Bisedimet shqiptaro-greke, Bushati-Kotzias: Kemi bërë progres, shpresoj në zgjidhje konkrete

Në përfundim të ditës së dytë të  bisedimeve zhvilluar me homologun e tij grek Nikos Kotzias në Korçë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati konfirmoi sot në mbrëmje se çështjet e diskutuara janë ato që janë bërë publike tashmë.

Në një prononcim për mediat, kryediplomati Bushati bëri të ditur se është bërë progres i qenësishëm përsa i përket temave.

“Duhet të na mirëkuptoni se këto janë diskutime jo të lehta, sa i përket faktit që tematika është e gjera, e shtrirë në kohë në 70 vite histori. Mund tju them që edhe në Korcë kemi bërë progres të qenësishëm. Nesër do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekrete sepse temat janë thënë nga të dyja palët. Jemi në procesin e shtjellimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj edhe drejt zgjidhjeve konkrete”, deklaroi ministri Bushati.

Prej ditës së premte, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias  po zhvillojnë në Korçë takimin e dytë mbi bisedimet për çështjet e hapura mes dy vendeve, vijim i takimeve në Kretë. /a.g/

https://www.ata.gov.al/bisedimet-me-kotzias-bushati-kemi-bere-progres-shpresoj-ne-zgjidhje-konkrete/