shembujt që u dhanë në parlamentin e sotëm nga të dyja palët. “Ju u zutë edhe sot se kush ka më shumë kriminelë, se kush ka futur më shumë të tillë në Parlament”, ju drejtua Blushi të dyja palëve duke theksuar edhe njëherë se, “metoda e qeverisjes së Berishës vazhdon sot edhe pa Berishën”. Më poshtë pjesë nga fjala e Blushit në Kuvend

***
Foli sot ndonjëri në dobi të interesit publik? A foli ndonjëri në dobi të shqiptarëve? Çfarë ndodhi sot? Kjo ndodh prej gati dy vjetësh në këtë Parlament. U bë një garë dëmesh kush e ka dëmtuar më shumë Shqipërinë.
Kjo palë apo kjo palë! Kjo garë bëhet për dje. E kush ishte gara e ripërsëritur? Kush i ka kriminelët më të padukshëm?! Kush ka futur më pak njerëz me precedentë penalë?! Kush nga ata që ligji i dekriminalizimit duhet t’i kapi por që në fakt nuk po i kap për shkak të një pakti ndërpartiak?! Ka trafikuar më pak?!
Kush ka shitur më pak drogë?! Kush ka vrarë më pak?! Kush ka kriminelët më të ‘butë’?! Kjo do të thotë që gara e dëmeve ka për të vazhduar. Çfarë u tha prapë sot? Ishte një pikë që u fol për çështjen e energjisë elektrike. Kush ua ka shitur shqiptarëve më shtrenjtë energjinë elektrike, Partia Demokratike apo Rilindja?! Kush e ka dëmtuar më shumë konsumatorin. Kush nga dy palët edhe për një investim që lidh Shqipërinë dhe Kosovën për të shkëmbyer energjinë elektrike. Këtu u grindën palët.
Këtu s’ka arsye pse të grinden, sepse një palë e ka nisur dhe një palë tjetër me shumë gjasa po e bitis. Edhe kjo grindje e shtyu. Duhet të ishte miratuar para 4-5 vitesh. Kjo pra është arsyeja siç thashë. Më vjen keq për të gjithë ju, por më shumë për të vërtetën, sepse e vërteta në këtë Parlament nuk po del.
Edhe një pikë që ka ardhur sot që përpiqet të trajtojë problemin e tokave bujqësore që është problem themelor në Shqipëri dhe ajo që përpiqet të vendosë një normë dhe që qeveria për mendimin tim ka propozuar padrejtësisht. Edhe kjo pikë shtyn masakrën e trajtimit të pronave bujqësore. Shtyn datën e masakrës në një afat të pacaktuar.
E kam thënë dhe e përsëris: iku Saliu në 2013. Ka 20 vjet që asnjë fjali të tij nuk e besoj, por një fjalë unë ia besoj dhe që ka filluar ta thotë më shpesh. Ai thotë: Unë ika, por unë vazhdoj të qeveris. Dhe kjo është e vërtetë fatkeqësisht. Saliu ka ikur, por metoda e qeverisjes së Saliut vazhdon. Po ju them dy fjalë për dy aktet që kanë ardhur sot për shtyrjen e afatit të pronave. E shtyjnë copëtimin e tokave. Ushqejnë korrupsionin.
Ka 20 vjet gjyqtarë, kryetarë komunash, kryetarë bashkish tani ushqehen duke dhënë tapi të tokave që nuk i kanë. Ligji i famshëm 7501 vazhdon të funksionojë. Toka në Shqipëri është copëtuar. Shohim që bëjmë një ligj të padrejtë për ata që nuk ua kthen pronën, por ua tjetërson. Ndërkohë, dikush që merr një letër nga një kryetar bashkie, ai merr pronën e atij që nuk i kthehen. E para, këto akte nuk i japin fund çështjes së pronave në Shqipëri. E dyta, u japin mundësi kryetarëve të bashkive që të abuzojnë.
E treta, kjo është një mundësi për abuzimin, sepse mëson administratën që gabimet e saj, korrupsionin e saj ne mund të vijmë në Parlament dhe ta shtymë. E katërta u themi pronarëve se nuk do t’u shtyhen afatet e aplikimit. Kurse atyre që nuk kanë tokë fare, ua shtymë. E pesta, u themi investitorëve që këtu çështja e pronave është e pazgjidhur. Dhe e fundit, kur do të mbarojnë afatet e ligjit 7501.
