BJESHKET E MAGJISHME TE SHQIPERISE SE VERIUT/ Pranverë në Theth, mahniten turistët izraelitë

Shpërndaje në Facebook
Tweet on Twitter

Vizitorë të shumtë shijojnë mrekullinë e bjeshkëve shqiptare

Thethi është një mrekulli në çdo stinë por në pranverë natyra ka shpalosur të gjithë sharmin e saj duke e derdhur ngjyrat dhe freskinë. Tashmë turistët janë nga çdo anë madje edhe nga vende të largëta. “Jemi nga Izraeli dhe është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Nuk kemi dëgjuar asgjë për këtë vend. Këtu po shohim se është i rrallë” thonë një grup i sapo mbërritur në Theth. Natyra shqiptare është e rrallë sidomos kur nuk është prekur nga ndërtimet. Itzek Picherion, një prej turistëve, tregon përshtypjet e tij të para. ”Është hera e parë që vij në Shqipëri. Vendosëm të vijmë sepse kemi dëgjuar se është i bukur. Në fakt nuk ka shumë izraelitë që e vizitojnë këtë vend, por edhe se nuk është i ndotur nga njerëzit e ndërtimet. Është mjaft e vështirë të gjesh vende të tilla. Kam dëgjuar se rrugët i ka të këqija. Ajo që më pëlqen është fakti që ecën e ecën dhe rruga nuk di ku të shpie. Por kur vjen këtu dhe ecën përmes këtyre bjeshkëve të larta me rrugë interesante dhe sheh njerëz që jetojnë në këto lartësi. Fakti që ka rrymë elektrike është shumë interesante. Mendoj se do qëndrojmë dy ditë. Kemi dëshirë të ecim në natyrë ndoshta do marrim edhe ndonjë kalë me qira dhe të shohim bukuritë e këtij vendi me këtë pamje të mrekullueshme”.

Shumica e turistëve vijnë për herë të parë. Disa kanë dëgjuar nga miqtë, disa kanë kërkuar në google ndërsa të tjerë kanë provuar fatin por e përbashkëta është përshtypja mjaft pozitive që kanë marrë në Theth. Armi  Hesster vjen nga Gjermania. Ai ka dëgjuar për Shqipërinë por jo shumë për mirë. “Kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, e gjithmonë në aspektin negativ. Unë jam njeri i aksionit edhe më pëlqen që të udhëtoj shumë. Më pëlqen aventura e kështu vendosa të vij në Shqipëri dhe të vizitoj bjeshkët. U mahnita. Më pëlqen fakti që janë të paprekura. Ndërsa ajo që më bën përshtypje më shumë është se të gjitha ato që kam dëgjuar deri tani për Shqipërinë nuk janë të vërteta. Këtu është një oaz qetësie. Thethi është I mrekullueshëm, vend fantastik. Do doja shumë që pleqërinë ta kaloj këtu. Në mes të natyrës së egër dhe të virgjër. Kemi edhe në Gjermani bjeshkë por atje është infrastruktura dhe nuk të mungon asgjë. Kjo e bënë shumë të mërzitshme bjeshkën në Europë.”

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar Theth është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur “Parku i Paqes” ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

Tursitët në Theth shtohen çdo vit. Banorët e kanë kuptuar tashmë vlerën dhe janë edhe mbrojtësit dhe promovuesit më të mirë të traditës dhe të bukurive natyrore të bjeshkëve shqiptare.  Simon Shkreli