Beteja e parë diplomatike, e fituar nga ministri i deleguar, Gent Cakaj në Bukuresht

Nga Albert Vataj

Pritshmëritë për këtë djalosh të ditur nuk kanë zhgënjyer. Ai që u promovua me forcë nga Kryeministri Rama dhe jo vetëm, për kulturë të gjerë dhe aftësi, në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së ka realizuar një gol spektakolarë diplomatik. Nga pozitat e provokuesit, ministri i deleguar i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka kaluar në avantazh befasues, duke lënë gojëhapur shpurën hijerëndë dhe arrogancën e diplomatëve. Siç dhe pritej, promovimi i këtij rishtari do të kishte një përballje të vështirë. Por me sa duket, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, nuk i kishte bërë hesapet mirë. Atij i ra “të shkonte të merrte vetullat dhe la edhe sytë”, sepse e atillë ishte goditja që pësoi kur ai ngriti zërin se gjoja Serbia po provokohej nga pjësëmarrja e Kosovës në këtë samit me dy përfaqësues. Diçka fare pa rëndësi i kishte shpëtuar kryediplomatit serb, anipse thelbësore, origjina e tij, prejardhja, e cila automatikisht e bënte edhe atë si përfaqësuesin e tretë të Kosovës në këtë tubim.
Siç edhe njoftojnë mjetet e informimit, Gent Cakaj ka pasur takimin e parë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, de facto me pjesëmarrjen e tij në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u zhvillua në Bukuresht, në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Lajmet bëjnë me dije se Gent Cakaj është përballur me një situatë befasuese nga Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili nuk ka mundur të mos e shigjetojë zv.ministrin shqiptar që vjen nga Kosova.
Meqënëse në takim përveç tij ishte dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, Daçiç ka kërkuar shkas për ta parë këtë si provokim duke e nisur takimin me shigjetime. Në përpjekje për të vënë në pozita të vështira Cakajn përballë liderëve europianë, Daçiç ka shprehur shqetësim, se përse sipas tij, Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë.
“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, mësohet të ketë thënë Daçiç.
Por ministri i deleguar, Gent Cakaj nuk ia ka lënë mangët, duke i rezervuar një përgjigje shokuese, Ivica Daçiç, qasje që ka shkaktuar ilaritet në sallë.
Nisur nga fakti që Daçiç është nga Prizreni, ministri Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar më herët. “Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë “nuk ka dy pa tre”! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj-Daçiç. Kaq ka mjaftuar që kjo betejë të kishte një triumfues mendjemprehtë dhe vetë dija, barrë të cilën ai mbante, të korrte një fitore vendimtare.
Propozimi i zotit Rama të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe promovimi i tij si një aset i çmuar i diplomacisë, histeria kokëshkretë e kontestimit dhe lukunia e hijena ndërsyr ndaj tij, ishte dhe mbeti një nga dangat më të ndyta të vetëdijes sonë qytetare.
Këtë betejë absurde e kam vëzhguar me shumë interesë për një fakt shumë të thjeshtë, për integritetin intelektual dhe dijeshumë të djaloshit energjik dhe oratorit dehës. Fatkeqësisht kam vjedhur prej kohës sime për të lexuar dhe ndjekur gjithëçfarë oponenca ofronte përmjerrjen e saj neveritëse. Nuk u pataksa për këtë djalë të gjorë, që përfundoi kësisoj në shënjimin e kësaj batërdie kokëprerë. U ligështova se po sulmohej me çdo mjet dhe vulgaritet, që nga dishepujt e besimit ne dije, deri te penëthyerit shqipshkrues, jo Gent Cakaj por dija, leximi, libri, arsimimi.
Prej rrënojave të shekullit të iluminimit, natoteknologjisë, egos së njeriut për të shtytur tej caqet e së mundshmes, krejt beftas ngrihen nga terri i groposur i harrimit, mumjet prehistorike duke i sillë të sotmes si risi, gjyqet e inkuizicionit, për të nënshtriuar me zjarr dhe hekur, për të poshtëruar me leçitje dhe baltosje, dijen, atë që njerzimi kishte mbujtur në mijëvjeçarë si zjarrin.
Dhe vjen një ditë, që djaloshi kurajoz, ai që besoi te shkollimi, dija dhe librat, të qëronte hesapër një herë e mirë me një të goditur. Të lumtë, Gent Cakaj, mbrojte veten, por mbi të gjitha dijen, librin, shkollën, përfaqësove Shqipërinë dhe bekove Kosovën.
Albert Vataj