Bill Clinton, tha në Prishtinë se ndjehet i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, tha të mërkurën në Prishtinë se ndjehet i nderuar që ka qëndruar me popullin e Kosovës “kundër spastrimit etnik dhe për lirinë e tij”.

Ai u prit si hero në qendër të Prishtinës në manifestimin me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, që Kosova e kremton si ditë të lirisë.

“Kam një fotografi në zyrën time në New York dhe është një fotografi në Prishtinë pas fundit të konfliktit, ku janë sekretarja Albright, gjenerali Clark, Tony Blair dhe unë. Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se çka ka qenë qëllimi kryesor që ka arsyetuar përdorimin e forcës. Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur i takova këtu para 20 vitesh, në një shkollë në Ferizaj, atë dite thash diçka që dëshiroj ta them edhe sot, 78 ditë të sulmeve ajrore nga NATO-ja mund ta kenë fituar këtë luftë por vetëm qytetaret qe ishin ne gjimnaz atë ditë dhe qytetarët tjerë të Kosovës mund ta fitojnë paqen. Njëzet vite më vonë mendoj se keni bërë një punë të mrekullueshme të arritjes së paqes dhe e di se në kohët e paqes më e rëndësishmja është të shihet se çka do të bëhet më tutje”, tha presidenti Clinton.

Ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha se lufta në Kosovë ishte një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe të drejtave themelore të njeriut, ndërmjet tiranisë dhe demokracisë. Ne përfundimisht mbizotëruam sepse Aleanca ishte e bashkuar dhe e fortë, kauza jonë ishte e drejtë, fushata jonë vendosej në baza të drejtësisë sepse ne po shikonim një komunitet të tërë të abuzohej e dëbohej nga shtëpitë dhe përgjigja jonë për këtë ishte JO. Ne i treguam botës se çka është e mundshme të bëhet kur diplomacia dhe forca bashkohen”.

Ish sekretarja Albright tha se shume gjëra kanë ndryshuar në Kosovë gjatë dy dekadave dhe “qytetarët i dëshmuan botës se janë të aftë të ndërtojnë paqen”.

“Ne asnjëherë nuk do të ju harrojmë, e ardhmja është e juaja dhe miqtë tuaj janë këtu, ju do të vazhdoni punën tuaj dhe ne do të vazhdojmë të ju mbështesim juve”, tha zonja Albright.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, tha se “NATO-ja ndërhyri pas shterimit të të gjitha përpjekjeve politike dhe diplomatike dhe ajo ndërhyrje ishte qenë mundësia e fundit për gjunjëzimin e regjimit të (Slobodan) Millosheviçit si dhe për të ndaluar shkatërrimet që po bëheshin në këtë vend. Ata që janë mbledhur sot këtu e dinë shumë mirë që rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar ndërhyrje për të shmangur një katastrofë humanitare”.

​Zoti Palmer tha se e ardhmja e varet nga ruajtja e rendit dhe ligjit dhe kërkon demokraci të fortë, llogaridhënie dhe refuzim të pa ndëshkueshmërisë.

“Përparimi kërkon zotim nga udhëheqësit e Prishtinës dhe Beogradit për të siguruar mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe të sjellin para ligjit ata që kanë kryer krime lufte dhe dhunë. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të të gjitha viktimave, në mënyrë që të kenë qasje në drejtësi dhe të gjejnë fatin e më të dashurve të tyre të humbur tyre, ata duhet të lënë mënjanë retorikat nacionaliste”.

Zoti Palmer bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë bisedimet deri në njohjen e ndërsjellë.

Më herët gjatë ditës, zonja Albright, tha se Shtetet e Bashkuara bën gjënë e duhur duke ndihmuar popullin e Kosovës që të fitojë lirinë.

Ajo i bëri këto komente pasi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë” nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e cilësoi atë heroinë të Kosovës.

“Dua të pranoj se më pëlqen kur nderohem, por më duhet ta them se asgjë nuk më bën më të lumtur sesa të afrohem më shumë me Kosovën. Jam shumë krenare për çdo gjë që ne dhe ju kemi bërë për të arritur këtu. Kurrë nuk do ta harroj ardhjen time në Prishtinë menjëherë pas luftës. Kishte shumë turma njerëzish dhe shenja gjithandej që thoshin ‘Faleminderit Amerikë”. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjënë e duhur, që ishin në gjendje të ndihmojnë popullin e Kosovës të fitojë lirinë dhe të punojë shumë. Jam e nderuar që jam këtu me ju dhe me të gjithë ju që vazhdoni të punoni shumë për lirinë dhe demokracinë në Kosovë. Kosova është vend i pavarur që duhet të njihet si e tillë, dhe unë jam e kënaqur që të njihem si kontribuese për këtë. Dhe jam shumë krenare për të gjitha ato vajzat e vogla, të cilat e mbajnë emrin Madeleine”, tha zonja Albright.

Me “Urdhrin e Lirisë” u dekorua edhe ish komandanti i forcave të NATO=s gjatë luftës së Kosovës, gjenerali Wesley Clark.​

Ish zyrtarët e lartë amerikanë, po marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare. Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 4 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Hyrjes së trupave u parapriu nje fushatë 78 ditëshe e bombardimeve kundër forcave serbe, pasi që Beogradi kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje të negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

Në njëzetvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, udhëheqësit politikë në Kosovë e shohin 12 qershorin si një nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës.

VOA