Bisedë telefonike e Kryeminiastrit Edi Ramës me Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

Në Shqipëri zyra e kryeministrit Edi Rama njoftoi sot se kreu i qeverisë kishte marrë një telefonatë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe se biseda mes tyre kishte zgjatur më shumë se 20 minuta.

Sipas njoftimit Sekretari Tillerson e ka uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Qershorit duke shprehur “bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit”.

Zyra e kryeministrit shqiptar bën të ditur se ndërsa ka shprehur “mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës” Sekretari Tillerson i ka përcjellë zotit Rama “përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon”. Lidhur me rajonin, kryeministri Rama nga ana e tij është “përqëndruar kryesisht te dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.

Biseda mes kryeministrit shqiptar dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, është shtrirë edhe te roli i Shqipërisë në NATO e kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, për të cilat Sekretari Tillerson – sipas njoftimit – “është shprehur me konsideratat më të larta”.

Kryeministri Rama ka kërkuar gjithashtu “intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-të në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit”.