Besnik Mustafaj, letër Azem Hajdarit: Vendi po shkon keq i dashur Azem. Ëndrra jote për Shqipërinë si gjithë Europa ka ngecur

Në ceremoninë përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, Besnik Mustafaj pati një kritikë të fortë për Partinë Demokratike.

Mustafaj lexoi një letër imagjinare që do të donte t’ia kishte dërguar Azemit po të ishte gjallë.

“Partia Demokratike nuk është sot aty ku do të donte Azemi”, theksoi Mustafaj.

Në këtë letër pati kritika për qeverinë, por edhe për Partinë Demokratike.

“Kjo do të ishte letra që unë si shkrimtar dhe si mik për Azemin dhe jam i bindur se Azemi do i besonte kur ti lexonte”, tha Mustafaj për letrën e përfytyruar, Azem Hajdari, ku do i shkruante tre gjëra.

Letra

“E para: Vendi po shkon keq i dashur Azem. Ëndrra jote për Shqipërinë si gjithë Europa ka ngecur.

Korrupsioni është bërë një gangrenë që bren moralin e shoqërisë dhe po pengon zhvillimin e ekonomisë.

Krimi i organizuar funksionon si federatë kartelesh duke e ndarë vendin në parcela për secilin kartel, sepse krimi i organizuar në fakt ka kapur shtetin.

Shqiptarët i ka pushtuar dëshpërimi. Një dëshpërim i ngjashëm me atë të 1991, kur humbëm zgjedhjet e para.

Por ndryshe nga ç’dodhi në 1991 – kur pasoi një vit i stuhishëm ku shqiptarët e mblodhën shpejt veten, u bashkuan rreth PD dhe e çuan vendin në zgjedhje të parakohshme në vitin 1992, ku ne fituam, – sivjet dëshpërimi duket shumë i thellë.

Shqiptarët e kanë humbur shpresën në atdheun e tyre dhe po kërkojnë të ikin jashtë duke zbrazur vendin.

Gjeja e dyte qe do i thoja është: PD nuk është aty ku historia e kërkon dhe ku do e donte Azemi për ti dhënë zë politik kësaj pakënaqësie popullore duke mishëruar atë që është jetike sot, shpresën e njerëzve dhe për ti udhëhequr këta njerëz drejt përmbushjes së ëndrrës tënde, për ta bërë Shqipërinë si të gjithë Europa.

Do ti njoftoja një lajm të gëzueshëm. Se ka shumë të rinj, djem dhe vajza të cilët nuk e kanë njohur Azem Hajdarin dje, por që duan Azem Hajdarin siç ishte në të vërtetë. I besojnë atij dhe frymëzohen nga ai për të mos u pajtuar me të keqen.

Gjëja e tretë lidhet me Rudinën. Azemi e ka pasur pikë të dobët Rudinën. Do ti thoja se Rudina nuk është më ajo vajza e vogël lozonjare që recitonte vjersha si gardalinë. Rudina sot është zonjë, e pjekur. Është në PD dhe deputete e saj dhe brenda gjakut të saj ëndrra e Azemit vazhdon”.

a.s/dita