Biblioteka Mbretërore e Aleksandrisë, kur tiranitë dhe errësira vendosën me zjarr që historia e njerëzimit të hesht

Nga Albert Vataj

Ajo ishte madhështore, sepse në brendësi të saj ruhej dhe mirëmbahej historia e deriatëhershme nëpër të cilën kishte kaluar njerëzimi. Gjithçka që do të dëshmonte brezave. Gjithçka që do të mëtonte në vetvete si një prej thesareve patëdytë.
Ajo tragjikisht humbi me kohën, u shua pas flakëve, u fundos në harrim. U shkrumbua dhe përpëlitjet e saja të ankthshme në dilemën e zjarrvënies, dëgjohen deri në themelet e shekullit tonë. E shkuara mbeti pa dëshmitarë. Historia vendosi të qëndrojë gojëkyçur para gjithçkasë që kishte ndodhur deriatëherë dhe përpiqet të jetë e pafajshme duke i vendosur në duart e askujt dhe gjithkujt urët e zjarrit që kthyen në hi një tempull.
Ajo ishte tempulli i gjithëdijes së njerëzimit, dhe mbeti fatalisht e vetmja e historisë, pa mundur të kishte një të dytë, edhe sot kur nuk resht nevoja për dije dhe detyruese mbetet testamenti që do t’i lëmë gjeneratave.
Mbeti e vetmja pasi sot nuk ekziston një institucion që të funksionojë me kaq rreptësi dhe atribut siç ajo ishte në të vërtetë.
Kujtojmë se Biblioteka e Aleksandrisë ishte e para për mbledhjen e një përmbledhje serioze të librave, njohurive dhe dijes nga gjithë bota. Ajo mundi t’ia arrinte kësaj përmes një mandati mbretëror agresiv dhe të mirëfinancuar që përfshinte udhëtime në panairet e librit si ai i Rodosit dhe Athinës dhe një politikë, ndoshta jo shumë dinjitoze, për marrjen e librave nga çdo anije që vinte në port. Ata mbanin tekstet origjinale dhe kopjet e bëra ua dërgonin të zotëve të tyre.
Përveç koleksionimit të veprave nga e kaluara, biblioteka ishte edhe një shtëpi për një mori dijetarësh ndërkombëtarë, e mbështetur nga dinastia e Ptolemeut me udhëtime, strehim dhe paga për të gjithë familjet e tyre. Si një institucion kërkimor, biblioteka ishte shumë e mbushur me vepra të reja në matematikë, astronomi, fizikë, shkenca natyrore dhe subjekte të tjera. Ishte në Bibliotekën e Aleksandrisë ku u ideua metoda shkencore dhe u vu në praktikë, dhe standardet e saj empirike u aplikuan në një nga strehat e para dhe sigurisht më të forta të kriticizmit tekstual serioz. Duke qenë se i njëjti tekst shpesh ekzistonte në disa versione të ndryshme, kritika tekstuale krahasuese ishte vendimtare për të siguruar vërtetësinë e tyre.
Megjithatë, gjithçka i përket të shkuarës. Ajo tashmë është vetëm një kujtim ngjethës, i cili më kot kërkon të gjejë paqe në themelet e një godine madhështore të ndërtuar në gërmadhat ndjellakeqe të këtij tempulli.