BILD shkruan: Pushtetet financohen nga gangsterët!!! Reagon Nishani: E turpshme për të gjithë ne!

Nga Bujar Nishani 
Gazeta e madhe dhe influente në Gjermani, BILD shkruante dje : “…Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterrësh…”.

E turpshme për të gjithë ne ! E turpëshme por dhe kriminale për ata që në krye të 6-të viteve qeverisje të këtij vendi e kthyen atë në ferrin e qytetarëve të vet dhe parajsën e gangsterrëve. Por, gjithashtu një realitet që na turpëron të gjithëve, duke na veshur imazhin e të përunjurve ndaj gangsterrëve e të pazotët për ti treguar vendin që meritojnë në të vërtetë gangsterrët që kanë pushtuar institucionet në këtë vend.

Konstatimi i Bild se Shqipëria është në duart e gangsterrëve nuk është i panjohur për shqiptarët por ai tregon se çfar imazhi ka imponuar për ne në perëndim qeverisja aktuale e “rilindësve”. Denoncimi i Bild nuk e zgjidh dot kaosin që kanë krijuar anarkistët në pushtet por tregon se sa të mëdha dhe të vështira janë përgjegjësitë e shqiptarëve për vendin dhe fëmijët e tyre.

Natyrisht që Bild nuk jep receta se si shqiptarët duhet të gjejnë rrugën e kthimit të vendit të tyre në normalitet por ajo qartëson opinionin publik në perëndim se gangsterrët shqiptarë nuk janë të rrezikshëm vetëm për qytetarët e Shqipërisë por kërcenojnë tashmë drejtpërdrejt edhe sigurinë e qytetarëve evropianë.

Alarmi i Bild tregon se si mund të asgjesohet e vërteta publike në një vend prej propagandës spekulative kur pushtetet e rëndësishme të medias dhe drejtësisë financohen e menaxhohen nga krimi organizuar në funksion të gangsterrëve në pushtet.

Media e lirë dhe prestigjoze Bild nuk shkruan për të informuar qytetarët shqiptarë, sepse nuk ka njeri në këtë vend që nuk i njeh gangsterrët, qofshin ata që përndiqen e dhunohen nga gangsterrët e qofshin ata që i ndjekin pas e u shërbejnë gangsterrëve. Bild u tregon qytetarëve europian se si taksat dhe parimet e tyre keqpërdoren, tjetërsohen dhe hidhen në koshin e korrupsionit, kapakun e madh të të cilit gangsterrët e kaosit shqiptar e mbajnë hapur “non stop” !