Kush do të ketë të drejtën me këtë akt që miratojmë sot t’i ndajnë këto prona. Kryetarët e bashkive. Është provuar. Disa prej tyre janë njerëzit më të degraduar. Si mund të besoj unë që ata kanë drejtësi për të ndarë ato pak toka që kanë mbetur. Ja pra se si vazhdon metoda e qeverisë së Saliut dhe pa Saliun. Një nga pikat është se si thërrmimi i tokave cenon direkt investimet publike ë Shqipëri. Po marrin një rast: Maqedoninë. Ka ndërtuar 14 zona të lira ekonomike.
Nuk po arrijmë dot të ndërtojmë një model ekonomik, i cili prodhon progres, prodhon vende pune, mirëqenie dhe rrit shpresën se ky vend mund të bëhet i jetueshëm. 94 hektarë është një nga zonat ekonomike në Tetovë, 26 ha në Strugë. Këto hektarë a mund të më thonë të kujt janë? A mendoni se ata ua kanë lënë këtyre kryetarëve të bashkive që ndërrojnë nga katër emra dhe u kanë thënë copëtojeni ju dhe u thonë investitorëve: Patrik mos u bëj si ne! Sigurisht që jo. E pra, këto janë politika që ne nuk i kemi. Po shkojmë edhe më keq dhe po thërrmojmë edhe ato pak toka, që është pasuria jonë më e madhe bashkë me detin dhe me ajrin.
E kujt po ja lëmë?! Askujt! Po ua lëmë kryetarëve të bashkive për t’i thërrmuar. Njerëz që janë provuar se nuk kanë një sens drejtësie dhe zhvillimi në këtë vend dhe nga ata po i çojmë tek gjykatat dhe po i fusim me mijëra vet në konflikt. Në qoftë se ka një akt që kanë çuar më shumë shqiptarë në varreza, janë aktet e ndarjes së pronave. Janë 8 mijë shqiptarë. 8 mijë shqiptarë nuk janë vrarë as në luftë. 8 mijë vetë Sadri (deputet i PS-së).
Edhe mua më vjen keq kur i tha: Po Patrik mos u bëj shqiptar të kishte parasysh ty, i tha mos u bëj si Sadriu. Mua më vjen keq për ty! Më thoni një gjë që po shkon mirë në Shqipëri?! Një gjë! A ka më shumë papunësi?! Më shumë ka…A është rritja ekonomike siç e prisnim, është shumë më keq! A është borxhi më i lartë? Është shumë i lartë! A ka inflacion të mjaftueshëm që na jep mundësi të konsumojmë sa duhet dhe të mbrojmë vendet e punës?! Përkundrazi, është 0.3 për qind tre muaj rresht. Në prag deflacioni. Apo konsumojmë më shumë apo më pak? Çfarë po shkon më mirë?
A po japim një model në shoqëri? Si ka mundësi që dy partitë e mëdha grinden kush i ka kriminelët më të butë! Kush i ka kafshët e egra më të buta? Çfarë modeli u japim të rinjve, të ndërrojnë emrat nga 4 herë, të përçmojnë, të abuzojnë. Të jenë njerëzit më mediokër. Ky është degradimi i shoqërisë. Në qoftë se ka njerëz që heshtin e stimulojnë. Dhe pastaj thonë pse shqiptarët ikin nga Shqipëria. Si mund të jetosh në një bashki që qeveriset nga një mediokër? Sadri nuk po ta përmend emrin as ty as atij. Si mund të pranosh që ky rrënim kthehet në normë Sadri. Si mund të pranosh që kjo shoqëri po bëhet çdo ditë e më e vogël. Kemi qenë 4 mln banorë para 25 vjetësh. 2.8 para tre vjetësh dhe sot jemi më pak se kaq. Pse po bëhemi kaq pak Sadri? Dielli, ajri, mineralet, toka, zejet. Na mungon vetëm një gjë: qeverisja. Na mungon mënyra e qeverisjes. Dua ta mbyll me atë historinë e Patrikut se më pëlqeu në fakt. I tha: Patrik mos u bëj si ne! Sigurisht që ky kryeministri ynë ka tentuar në jetën e vet të bëhet francez por nuk ia ka arritur të bëhet dot. Nuk do të jetë shqiptar. I përçmon shqiptarët. I konsideron dembel. Ka një mundësi, francez nuk bëhet dot, shqiptar s’do të jetë, të paktën të paktën të bëhet maqedonas. Në ç’kuptim? Të hapë zona të lira ekonomike, të thithë investime të huaja dhe të hapë nja 6 mijë vende pune. Ja ku përfunduam..po na shiten të gjitha aksionet tona të shtrenjta. Investimet e huaja po zbohen për shkak të paaftësisë për shkak të mediokritetit të qeverisjes. Nuk na mungon as toka, as dielli, por qeverisja. Nuk e kemi. Të paktën edhe për një vit jo!